Ndërlidhjet

Arrestime e lëndime gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe policisë


Protestuesit përplasen me policinë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:43 0:00

Protestuesit përplasen me policinë (Video: Edona Peci)

Pas disa përpjekjeve të policisë për të shpërndarë protestën e aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilët ishin duke protestuar kundër dialogut me Serbinë, protesta ka përfunduar në orët e pasdites.

Përfundimi i protestës ndodhi, pasi policia lejoi demonstruesit që të qëndrojnë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para përfundimit të protestës, tha se tentimi për të arritur deri te ndërtesa e Qeverisë, që nga mëngjesi, është, siç u shpreh ai, “beteja e parë e re në mesin e shumë betejave që janë zhvilluar, kundër dialogut politik me Serbinë, kundër autonomisë së veriut dhe ndarjes së Mitrovicës”.

“Le të jetë kjo ditë, ditë e dy parullave kryesore: ‘Me hajna nuk ka shtet’ dhe ‘Sheshi është yni, jo i Qeverisë’ ”, u shpreh Kurti në mbyllje të protestës.

Kurti deklaroi se vullneti i njerëzve për të qenë të lirë, për të pasur drejtësi e barazi, është i pandalshëm.

“Nuk ka çizme dhe nuk ka njësit special që e ndal vullnetin tonë. Ne jemi për një Kosovës sovrane, me kufij të mbrojtur, me integritet territorial, e me zhvillim ekonomik. Ne duam që të mobilizohemi si shqiptarë, si Kosovë, si komb, si shoqëri, si qytetarë kundër Serbisë. Konflikti me Serbinë nuk ka përfunduar”, theksoi Kurti.

Foto: Edona Peci & Arton Konushevci

Ndërkaq, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka shoqëruar në stacione policore rreth 63 protestues të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa kanë demonstruar në shenjë pakënaqësie për takimin që ka zhvilluar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, në Bruksel.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovë, Baki Kelani, deklaroi:

“Numri i personave të shoqëruar në stacione policore deri më tani ka arritur në 63 persona. Të gjithë janë shoqëruar në momentin kur kanë qenë të dhunshëm ndaj zyrtarëve policorë, duke hedhur mjete të ndryshme, duke përfshirë edhe gurë masiv në drejtim të policisë”.

Protestuesit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që në orët e hershme të mëngjesit provuan të shkonin pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, siç u tha, “për të penguar punën normale të ekzekutivit”.

Aktivistë dhe deputetë të saj kanë pësuar lëndime, derisa njësitet speciale të Policisë së Kosovës po tentonin ta shpërndanin turmën, e cila kishte mësyrë ndërtesën e Qeverisë.

Autoritetet e rendit kanë përdorur herë pas here gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën, prej nga raportohet se janë hedhur edhe gjësende të forta.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës, tha se autoritetet e rendit janë përballur me një protestë të dhunshme dhe të paparalajmëruar nga Lëvizja Vetëvendose. Ai theksoi se aktivistët e Vetëvendosjes kishin tendencë për ta sulmuar ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

“Sulmi është paramenduar si i befasishëm, me vetë faktin se është realizuar përpara se punonjësit e çfarëdo cilësie kanë qenë në objekt. Gjegjësisht, sipas vlerësimeve tona, dhe konfirmimit të mëvonshëm, është dashur të puthitet koha e ardhjes së të gjithë nëpunësve dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë me kohën e sulmit”, sqaroi Rexha.

Mirëpo, drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën poshtë deklaratën se protesta kishte për qëllim sulmin ndaj institucioneve.

Shefi i Grupit Parlamentar të subjektit politik, Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i kësaj proteste ishte që t’u tregohet të gjithëve se ka pakënaqësi me takimin, siç e quajti ai, “kriminal”, ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq.

“Me këtë protestë kemi dashur të bllokojmë hyrjen e Qeverisë për kryeministrin Hashim Thaçi, në mënyrë që të mos lejojmë të hyjë në ndërtesën e Qeverisë dhe t’i tregojmë se kjo nuk është një ditë normale pune, por është një ditë pas një takimi jashtëzakonisht të dëmshëm dhe të rrezikshëm për Kosovën”, theksoi Ymeri.

Sa i takon numrit të të arrestuarve, për Vetëvendosjem, numri është shumë i madh. Në njoftimet e fundit nga kjo lëvizje thuhet se disa nga protestuesit që janë në Qendrën Klinike Universitare, janë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Më herët gjatë ditës, Vetëvendosje bëri të ditur se deputeti Liburn Aliu, është në mesin e të lënduarve. Sipas Ymerit, Liburn Aliu është rrahur te hoteli ish-Iliria, dhe nga plagët e marra, është trajtuar në spital.

Por, Policia e Kosovës tha se deputeti Aliu nuk është rrahur nga policia, por është rrëzuar derisa po protestonte bashkë me personat e tjerë.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, paralajmëroi se demonstrata e radhës do të organizohet shumë shpejt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG