Ndërlidhjet

Shtyrje e (pa)qëllimshme e debatit për privatizim


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)
Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të enjten debatin për privatizimin e ndërmarrjeve publike.

Kjo pikë ishte iniciuar nga subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, por gjatë seancës, ishte Grupi Parlamentar i PDK-së, që kërkoi shtyrjen e debatit për shkak të mungesës së ministrave nga kabineti qeveritar.



Në emër të PDK-së, kërkesën për shtyrjen e debatit e ka prezantuar shefi i Grupit Parlamentar, Adem Grabovci, i cili ka thënë se kryeministri, si edhe shumica e ministrave janë në udhëtime zyrtare.
Vlerësojmë se pa pjesëmarrjen e kryeministrit dhe ministrave, të paktën atyre përkatës,ky debat nuk do ta kishte rëndësinë që duhet ta ketë.

“Vlerësojmë se pa pjesëmarrjen e kryeministrit dhe ministrave, të paktën atyre përkatës,ky debat nuk do ta kishte rëndësinë që duhet ta ketë. Prandaj, unë kërkoj me mirëkuptim nga të gjithë kolegët që ta mbështesin kërkesën e PDK-së dhe këtë debat ta shtyjmë për një seancë tjetër ku do të jetë prezent kryeministri, kabineti qeverisës, e nëse shihet e nevojshme edhe Agjencia Kosovare për Privatizim”, ka thënë Grabovci.

Kundër kërkesës së PDK-së për shtyrjen e debatit për privatizimin ishin partitë opozitare. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se mungesa e ministrave ishte e qëllimshme.

“Nuk kanë pasur interesim për të marrë pjesë në këtë seancë, e madje duket se i kanë ikur qëllimisht kësaj seance, e tash po kërkojnë që ta shtyjmë seancën në mënyrë që të përgatiten, siç e tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së. Prej 8 gushtit kanë pasur kohë të përgatiten, pse nuk janë përgatitur?!”, ka theksuar Ymeri.

Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se debati duhet të zhvillohet, pavarësisht që në seancë ishin të pranishëm vetëm dy ministra.

“Konsiderojmë që asnjë arsye nuk është që të shtyhet, sepse të gjithë këta që u përmendën dhe nuk e di pse nuk i kanë marrë edhe këta dy ministra edhe të shkojnë bashkë se i kish zënë aeroplani, pasi që qenkan në udhëtime zyrtare! LDK-ja konsideron që shtyrja është e panevojshme dhe debati është i domosdoshëm që të mbahet”, ka deklaruar Beqiri.

Për mbajtjen e debatit ishte edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ardian Gjini nga AAK-ja ka pohuar se debati parlamentar pa Qeverinë do të ishte jo shumë i frytshëm, por ka thënë se konsideron që nuk ka arsye që ai të shtyhet.

Ardian Gjini
Ardian Gjini
“Mendojmë që nuk ka arsye praktike për shtyrjen e debatit, por konsiderojmë që debati do të jetë me më pak vlerë, meqenëse nuk mund të bëhet debat me ata që vendosin për këto tema. Ky debat është dashur të jetë mes Kuvendit e Qeverisë, e cila merr vendime nganjëherë edhe pa Kuvendin”, ka thënë Gjini.

Sidoqoftë, votimi solli si rezultat 44 vota për shtyrjen e debatit dhe 42 për zhvillimin e tij.

Ndërkohë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i ka dorëzuar Kuvendit një peticion me mbi 63 mijë nënshkrime të qytetarëve, me të cilat kundërshtohet mënyra se si po bëhet privatizimi i ndërmarrjeve publike.

Peticioni kërkon nga deputetët që të kenë mirëkuptim në kërkesat e tyre rreth privatizimit të PTK-së, KEK-ut dhe likuidimit të Trepçës. Në të kundërtën, sindikalistët kanë paralajmëruar protesta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG