Ndërlidhjet

BSPK-ja me peticion kundër mënyrës së privatizimit


Ilustrim
Ilustrim
Që nga gjashtë shtatori, kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nisi mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike, ka arritur të mbledhë 63 mijë e 539 nënshkrime.

Drejtuesit e BSPK-së, në një konferencë për media, u kanë bërë thirrje të gjithë deputetëve që të kenë mirëkuptim në kërkesat e tyre rreth privatizimit të PTK-së, KEK-ut dhe likuidimit të Trepçës.

BSPK-ja të hënën do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës me peticion dhe kërkesa, me të cilat kundërshtohet mënyra se si po bëhet privatizimi i ndërmarrjeve publike.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, ka thënë se deputetët duhet t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë seriozisht kërkesat e BSPK-së dhe peticionin.

“Presim që deputetët, të cilët janë në Kuvend, jo vetëm të opozitës, por edhe të pozitës të kenë një vetëdijesim ose mirëkuptim rreth peticionit që e kemi bërë”.

“Mbesim me shpresë që deputetët, të cilët e kanë votën e popullit, ta përkrahin peticionin, pasi që këto nënshkrime nuk janë vetëm të sindikatës dhe anëtarëve të tyre, po këtu janë përfshirë të gjithë ata që kanë dashur ta nënshkruajnë, pra të gjithë punëtorët që janë duke punuar dhe ata që kanë mbetur pa punë”, ka thënë Arifi.

Kuvendi i Kosovës në seancën e rregullt plenare që pritet të mbahet të hënën, në rend dite ka shqyrtimin e procesit e privatizimit të deritashëm në vend.

Arifi ka përmendur disa nga kërkesat e punëtorëve, të cilat, sipas tij, janë shumë të rëndësishme që të realizohen.

“Kërkesat e punëtorëve janë shumë pak në krahasim me problemet që janë. Kërkojnë nën një privatizim, i cili ka ndodhur dhe rreth 70 mijë punëtorë që na kanë mbetur pa vend pune, t’ju sigurohet diçka – një pension të parakohshëm ose një program social, i cili do të përcaktonte një pagë minimale për jetesë dhe familjes”, është shprehur Arifi.

Ndryshe, punëtorët e Postë-Telekomit të Kosovës dhe të Distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë protestuar në vazhdimësi, për të kundërshtuar privatizimin e këtyre ndërmarrjeve.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje pesë kompanive të parakualifikuara, që të marrin pjesë në garë për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Drejtuesi e BSPK-së kanë thënë se përkrahin privatizimin, pasi që Kosova është në një fazë të tranzicionit, por, sipas tyre, për privatizim duhet të ketë bashkëpunim me sindikatën dhe punëtorët e ndërmarrjeve.

Nënkryetari kësaj sindikate, Avni Ajdini, ka thënë se privatizimi duhet të bëhet, por jo në mënyrë, siç u shpreh ai, të “egër”.

“Privatizimi të mos bëhet i egër, 70 për qind, por 51 plus 49- po të kishte mundësi. Po ashtu, duhet të jetë vlerësimi i ekspertëve vendorë, të cilët duhet të japin një leje dhe sa me sa duhet të privatizohet. Kjo nuk ekziston as në qeveri, edhe pse kemi kërkuar disa herë për shembull dhe plus nuk kemi program social për punëtorët”, ka thënë Ajdini.

Lëvizja Vetëvendosje, si një nga subjektet politike, e cila ka kundërshtuar që herët mënyrën e privatizimit, ka përkrahur edhe këtë peticion.

Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ishte i pranishëm në konferencën për media të BSPK-së, ka thënë se çdo iniciativë me qëllim që privatizimi të bëhet në të mirë të punëtorëve, do të përkrahet.

“Ne kemi dhënë kontributin tonë modest në këtë iniciativë me aq sa kemi pasur mundësi dhe potencial. Si Vetëvendosje, gjërat të cilat i kemi në program kushdoqoftë ai, cilido qoftë ai, që pajtohet me to, ne jemi me ta”, ka deklaruar Molliqaj.

BSPK-ja ka thënë se nëse Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta marrin parasysh vullnetin e qytetarëve të shprehur në peticion, vullnetin e punëtorëve dhe sindikatave, do të protestojmë fuqishëm më 20 shtator 2012, për ta parandaluar nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit Limak-Çalik për shitjen e Rrjetit të Distribucionit të KEK- ut. Protesta, sipas BSPK-së, është e pashmangshme në rast të mosmiratimit të kërkesave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG