Ndërlidhjet

Deda: Qeveria nuk mund të hyjë vetëm në bisedimet politike


Ilir Deda
Ilir Deda

Kjo Qeveri nuk mund të hyjë vetëm dhe nuk duhet të hyjë vetëm në këto bisedime, sepse është jashtëzakonisht e dobët dhe kjo dobësi shihet në afinitetin e saj që të bëjë kompromise jo të mira për Kosovën, siç ishte rasti i fusnotës; 12 44 në fusnotë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ilir Deda, drejtor ekzekutiv në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Deda, tashmë Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që të hyjë në bisedime politike me Serbinë, në cilësinë e dy shteteve. Si i parashikoni ju ato bisedime dhe çka mund të arrihet?

ILIR DEDA
Po këto bisedime i kanë dy qëllime, sipas agjendës së bashkësisë ndërkombëtare. Një është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë - Serbi dhe e dyta është një status i avancuar i veriut. Mendoj se në këto bisedime kjo Qeveri nuk mund të hyjë vetëm, nuk duhet të hyjë e vetëm, sepse është jashtëzakonisht e dobët dhe kjo dobësi shihet në afinitetin e saj që të bëjë kompromise jo të mira për Kosovën, siç ishte rasti i fusnotës: 12 44 në fusnotë.

Dy, ju e shihni se sa e lehtë është bërë nga bartësit institucionalë që të ndërrohen qëndrimet politike prej refuzimit të pasjes së dialogut politik me Serbinë dhe tash e shohim ofensivën e tyre mediale që të tregojnë se kjo është një gjë e mirë. Do të thotë, Qeveria është joserioze dhe për dialog politik me Serbinë duhet të ketë një seriozitet shumë më të madh dhe një konsensus sa më të gjerë të shoqërisë dhe të forcave politike në Kosovë. Kështu që Kosova duhet të mendojë se çfarë duhet bërë.




Është jashtëzakonisht dëshpëruese të shihet se nuk ka pjekuri politike te partitë politike në Kosovë që të ulen dhe të bisedojnë se kah po shkon Kosova, cilat janë këto procese përpara dhe çka të bëhet në këto procese, por pritet që të na unifikojë faktori ndërkombëtar. Kjo nuk është një pjekuri politike e një shteti evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analizat e KIPRED-it është thënë se problemi i veriut do të zgjidhet në dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet një pako “Ahtisari Plus”. Çka nënkupton Ahtisari plus?

ILIR DEDA
Këtu është një interpretim liberal i Pakos së Ahtisarit, por çka do që të nënkuptojë ajo, nuk duhet të ndodhë. Nuk mund të ketë asimetri të të drejtave të serbëve në Kosovë. Serbët në veri, të cilët janë pakica e serbëve të Kosovës, nuk mund të kenë më shumë të drejta se dy të tretat e serbëve që jetojnë poshtë lumit Ibër dhe për më tepër, nuk mund të vijë deri te krijimi i një veçantie të veriut në sistemin kushtetues të Kosovës dhe institucional.

E vetmja gjë që është e veçantë në veri, është se atje ndodhen strukturat paralele të sigurisë të Serbisë dhe nuk ekziston vullneti i bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojë Prishtinën që ta integrojë veriun. Po në të njëjtën kohë nuk ekziston ky vullnet as në Qeverinë e Kosovës, e cila e ka humbur iniciativën nga viti i kaluar. Kështu që, më të vërtetë ndodhemi para një situate serioze dhe duhet një qasje shumë më serioze sesa që kemi.

Kjo do të thotë që ne duhet të dalim me platformën tonë si e shohim ne si Kosovë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, çka nënkupton kjo për Kosovën dhe në të njëjtën kohë, t’u thuhet shumë qartë, partnerëve ndërkombëtar, në radhë të parë, se nuk do të bisedohet me Serbinë në asnjë mënyrë për veriun, se si do të integrohet veriu. Çka duhet të bisedohet, është NATO-ja të bisedojë me Beogradin për tërheqjen e forcave paralele të sigurisë të Serbisë nga veriu dhe që Policia e Kosovës, e përbërë nga pjesëtarët serbë të marrë kompetencat e tyre në sundimin e rendit dhe ligjit në atë pjesë të veriut.

Në të njëjtën kohë, duhet të hyjmë në dialog me përfaqësues politikë serbë të veriut të Kosovës për një proces, i cili do të shpie në demokratizimin e veriut, do të thotë në mbajtjen e zgjedhjeve të lira. Do të shpie në funksionalizimin e gjykatave e të policisë në veri, që do të thotë sundim i ligjit. Dhe, tre, duhet të jetë një pako ekonomike, e cila në çfarëdo mënyre duhet ta përfshijë edhe Mitrovicën e jugut.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni që bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë interes për zgjidhjen e çështjes së problemit të veriut?

ILIR DEDA
Bashkësia ndërkombëtar është lodhur nga Ballkani, e ata e shohin çështjen e vetme të pazgjidhur raportet Kosovë-Serbi edhe duan sa më shpejt që ta zgjidhin këtë raport duke e çuar këtë që po e quajmë të gjithë, normalizimin e raporteve, dhe në pragmatizmin e bashkësisë ndërkombëtare, ata mendojnë se me një status të posaçëm do të mbyllin çështjet e hapura.

E, përkundrazi, nëse do të ketë një status të posaçëm të veriut, ai në një afat tre deri në pesë vjeçar do të shpie në destabilizim të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi, ndërkohë në skenën politike në Kosovë vazhdon të diskutohet ideja për nënshkrimin e një traktati paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas jush, a mund të ndodhë diçka e tillë?

ILIR DEDA
Mund të ndodhë, por nuk shihet se Beogradi është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë në këtë moment.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shikoni Kosovën pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur?

ILIR DEDA
Festa, e cila do të organizohet në Prishtinë në shtator, nuk do t’i përmendë çështjet kyçe të shtetit të ri, e kjo është se Kosova, pas përmbylljes së pavarësisë, do të jetë e përçarë përbrenda, do të thotë nuk ka kontroll në veri, nuk do të ketë legjitimitet të plotë ndërkombëtar, pasi që ne për më shumë së gjysmën e shteteve në botë nuk jemi shtet i pavarur.

Në të njëjtën kohë, kemi problem me funksionimin themelor të demokracisë në Kosovë. Kemi probleme shumë të mëdha sa i përket kontrollit ndër-institucional dhe kemi probleme të tjera e ato do të jenë një lloj mbikëqyrje tjetër ndërkombëtare në institucionet kyçe të shtetit, e cila nuk është arsyetuar në asnjë moment se pse po ndodh.

Kështu që, fatkeqësisht, kjo do të jetë një farsë e madhe, një pluhur syve popullit tonë dhe opinionit publik. Ndërsa, problemet e mëdha, të cilat do të mbesin të pazgjidhura, bashkësia ndërkombëtare do të na shtyjë që t’i zgjidhim me dialog me Serbinë, sepse tash fatkeqësisht gati pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ne jemi kthyer aty ku kemi qenë para pesë vjetëve. Duhet që për legjitimitet ndërkombëtar ta kemi bekimin e Beogradit dhe për integrim të veriut të njëjtën gjë.

Ky është një dështim jashtëzakonisht i madh, edhe i Kosovës, i të gjitha partive në Kosovë, e edhe i partnerëve ndërkombëtarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni përmendur së fundmi mundësinë e ndërtimit të një përbërjeje të re të koalicionit qeverisës, një Qeveri siç është thënë të UÇK-së. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë?

ILIR DEDA
Unë kam treguar atë që është në plan, që një qeveri më fortë do të ishte ajo, e cila do të mund të hynte në proces të dialogut politik me Serbinë, ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Të tjerët e quajnë atë UÇK-Qeveri, por në të njëjtën kohë mendoj se duhet të ketë shumë më shumë pjekuri te çdo parti politike në Kosovë dhe çdo lider politik ta kuptojë seriozitetin e situatës.

Kosova duhet ta gjejë zërin e vet në këto plane që po bëhen për ne dhe atë zë ta unifikojë aq sa mundet, t’ia shprehë BE-së, SHBA-së, dhe të dalë para tyre si palë e tretë. Do të thotë, nuk mund të negociojë bashkësia ndërkombëtare me Serbinë, me Kosovën në të njëjtën kohë, po nëse janë tri palë, të cilat negociojnë, duhet të jenë tri pozita të ndryshme.

Sa i takon koalicionit, mund të ndodhë ose mund të shkohet në zgjedhje të shpejta, po një gjë që është e qartë është se përbërja aktuale e Qeverisë apo Qeveria aktuale, është jashtëzakonisht e dobët që të hyjë në procese serioze politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG