Ndërlidhjet

Pa ndërkombëtarët, integrimi i veriut i pamundur


Tre Rrokaqiejt - Mitrovicë...
Tre Rrokaqiejt - Mitrovicë...
Për integrimin e veriut të Kosovës përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet e vendit. Por, pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe bashkëpunimin e qytetarëve, integrimi do të jetë i vështirë, thonë përfaqësuesi të lartë të institucioneve të vendit.

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, thotë se për ndryshimin e gjendjes në veri, duhet të ndihmojë edhe faktori ndërkombëtar.

Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
“Qeveria e Kosovës dhe institucionet janë ato që e kanë përgjegjësinë kryesore dhe aktivitetin kryesor. Ka punë që duhet t’i bëjë KFOR-i dhe EULEX-i, në veçanti, në krijimin e ambientit të sigurt për rend dhe ligj. Ka punë, po ashtu, që duhet t’i bëjnë në kuptimin e diplomacisë Uashingtoni dhe Brukseli me një presion mbi Beogradin zyrtar”, thotë Kuçi.

Hulumtimet e instituteve dhe organizatave të ndryshme, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, theksojnë nevojën për një mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare për institucionet kosovare, në radhë të parë në zhbërjen e strukturave paralele në veri.

Plani i Ahtisaarit, me të cilin parashihet krijimi i komunës Mitrovicës së veriut, vazhdon të jetë i pavlefshëm për serbët e veriut, që insistojnë në kundërshtimin e deritashëm ndaj të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Kuçi, në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë thotë se për të ndryshuar gjendjen në veri, nevojitet funksionim i përnjëhershëm i shumë faktorëve.

“E para, duhet të jenë mundësitë institucionale, pastaj mundësitë ekonomike, por gjithsesi duhet të luajnë rol edhe akterët tjerë ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, nuk ka diçka që mund të ndryshojë në raport me Kushtetutën e Kosovës, me Planin Gjithëpërfshirës që ka të bëjë me Republikën e Kosovës dhe këtu është më shumë si logjike se si t’i drejtohet kurrizi pa e thyer, sesa që mund të jetë lëshuar pe, apo diçka tjetër”, sqaron Kuçi.

Analistët politikë vlerësojnë se kundërshtimi i serbëve lokalë ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës, do të mbetet i njëjtë derisa në veri vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele të mbështetura nga Serbia.

Ndërkaq, zyrtarët e partive politike opozitare konsiderojnë se pa hartimin e një plani nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk mund të ketë integrim të veriut.

Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikon qeverinë se për integrimin e asaj pjese, ende nuk ka një plan dhe strategji të qartë.

Ardian Gjini
Ardian Gjini
“Nëse Qeveria e Kosovë nuk ka plan, situata në veri do të degradojë edhe më tepër, do të shndërrohet në një konflikt të ngrirë dhe do të krijohen situata që mund të quhen feta-komplito që do të thotë situatë e kryer”.

“Qeveria e Kosovës ka gabuar qe shume vjet që nuk është marrë me këtë temë. Vetëm kanë folur për këtë temë, kanë pasur deklarata e kanë ndërmarrë një aksion para një viti, një aksion njëditor, duke shpresuar që do të zgjidhet ndryshe kjo çështje. po nuk zgjidhet ashtu kjo çështje”,
konsideron Gjini.

Gjini thotë se është e qartë se pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar problemi nuk mund të zgjidhet, por, sipas tij, planet për ndryshimin e gjendjes duhet t’i bëjë Qeveria.

“Implementimi i një plani për veri kërkon njëfarë koordinimi me faktorin ndërkombëtar, me KFOR-in me EULEX-in e me gjithë të tjerët, por ata nuk do të ndërtojnë plan për fuqizimin e shtetit të Kosovës. Planet për fuqizimin e shtetit të Kosovë duhet t’i bëjë Qeveria e Kosovës”, shton Gjini.

Nga ana tjetër, kreu i të ashtuquajturit Rrethi i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, thotë se mbijetesa e serbëve është kryekëput e lidhur me institucionet e Serbisë.
Kështu që, ne nuk dëshirojmë të heqim dorë nga diçka që na mundëson një jetë më kualitative dhe më të mirë, si dhe standard më të lartë...

“Kur kemi të bëjmë me institucionet e Kosovës, është treguar qartë se ato institucione nuk mund të sigurojnë paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, si dhe as zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin dhe as që mund të garantojnë një standard mëtë lartë. Kështu që, ne nuk dëshirojmë të heqim dorë nga diçka që na mundëson një jetë më kualitative dhe më të mirë, si dhe standard më të lartë - të humbim diçka të tillë dhe të fitojmë pasigurinë”, thotë Nedelkoviq.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitës së saj në Bruksel ka potencuar se tri komunat në veri të Kosovës, Mitrovica, Zubin Potoku dhe Leposaviqi ende nuk e kanë pranuar procesin e decentralizimit, por, sipas saj, deri në zgjedhjet e ardhshme komunale, për të tri këto komuna do të bëhen përpjekje të përfshihen në sistemin e qeverisjes duke shfrytëzuar të drejtat që u jep Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG