Kemi pritur që vendimi për taksën mbi çimenton të ndryshohet këtë javë, por na ka mbetur edhe një konsultim final dhe vendimi do të ndryshohet në javën e ardhshme, ka thënë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Mimoza Kusari - Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari, keni qenë protagoniste e zhvillimeve në lidhje me çimenton dhe kompaninë “SharrCem”. Keni ndërmend të tërhiqni vendimin për tarifën e importit të çimentos?
MIMOZA KUSARI - LILA
Vendimi për taksën mbi çimenton, ka qenë një vendim i cili është prezantuar si i përkohshëm dhe është i përkohshëm, është konform Ligjit mbi masat mbrojtëse në importe dhe ashtu siç e kemi deklaruar në seancën e Kuvendit, vendimi do të modifikohet, gjegjësisht do të ketë një ndryshim në vendimin fillestar për të ofruar një konkurrencë të lirë në treg, e gjithsesi për të mbajtur edhe një mbrojtje të interesave të prodhuesit vendor.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të ndryshojë vendimi?
MIMOZA KUSARI - LILA
Mendoj shumë shpejt. Ne, në fakt, kemi pritur që vendimi të ndryshohet këtë javë, por na ka mbetur edhe një konsultim final dhe, sipas të gjitha gjasave, shihet se vendimi do të ndryshohet në javën e ardhshme.
RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, i cili përfundoi pa asnjë konkluzion apo vendim për shkak të abstenimit të shumicës dhe kritikave që ua bënë juve, a konsideroni se keni shkelur marrëveshjen CEFTA me këtë vendim?
MIMOZA KUSARI - LILA
Edhe atë ditë, në debatin në Kuvend, unë kam prezantuar argumentet dhe legjislacionin në fuqi, i cili tregon se nuk ka shkelje të rregullave të CEFTA-s, në të kundërtën është konform rregullave të CEFTA-s, është neni 23 paragrafi 1 dhe 2, që përcaktojnë qartë lejimin e masave mbrojtëse në importe për secilin vend.
Dhe, së dyti, kjo marrëveshje, kur është nënshkruar, është nënshkruar si tërësisht e lirë, gjegjësisht liberale për Kosovën, në kuptimin që janë liruar të gjitha industritë nga ndonjë mbrojtje që ka sjellë në situatën ku ne duhet të aplikojmë një ligj të tillë. Po edhe vetë ligji si i tillë ka kaluar nga po ky legjislacion, nga po ky parlament vitin e kaluar, dhe konsideroj që debati do të ishte shumë më mirë të ishte i fokusuar në argumentet ekonomike. Domethënë ka pasur debat konstruktiv, por ka pasur edhe debat, në të cilin më tepër janë përdorur termat patriotik, ose është munduar të prezantohet argumenti patriotik sesa ai ekonomik dhe ai i zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës, që është arsyeja bazë për marrjen e vendimit për mbrojtjen e industrisë së çimentos në Kosovë.
Marrëveshja e CEFTA-s nuk është cenuar. Ne e kemi informuar edhe sekretariatin. Me ligjin në Kosovë parashihet që mund të merret një vendim i tillë dhe pastaj të konsultohen të gjitha palët e përfshira. Edhe me marrëveshjen e CEFTA-s ka raste kur ne pas marrjes së vendimit, i kemi informuar të gjitha palët e përfshira dhe natyrisht konform marrëveshjes së CEFTA-s dhe konform rregullave në fuqi kjo marrëveshje do të kalojë në fazën e dytë, përkatësisht në një transformim tjetër apo në tërheqje të vendimit, por që ka siguruar që prodhimi vendor është prodhim që nuk i cenohet ekzistenca, po mbi të gjitha nuk është ballafaquar me një devijim të menjëhershëm siç ka ndodhur në rastin e çimentos.
RADIO EVROPA E LIRË
Vendimi i juaj është thënë se ka për qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor. Mirëpo, nëse iu referohemi ekspertëve, ata thonë se tarifa e vendosur ka ndikuar në ngritjen e çmimit të betonit dhe ndërtimtarisë në përgjithësi. Sa konsideroni se po jep rezultate pozitive ky vendim?
MIMOZA KUSARI - LILA
Vendimi ka pasur një synim - që është mbrojtja e prodhimit vendor dhe ndalimi i eskalimit të çimentos së importuar në masën sa ka qenë mbi 1000 për qind për 1 vit e gjysmë. Ne jemi të vetëdijshëm se ka sjellë disa efekte në treg, të cilat me siguri se kanë qenë edhe të parashikuara, por që janë shfrytëzuar prej disa operatorëve ekonomikë.
Në procesin e marrjes së vendimit deri në momentin e përmbylljes së këtij vendimi, operatori ekonomik, të cilit i mbrohen interesat nuk ka të drejtë të lëvizë me çmime. Ndryshimet në treg kanë ndodhur edhe nga ndërmjetësit, gjegjësisht ata që kanë marrë çimento dhe kanë vendosur ta shesin duke shfrytëzuar situatën e tillë që nuk ka çimento tjetër, që rrjedhimisht ne na pamundëson të ndikojmë në tregun e lirë në aso mënyre.
Por, natyrisht është edhe një argument tutje që tash vendimi duhet të ofrojë një hapësirë në treg ku çmimet të stabilizohen. Mirëpo, atë që e përmenda më herët arsyeja kryesore, mbrojtja e interesave të prodhuesit ka qenë argumenti dhe mbrojtja e një industrie në Kosovë, e cila punëson mbi 500 veta dhe kontinuiteti i investimeve për prodhuesin vendor.
RADIO EVROPA E LIRË
Njohësit e çështjeve ekonomike ju kanë kritikuar lidhur me këtë vendim. Si i shihni ju këto kritika?
MIMOZA KUSARI - LILA
Unë do të doja që këto kritika të fokusohen kryesisht në argumentet ekonomike. Në argumentet ekonomike nuk përfshihet vetëm një situatë gjegjësisht një kohë, sot, por ato lidhen me procese dhe lidhen edhe me një të ardhme. Shumica e këtyre kritikave janë lidhur vetëm me sot - ndikimin sot që e ka ky vendim. Shumë pak kanë reflektuar në të ardhmen dhe në rezultatet që ky vendim mund t’i ketë.
Pak kam lexuar dhe pak kam dëgjuar që ka pasur analistë ekonomikë, të cilët kanë menduar në perspektivë, duke thënë se çka nëse industria e çimentos do të mbyllej në Kosovë.
Nuk ka qenë vështirë për këtë kompani, në këtë rast “SharrCem”, ose “Titan-grupin” që është pronar i “SharrCemit” tash, që ta mbyllë fabrikën në Kosovë, dhe ta përdorë Kosovën si depo, të importit të çimentos nga vendet prej ku këta prodhojnë. Së dyti, mbyllja e një fabrike të këtyre përmasave do të ndikojë në komunë, në Kosovë dhe do të bëjë që një industri të tërhiqet.
Dhe, së treti, ka qenë gjithashtu edhe efekti se vazhdimisht është diskutuar për çmimin në treg dhe për konsumatorin dhe çmimi në treg i ofruar nga konkurrentët tjerë ka qenë për një shumë tejet të vogël më i ulët, pa marrë parasysh faktin që në dogana apo në import ky çmim ka qenë tepër më i ulët domethënë 60 - 70 për qind që nganjëherë ka ardhur më i ulët, ndërsa është ngritur në treg. Do të thotë profitin e ka marrë importuesi, ose ai që e ka tregtuar.
Por, ekziston edhe një skenar tjetër. Në rastet e tilla kur çmimi është shumë i ulët ose kur dikush konkurron në treg të huaj me çmim shumë të ulët atë çmim e mban deri në momentin kur i përjashton nga loja prodhuesit e vendit, apo operatorët tjerë ekonomikë.
Në momentin kur arrin që t’i përjashtojë nga loja operatorët ekonomikë, gjegjësisht prodhuesin atëherë ky importues ose fabrikë që operon diku jashtë e kontrollon tregun dhe luan me çmim. Domethënë me të vërtetë atëherë i garantohet pozitë monopoliste, përderisa ne kemi qenë këmbëngulës që të kemi, së pari, një barazi në treg dhe e dyta që ta mbrojmë një industri dhe kjo industri të jetë konkurrente me të tjerët që me të vërtetë në një të ardhme konsumatori të fitojë.
Në skenarët, të cilët janë prezantuar konsumatori do të përfitonte, ose përfiton një vit ose dy. Pas dy vjetësh kur të mbyllet kjo industri në Kosovë, konsumatorit do t’i kthehen çmimet ende më të mëdha sesa prodhuesit, për arsye se importuesi shkon me mazhën më të madhe.
Mos të harrojmë se skenarë të tillë kemi pasur në Kosovë, me prodhuesit e vezëve, kur prodhuesit nga Greqia dhe Shqipëria kanë mbajtur çmim shumë të ulët derisa janë përjashtuar nga loja tërësisht prodhuesit kosovarë. Në momentin kur s’ka pasur më konkurrencë në vend, kur prodhuesi kosovar nuk qenë më konkurrent dhe s’ka arritur të prodhojë, atëherë ai që ka importuar e ka rritur çmimin dhe tash ka arritur çmimi në atë nivel që më mirë do të ishte sikur para dy vjetësh dikush të vendoste një masë mbrojtëse për prodhimin e vezëve, që t’i mbronte vezët e Kosovës dhe ato të ishin ende konkurrente.
Së fundi, në këtë pikën e mbrojtjes më duhet gjithashtu të theksoj se ekzistojnë rregulla shumë strikte me ligj, për arsye se shpeshherë është ngritur çështja se pse s’janë mbrojtur produktet tjera.
Ligji përcakton qartë se për kë mund të aplikohen masat mbrojtëse: për një prodhues nëse mbulon 25 për qind të tregut apo për një grup prodhuesish nëse mbulojnë mbi 50 për qind të tregut. Në të dy këto raste nëse kompanitë prodhuese kosovare veprojnë në ekonomi joformale siç ndodh shpesh në Kosovë shteti gjegjësisht Qeveria e ka shumë vështirë ta arsyetojë përqindje e tyre në treg me shifra joformale.
Prandaj, kjo ka qenë edhe një thirrje për të gjitha ata që mendojnë se të bësh biznes në Kosovë në joformalitet për fitim më të madh, por është shumë e gabueshme për shkak se në fund del se do të kesh kosto më të mëdha dhe do të kesh më pak mbrojtje, për shkak se statistikat e atij biznesi nuk do të gjenden askund dhe shteti e ka shumë vështirë të reagojë për bizneset, të cilat nuk janë formalisht të regjistruara.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari, tarifa e vendosur kemi parë se ka nxitur protesta në Kosovë e Shqipëri. Si i keni përjetuar parullat se me këtë vendim i keni humbur kuptimin Rrugës së Kombit? Ka ndonjë domethënie për ju një parullë e tillë?
MIMOZA KUSARI - LILA
Mua nuk më ka prekur ajo parullë, për shkak se ka pasur efektin ekonomik, gjegjësisht është fshehur prapa interesit të importuesit. Në fakt, importuesi e ka përdorur shumë mençur që të më diskreditojë mua në aspektin patriotik ose kombëtar, apo nacional, ndërsa ta mbrojë fitimin e vet. Unë jam shumë e sigurt se Rruga e Kombit funksionon dhe i shërben qëllimit të saj.
Në atë kohë kur flitej që unë kam ndikuar në mbylljen e Rrugës së Kombit, mbi 500 mijë persona kanë kaluar në të dy anët e kufirit. Kosovarët dhe shqiptarët dihet se janë shumë të lidhur në shumë aspekte dhe ka shumë mundësi të bashkëpunimit ekonomik që mund të fascilitohet tutje ndërmjet dy qeverive, por që kjo nuk ka pasur për synim as prodhuesin nga Shqipëria, as ndonjë prodhues në veçanti, por mbrojtjen e çimentos së Kosovës në një të ardhme më të sigurt për këtë prodhim të vendit, e që ka rastisur të jetë një prodhues në Fushë-Krujë, të cilit për një periudhë një mujore ose dy, mund t’i cenohet interesi në tregun e Kosovës - ajo ka qenë rastësi.
Por, të argumentohet dhe të shkohet deri në ekstrem me parulla të asaj natyre për një qëllim ekonomik, besoj se as nuk është e drejtë, nuk është njerëzore, por as e moralshme.