Ndërlidhjet

Kosovë - SHBA, memorandum për lidership transformues


Ilustrim
Ilustrim
Të rinjtë kosovarë, të cilët dëshirojnë të shkollohen jashtë vendit, do ta kenë edhe një mundësi tjetër që nga e premtja, pasi që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për themelimin e një fondi për arsim.

Ky program i ri pesëvjeçar me vlerë prej milion dollarësh, do të ofrojë më shumë mundësi shkollim.



Programi, sipas nënshkruesve të memorandumit, ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, dhe kryeministrit Hashim Thaçi, pritet të formojë kuadro të liderëve të rinj, të cilët do të jenë në krye të ndryshimeve të rëndësishme në fusha, si ato politike, ekonomik e shoqërore.

Ambasadori Dell tha se Qeveria Amerikane për këtë projekt ka ndarë dhjetë milionë dollarë, për të shtuar se me këtë fond mund të shkollohen 500 deri në 800 të rinj kosovarë.

Kristofer Dell
Kristofer Dell
“Nëse ky program tregohet i suksesshëm do të tregojë transformimin e gjeneratave të ardhshme, të cilat do të marrin një arsimim të mirë që do të kontribuojë në të ardhmen e këtij vendi dhe që mbetet një trashëgimi e qëndrueshme e bashkëpunimit të qeverisë së SHBA-së dhe Kosovës”, tha Dell.

Ambasadori amerikan tha, po ashtu, se të rinjtë kosovarë që deri më tash kanë studiuar në SHBA, kanë sjellë në Kosovë përvoja të rëndësishme për vendin e tyre.

“Unë gjatë shërbimit tim në Kosovë kam vërejtur se shumë të rinj që janë shkolluar në Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar vendin dhe kanë ndikuar në shumë procese dhe shpresoj që ky projekt të shërbejë për zhvillimin e Kosovës”, theksoi Dell.

Qeveria e Kosovës, për të ngritur mirëqenien sociale dhe materiale të qytetarëve të Kosovës, krahas prioriteteve të tjera, do të angazhohet që qytetarët e vendit të kenë qaseje edhe më të avancuar në arsimin e lartë cilësor, tha kryeministri i Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të memorandumit.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
“Ky fond është pjesë përbërëse e partneriteti tonë për përkrahjen e programeve për reformimin e arsimit të Republikës së Kosovës. Qëllimet kryesore të këtij fondi do të jenë përforcimi i lidhjeve në mes të institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe SHBA-ve, me qëllim të ofrimit të mundësimeve të liderëve kosovarë të profileve të ndryshme”.

“Në këtë fond, Qeveria do të ndajë dhjetë milionë euro për një periudhë pesëvjeçare. Me këtë iniciativë, Qeveria e Kosovës e mbështetur nga SHBA-ja, po realizon përgjegjësitë e saj për të krijuar mundësi për një shkollim më cilësor për qytetarët e saj”, tha Thaçi.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Thaçi, deklaroi se me këto projekte institucionet e vendit po krijojnë mundësi më të mirë për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre.

“Kapitali njerëzor është një nga imputet më të rëndësishme të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik të Republikës së Kosovës dhe të çdo vendi. Përmirësimi i cilësisë së arsimit është prioritet strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, potencoi Thaçi.

Krahas memorandumeve të tjera, në fushën e arsimit Kosova dhe SHBA-ja në muajin maj të këtij viti patën nënshkruar një memorandum për programin akademik “Fulbright”, të shkëmbimeve, i cili mbështetet në programet që deri më tash me sukses kanë shkëmbyer dhjetëra bursistë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG