Ndërlidhjet

Isufi: Pavarësia e plotë kur të shtrijmë autoritetin në veri


Ahmet Isufi
Ahmet Isufi
Derisa kemi pjesën veriore të pakontrolluar ende dhe pa instaluar me institucionet e Kosovës, do të ketë vështirësi që të kemi vërtet një pavarësi të plotë, pa mbikëqyrje, dhe të kemi funksionim normal të shtetit të Kosovës, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, si kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, si e vlerësoni situatën e sigurisë në vend dhe, në veçanti, në veri të Kosovës?

AHMET ISUFI
Siguria në vend është e brishtë, për shkak të veriut të Kosovës, i cili ende nuk është instaluar me institucione të Republikës së Kosovës. Minoriteti serb ende nuk po integrohet në pjesën institucionale dhe, po ashtu, kemi edhe reagimet e fundit, të cilat kanë qenë të nxitura nga pushteti i Beogradit, duke pasur parasysh se atje kanë fituar forcat nacionaliste dhe ka një kthim prapa në pushtetin e Serbisë.

Po ashtu, kemi dhe kryetarët e komunave, të cilët janë jolegjitimë sepse kanë dalë jo nga zgjedhje të lira dhe demokratike nga pushteti i Kosovës, por si marioneta të pushtetit serb të Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të komunës së Mitrovicës kanë kërkuar që në prag të hapjes së Zyrës Civile Administrative të rriten masat e sigurisë në atë pjesë. A prisni ju tensione në veri pas hapjes së kësaj zyre, marrë parasysh kundërshtimin e strukturave paralele serbe atje?

AHMET ISUFI
Absolutisht, ne kemi kërkuar që të rritet masa e sigurisë, të krijohen institucione valide, të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Ne e kemi theksuar edhe më herët se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Organizimi shtetëror duhet të bëhet sikurse në gjithë territorin e Kosovës, edhe në pjesën veriore, sepse duke e konsideruar si pjesë të veçantë dhe duke krijuar mekanizma artificialë, nuk ndihmohet procesi.

Prandaj, atje duhet të ofrohen institucionet me njerëz, të cilët integrohen më lehtë dhe që janë të gatshëm të bashkëpunojnë në kuadër të jetës së gjithëmbarshme në Kosovë dhe jo të bëhen veprime ad-hoc pa ndonjë program, pa ndonjë vizion të qartë dhe pa veprime konkrete, që do të mundësonin një jetë më të mirë për qytetarin e Kosovës.

Hapja e zyrës është një sfidë dhe ne nuk duam që në këtë rast të dështojë Qeveria e Kosovës. Përkundrazi, ne e kemi përkrahur në iniciativa, të cilat kanë bërë hapa konkretë dhe kanë qenë të domosdoshme për shtetin, por mendojmë se veprimet që po bëhen në mënyrë artificiale, duke krijuar mekanizma që nuk janë në bazë të vullnetit politik edhe të popullatës atje dhe në bazë të ligjit mbi zgjedhjet, sepse vetëm organet e zgjedhura në mënyrë legjitime nga qytetarët, vetëm ato janë valide dhe të qëndrueshme.

Do të shohim në të ardhmen se si do të mund të funksionojë Zyra Administrative, e cila është përcaktuar në veri. Por, kjo Qeveri nuk ka treguar vullnet të mjaftueshëm që të investojë në pjesën veriore të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Drejtuesit Ministrisë së Punëve të Brendshme, por edhe autoritetet e rendit, deklarojnë se janë duke ndërmarrë veprime në mënyrë që të ketë një siguri më të madhe për banorët shqiptarë në veri. Ju si mendoni, a kanë banorët në atë pjesë sigurinë e duhur?

AHMET ISUFI
Banorët atje janë të frikësuar dhe të shantazhuar, qoftë nga brenda, nga bandat që i përmendëm më herët, qoftë nga Qeveria e Beogradit, e cila në vazhdimësi bën trysni duke mos i lejuar që të jetojnë të lirë dhe të qetë në vendin e tyre, duke i akuzuar për gjoja bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe shqiptarët, si popull shumicë.




Megjithatë, ne kemi kërkuar që të ketë një angazhim më të madh të segmenteve të sigurisë, të cilat krijojnë mundësi të lëvizjes së lirë, krijojnë jetë të qetë për qytetarët dhe një ngritje të cilësisë së zhvillimit të jetës atje. Gjithashtu, të bëhen veprime të duhura në bazë të një programi qeveritar, i cili mundëson një jetë më të mirë për qytetarët, sepse duke iu ofruar kushte më të mira qytetarëve, ata do të jenë më afër institucioneve.

Në këtë drejtim, unë them se fitorja e forcave regresive në Serbi, do të ndikojë edhe më shumë që të mos e kemi situatën edhe aq të volitshme në veriun e Kosovës. Kjo do të varet më së shumti nga institucionet tona, të cilat, si Qeveria p.sh, shpeshherë po lejojnë që të ndërhyjnë elementë që po e destabilizojnë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Flasim pak edhe për zhvillimeve tjera politike në vend. Zyrtarët evropian po paralajmërojnë vazhdimin e bisedimeve Prishtinë - Beograd pas formimit të qeverisë së re serbe. A mund të rrëshqasë ky dialog kah temat politike duke e pasur një gjendje faktike në veri?

AHMET ISUFI
Edhe temat, të cilat janë quajtur teknike, kanë dalë të jenë me motive politike, sepse nga marrëveshjet e arritura nuk ka zbatim dhe, po ashtu, këto marrëveshje nuk janë të nënshkruara dhe, si të tilla, palët nuk obligohen në masën e duhur që t’i zbatojnë ato, edhe pse ndërmjetësues ka qenë faktori i Bashkimit Evropian në këtë rast.

Por, bisedime të tjera sa i përket zhvillimeve politike nuk duhet të ketë në raport ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse çështja e Kosovës është e zgjidhur dhe askush nuk e ka të drejtën as mandatin që të bisedojë për çështjen e Kosovës. Ne mund të bisedojmë për fqinjësi, zhvillim rajonal, por jo për tema, të cilat tashmë janë mbyllur në vitin 2008 apo në vitin 1999 kur është çliruar Kosova.

Me një qeveri, që ende nuk është konsoliduar sa duhet në Serbi, dhe po ashtu vjen nga radhët e atyre që kanë shkaktuar dëme të mëdha në Kosovë, e shohim si hap të ngutshëm të deklarimit - qoftë të presidentes, qoftë të kryeministrit - për gatishmëri për bisedime, për takime kur kemi parasysh se kush ka ardhur në pushtet në Serbi.

Nuk ka nevojë të nguten, për arsye se mendojmë që njëherë e përgjithmonë të dihet se ka një shtet, i cili vepron në mes të Evropës; i cili pretendon të jetë demokratik; dhe i cili dëshiron të jetë në integrimet e ardhshme dhe jo menjëherë të vrapojë se si do të bëjë bisedime me ata që në të vërtetë i kanë shkaktuar shumë plagë Kosovës, dhe ato plagë ende janë të freskëta.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar Drejtues ka vendosur që t’i japë fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Çfarë implikimesh mund të ketë kjo për veriun e Kosovës?

AHMET ISUFI
Sa i përket përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur - është një proces i cili e gëzon çdo shqiptar dhe, në këtë rast, çdo qytetar të Kosovës për arsye se edhe në veriun e Kosovës duhet të bëhen veprime të duhura, të cilat mundësojnë një jetë më të mirë atje dhe zhvillim institucional.

Në këtë drejtim, më shumë i bie barra EULEX-it që të jetë ai mekanizmi, i cili si mision ndërkombëtar mund të ndërhyjë dhe të marrë veprime, që janë të domosdoshme, por përgjegjësia kryesore është mbi institucionet e Kosovës.

Dhe, derisa kemi pjesën veriore të pakontrolluar ende dhe pa instaluar me institucionet e Kosovës, do të ketë vështirësi që të kemi vërtet një pavarësi të plotë pa mbikëqyrje dhe të kemi funksionim normal të shtetit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG