Ndërlidhjet

Demokratizimi i partive ndihmon shtetin


Kosovë...
Kosovë...
Moszbatimi i ligjeve ekzistuese dhe mungesa e disa ligjeve të tjera, po bënë që partitë politike të mos jenë në nivelin e duhur të demokratizimit dhe reformave. Kështu thanë të martën zyrtarë të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave.

Ardian Arifaj nga ky institut, derisa ka prezantuar analizën me titull “Fuqizimi i shtetësisë së Kosovës nëpërmjet demokratizimit të partive politike”, vlerësoi se demokratizimi i subjekteve politike është qenësor për fuqizimin e shtetësisë.

Ai tha se nga partitë politike duhet të kërkohet që të zhvillojnë praktika të brendshme demokratike.

Sikur të ishin respektuar ligjet, atëherë nuk do të kishim probleme as me demokracinë. Ligjet në shikim të parë tregojnë që ka demokratizim brenda partive politike, pasi që partitë politike kanë statutet e tyre, kanë rregullore të punës, mënyrat e raportimit etj. Nëse respektohen të gjitha ato (ligjet), do të kishte demokraci, por po mungon kjo pjesë që i fuqizon mekanizmat e implementimit të ligjeve”, tha Arifaj.

Korniza ligjore për funksionimin e partive politike në Kosovë është krijuar pas luftës së vitit 1999.

Megjithatë, zyrtarët e institutit KIPRED, konsiderojnë se korniza aktuale ligjore nuk është zhvilluar me të njëjtën dinamikë sikur shoqëria dhe nevojat e saj.

Rrjedhimisht, kjo sipas tyre ka inkurajuar praktikat jodemokratike brenda partive politike.

Albert Krasniqi, hulumtues dhe përpilues i analizës, tha se ndonëse ana formale e rregullimit të brendshëm të partive politike në Kosovë është e mirë, megjithatë partitë ende përdorin metoda joformale të vendimmarrjes, nganjëherë në kundërshtim me kërkesat e rregulloret e brendshme dhe ato të jashtme të funksionimit të tyre.

Format joformale të vendimmarrjes janë të shpeshta dhe janë mjaft të fuqishme te partitë politike në Kosovë. Lideri dhe njerëzit e afërt rreth tij, janë ata që udhëheqin dhe vazhdojnë të jenë dominantë në vendimet e marra nga partia. Si rast më drastik për opinionin publik, e kemi atë që njihet si rasti i “Zanzi Barit”, kur zyrtarë të PDK-së morën vendim të shkëpusin marrëveshje me koalicionin qeverisës në një bar në Prishtinë”, tha Krasnqi.

Analizën politike të Instituti KIPRED e ka përkrahur Ambasada Zvicerane në Kosovë.

Me ketë rast ambasadorja Kristiana Marti tha se Kosova, pas mbikëqyrjes së pavarësisë do të përcillet nga komuniteti ndërkombëtar për mënyrën e qeverisjes.

Siç tha ajo, ky moment do të jetë i rëndësishëm për Kosovën dhe partitë politike.

Kosova është në moment thelbësor të historisë së saj. Dje u tha se mbikëqyrja e pavarësisë do të përfundojë shumë shpejt. Kjo është një mundësi unike për Kosovën, për partitë politike që të shfaqin gatishmërinë dhe aftësinë për të kontribuar për një Kosovë moderne e evropiane”, tha Marti.

Ndër të tjera, në gjetjet e analizës, thuhet se partitë politike në Kosovë i plotësojnë kushtet e definicionit themelor sociologjik të asaj se çfarë është një parti politike – një grup i organizuar që kërkon të marrë pushtetin me mjete politike, por jo edhe kritere tjera.

Në analizë thuhet po ashtu se nuk është gjë e re të përsëritet se partitë politike në Kosovë nuk kanë ideologji politike të tyre, nuk kanë programe të mirëfillta, madje nuk kanë as anëtarësi të qartë.

Tregues më i mirë i mungesës së ideologjisë dhe përkatësisë dhe identifikimit të anëtarëve me ideologjinë e partisë është kalimi i shpeshtë i anëtarëve të nga një parti politike te tjetra.

Por, sipas Arifajt, partive politike në Kosovë, po u mungon edhe profilizimi, gjë që sipas tij do të ndikonte në demokratizimin e tyre.

Edhe pse e dinë që duhet të profilizohen, ende nuk janë të profilizuar. Është një proces që di të zgjasë edhe disa vite”, tha ai.

Ndryshe, ndër rekomandimet kryesore të analizës së KIPRED-it janë që fondi për Demokratizim të Partive Politike që ndahet nga buxheti i Kosovës, të kthehet nën menaxhimin e Kuvendit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG