Ndërlidhjet

Punësimi në Kosovë: "Kusht" - përkrahja politike dhe familjare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Për të gjetur një vend pune në institucionet shtetërore në Kosovë, nuk është me rëndësi kriteri i përcaktuar përmes konkursit publik, por lidhjet familjare, anëtarësia partiake dhe ryshfeti. Kështu thuhet në raportin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.

Rezultat e anketës tregojnë se 34 për qind e kosovarëve besojnë që lidhjet familjare janë faktorë i rëndësishëm për t’u punësuar në sektorin publik, 24 për qind besojnë se është ryshfeti, 13.5 për qind konsiderojnë se anëtarësia partiake është faktor i rëndësishëm për të fituar punë, ndërkaq vetëm 16 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë që arsimi, përvoja profesionale dhe trajnimet janë të rëndësishme kur kërkohen punëtorë në sektorin publik.

Se këta faktorë janë përcaktues në punësim në institucionet qeveritare, pohojnë edhe përfaqësues të punëtorëve dhe shoqërisë civile, përderisa mohohen nga zyrtarë qeveritarë.

Kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ndue Kalaj, shprehet se kjo dukuri ka vjet që është e pranishme në Kosovë. Për fat të keq, thotë ai, Administrata Publike është politizuar dhe ky politizim ka sjellë pasoja të mëdha.

Këto lloj punësimesh, thotë Kalaj, kanë bërë që në pozitat udhëheqëse të mos jenë njerëz profesionalë dhe në bazë të meritave, por njerëz servil të grupeve të caktuara të interesit.

“Në këtë politizim vijnë në shprehje familjarizimi, grupimet politike, ryshfeti. Pra, nuk ka ndonjë kriter të caktuar për punësim. Pastaj ajo që është më e keqe, në pozitat udhëheqëse në vendet kyçe profesionale, vijnë njerëzit pa e kryer stazhin e praktikantit, kriter ky i përcaktuar edhe me ligj”, thotë Kalaj.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se në postet udhëheqëse dhe në borde të ndërmarrjeve publike, punësohen anëtarë të partive në pushtet.

Avni Zogiani, nga organizata joqeveritare” Çohu”, konsideron se çdo parti politike që ka ardhur në pushtet, ka punësuar në mënyrë të panevojshme anëtarët e vet.

“Procesi i punësimit në sektorin publik është kryesisht i ndikuar politikisht. Në anën tjetër, ne kemi parë se në mënyrë të panevojshme dhe pa ndonjë vizion, me të ardhur në pushtet një parti punëson qindra njerëz nëpër kompani publike, pa ndonjë plan dhe pa ndonjë studim se a ka qenë të nevojshme(ato puënsime)”, shprehet Zogiani.

Ndue Kalaj thekson se këto punësime e kanë dëmtuar rëndë cilësinë e punës në sektorin publik.

”Është e pamundur që një subjekt politik që t’i ketë të gjitha ato kuadro profesionale, të atij niveli që do t’i duheshin administratës në qoftë se nuk merr edhe prej grupimeve tjera. Pastaj, këtu përveç anës partiake, familjarizimit, është edhe lokalizmi”, pohon Kalaj.

Por, ndryshe thonë zyrtarë qeveritarë. Birsen Shufta, këshilltare e lartë në Ministrinë e Administratës Publike, në një përgjigje dhënë përmes postës elektronike, ka thënë se kriteret për punësim janë të përcaktuara në Ligjin për Shërbimin Civil.

“Në bazë të këtij ligji, pranimi në Shërbimin Civil mbështetet në parimet e meritës, me shpallje publike të pozitave të lira, me transparencë të procesit, me objektivitet dhe paanësi të komisionit testues, mosdiskriminim të kandidatëve dhe me të drejtën për t’u ankuar në fund të procesit”, ka thënë Shufta, duke shtuar se në rast të moszbatimit, merren masa disiplinore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG