Ndërlidhjet

Punësim vetëm në sektorin privat


Ilustrim
Ilustrim
Në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë të punësuar rreth 78 mijë punëtorë.

Ky numër do të mbetet i pandryshuar deri në vitin 2015, pasi që korniza afatmesme e shpenzimeve 2013-2015, e miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk parasheh punësim të ri.

Sipas kësaj, zëvendësime dhe pranime të punëtorëve të rinj do të bëhen vetëm atëherë kur kërkohet me ligj, ose kur punëtorët aktualë pensionohen, apo nuk janë të gatshëm për punë.

Ngrirja e punësimit në sektorin publik, sipas përfaqësuesve të organizatave ekonomike në vend, ka qenë i domosdoshëm, pasi që ka një numër më të madh të të punësuarve, se sa që është e nevojshme.

Por, për të ngritur punësimin, ata thonë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mundësi më të mira të bizneseve private, pasi që, siç thonë ata, në këtë mënyrë do të ngrihet punësimi në sektorin privat.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi jep më shumë hollësi

Krijimi i vendeve të punës përmes sektorit publik nuk është i duhur për vendin, për shkak se administrata publike është e stërngarkuar. Në këtë drejtim, është sektori privat ai që duhet të gjenerojë vende të punës”.

Kemi rastin e vendeve si Britania e Madhe, Irlanda e Spanja. Të gjitha këto vende, në rrugën drejt Bashkimit Evropian, në rrugën drejt zhvillimit ekonomik, kanë kaluar nëpër sfida të mëdha të zvogëlimit të sektorit publik, pra duke tentuar të bëjnë orientimin e krijimit të vendeve të punës drejt sektorit privat”, thekson ai.

Orientimi i punësimit në sektorin privat, sipas Rukiqit, do të marrw shumë kohë, pasi që Kosova ka një numër të madh të të papunëve, por, që është mënyra më e mirë e zvogëlimit të shkallës së papunësisë.

Ai thotë se më përkrahjen e bizneseve vendore, do të ketë rritje të vendeve të lira të punës.

Duhet që më të gjitha angazhimet, përmes investimeve publike, të ketë përfitime maksimale për sektorin privat vendor. Pra, me investimet publike, të mos krijohen vende të punës vetëm për kohën sa të kryhet një projekt i caktuar, por të krijojnë vende të qëndrueshme të punës, duke mundësuar që ndërmarrjet të kenë një rritje, dhe kjo rritje pastaj të kthehet në vende të lira të punës brenda këtyre ndërmarrjeve”, thekson Rukiqi.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se numri i të punësuarve në sektorin publik është i tepërt, dhe ky punësim, siç thotë ai, po e ngarkon buxhetin e Kosovës.

Shahini thotë se për ngritje të punësimit duhet të forcohet sektori privat, në të kundërtën sipas tij, shkalla e papunësisë në Kosovë do të shënojë rritje.

Është mirë që institucionet shtetërore e kanë kuptuar se kanë numër të madh të të punësuarve dhe që është një ngarkesë e madhe. Në administratën publike janë të punësuar punëtorë më shumë se që është e nevojshme, dhe kjo po e rëndon buxhetin e Kosovës. Duhet të mendohet për sektorin privat më shumë”, thekson ai.

Sektori privat, sipas Shahinit, duhet të jetë bartës i zhvillimit ekonomik.

Ai thotë se ekonomia e Kosovës, si dhe politikat ekonomike në përgjithësi, nuk kanë qenë në favor të zhvillimit të sektorit privat.

Sektori privat do të mund të gjenerojë vende të reja të punës po që se bëhen reforma në sistemin fiskal, bëhen investime të huaja, që i kemi në mungesë në Kosovë. Dhe kjo do të shkojë drejtpërdrejt në gjenerim të vendeve të reja të punës”, thekson Shahini.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë është në 45 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG