Ndërlidhjet

Zgjedhje të qeta, por me ankesa


Kutitë me fletëvotime - foto arkiv
Kutitë me fletëvotime - foto arkiv
Rezultatet e Komisionit Qendror Zgjedhor, për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Ferizajt, kanë treguar se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Aliu, ka fituar 40.7 për qind të votave, kurse Adem Salihaj nga Lidhje Demokratike e Kosovës, 24.09 për qind të votave.

Ky rezultat ka bërë që dy kandidatët të shkojnë në balotazh.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni tashmë ka miratuar rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar, nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Ferizaj.

Tashmë i kemi shpallur rezultatet preliminare të cilat janë aprovuar me konsensus. Pra, nga të gjithë anëtarët, nuk ka pasur asnjë vërejtje”.

KQZ ende nuk është bërë ndonjë vlerësim të plotë, por konstatimi i parë është se procesi zgjedhor ka qenë mjaft i rregullt. Kemi pasur disa parregullsi, më tepër teknike, të cilat nuk kanë pasur të bëjnë më KQZ-në, por megjithatë ne i pranojmë dhe do t’i shqyrtojmë”, tha Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në zgjedhje kanë marrë pjesë 28,643 votues, ose 30.6 për qind e qytetarëve.

Pas procedurave të ankesave dhe parashtresave, do të pasojë edhe caktimi i datës së balotazhit ndërmjet kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sa i përket çështjes se balotazhit, tha:

Shumë shpejt, brenda dy apo tri ditëve, ne do të vendosim se kur do të mbahet balotazhi. Sipas ligjit, ne i kemi katër javë në dispozicion që të bëhet balotazhi. Pra, dita e fundit kur mund të mbahet balotazhi është 27 maji”, bëri të ditur ajo.

Nga ana tjetër, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për zgjedhjet jashtëzakonshme në komunën e Ferizajt, janë deponuar 54 ankesa.

Shukri Sylejmani, kryesues i këtij paneli, tha për Radion Evropa e Lirë se numri i ankesave prej 52, përfshinë ankesat e fushatës parazgjedhore dhe ato zgjedhore.

Ankesa më së shumti numerikisht ka paraqitur Lëvizja Vetëvendosje, gjithsej 24 ankesa. PDK-ja 15 ankesa,po aq edhe LDK-ja”.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektet e tjera nuk kemi ankesa deri më tani të paraqitura në këtë institucion”, theksoi Sylejmani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se rezultatet, sipas pilot-projektit ‘K-vote’, të dhëna në konferencën e një dite më parë, janë identike me rezultatet e pranuara nga Komisioni Komunal i Ferizajt.

Ky proces i jashtëzakonshëm zgjedhor në komunën e Ferizajt është monitoruar edhe nga vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Ata kanë thënë se gjatë procesit të votimit, janë vërejtur disa parregullsi, por sipas tyre, nuk e kanë dëmtuar procesin në tërësi.

Në garën për kryetarin e Ferizajt morën pjesë gjashtë kandidatë të partive politike, një nga iniciativat qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Zgjedhjet për kryetar të Ferizajt pasuan dorëheqjen e kryetarit Bajrush Xhemajli, për shkak të një procesi gjyqësor ndaj tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG