Ndërlidhjet

Dell: Ende ka punë në ndërtimin e Kosovës shumetnike


Kristofer Dell
Kristofer Dell
Edhe pse përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë do të jetë një ngjarje tepër e rëndësishme, kjo nuk do të thotë që Kosova do të kryejë punën në integrimin e plotë dhe në mbrojtjen e pakicave të saj, ka thënë në Graçanicë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell.

Dell, në konferencën vjetore të Rrjetit Strategjik Aksional, Kosova, tha se “ne çdo ditë shohim se ende ka shumë punë për të bërë në ndërtimin e një Kosove tolerante shumetnike dhe demokratike”.
Të gjitha institucionet në Kosovë duhet të shprehin qartë përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj bashkësive pakicë...

“Të gjitha institucionet në Kosovë duhet të shprehin qartë përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj bashkësive pakicë dhe të tregojnë se Kosova është me të vërtetë e të gjithëve, e njerëzve të ndryshëm që jetojnë këtu”,tha Dell.

Dell kritikoi institucionet e Kosovë, duke thënë se nuk kanë bërë mjaft për respektimin dhe promovimin e plotë të të drejtave dhe interesave të bashkësive pakicë.

“Ligji për gjuhët i Kosovës është njëri nga më përparimtarët në Evropë, por ai nuk zbatohet në masë të mjaftueshme”, deklaroi Dell, për të shtuar se Qeveria dhe komunat duhet të punojnë më shumë për të lehtësuar kthimin e atyre që duan të kthehen në Kosovë, duke përfshirë edhe rregullimin e të drejtave në pronë dhe rritjes ekonomike në mesin e bashkësive të të kthyerve.

Ambasadori amerikan, Dell, theksoi se është e rëndësishme që të gjitha institucionet e Kosovë t’i shohin serbët dhe pakicat e tjera si zgjedhës të tyre. Sipas tij, edhe komuniteti serb i ka përfaqësuesit e vet në Qeveri, Kuvend dhe në komuna duke shtuar se si të gjithë politikanët kosovarë, edhe udhëheqësit serbë të Kosovës duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe më të ndjeshëm ndaj votuesve të tyre.
Sot kur Kosova fillon të qëndrojë në këmbët e veta, ju duhet të ndërhyni dhe të artikuloni më mirë brengat e bashkësisë suaj...

“Sot kur Kosova fillon të qëndrojë në këmbët e veta, ju duhet të ndërhyni dhe të artikuloni më mirë brengat e bashkësisë suaj. Ju duhet t’i angazhoni udhëheqësit në të gjitha nivelet, në atë komunal dhe qendror, në ministri, në Policinë e Kosovës, në Kuvend dhe në vendet e tjera për t’ua shpjeguar sfidat, me të cilat përballen serbët e Kosovës dhe të propozoni mënyra se si të zgjidhen ato duke i ndihmuar Qeverisë që t’i zbatojë. Ju, po ashtu, duhet të ndërtoni marrëdhënie me tërë spektrin politik në Kosovë”, u tha të pranishme ambasadori Dell, në konferencën vjetore të Rrjetit Strategjik Aksional, Kosova.

Megjithatë, Dell shpjegoi se udhëheqësit politikë serbë kanë përkrahur në mënyrë të efektshme interesat e serbëve të Kosovës në shumë fusha.

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, gjatë fjalimit të tij, foli edhe për miratimin e ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Hoçën e Madhe. Ai për këto ligje tha se “janë ligje të mira për tërë Kosovën.

“Për fat të keq, debati për këto ligje që u zhvillua në Kuvend tregon që Kosova ende duhet të punojë në forcimin e themeleve të një shoqërie tolerante dhe shumetnike. I ftoj udhëheqësit komunalë të Prizrenit dhe të Rahovecit për t’i zbatuar këto ligje në tërësi dhe për të punuar me qytetarët e tyre për të siguruar që trashëgimia kulturore e Kosovës ruhet, promovohet dhe çmohet”, theksoi ambasadori amerikan, Dell.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG