Ndërlidhjet

Gjendje e pandryshueshme në veri


Një nga barrikadat e serbëve në veri të Kosovës.
Një nga barrikadat e serbëve në veri të Kosovës.
Serbët lokalë në veri të Kosovës, sipas mediave serbe, kanë përforcuar rojet në barrikadat e vendosura në pjesë të ndryshme të këtij territori.

Barrikadat janë vendosur që nga vera e kaluar, si reagim ndaj dërgimit të policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare 1 dhe 31 në kufi me Serbinë.

Siç është raportuar nga disa media, përforcimi më i madh i barrikadave është parë në urën e Ibrit, por kujdestaria me roje nga popullsia civile është shtuar edhe në barrikadat e tjera.

Por, kjo nuk është diçka e re për autoritetet e rendit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se gjendja në veri të Kosovës sa i takon sigurisë dhe barrikadave, vazhdon të jetë e njëjtë që nga viti i kaluar.

Besim Hoti
Besim Hoti
“Varësisht nga situata, e cila paraqitet në terren, sigurisht që prezenca e këtyre personave shtohet – apo zvogëlohet. Kryesisht ajo çfarë vërehet dhe jemi në dijeni është mobilizimi dhe aftësia e tyre për të kundërshtuar veprimet ose qarkullimin e të gjitha institucioneve, qofshin atyre vendore dhe ndërkombëtare”, tha Hoti.

Serbët lokalë në veri kanë penguar disa herë dhe kanë bllokuar lëvizjen dhe kalimin e makinave të EULEX-it, të cilat kanë tentuar të shkojnë në vendkalimet kufitare Kosovë - Serbi. Serbët lokalë lejojnë kalimin e automjeteve të KFOR-it, ndërkaq, sipas një marrëveshjeje, që EULEX-i e demanton, ata lejojnë gjatë ditës të kalojnë vetëm tri vetura të misionit evropian.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, tha se mungesa e qasjes së pjesëtarëve të misionit evropian në veri paraqet pengesën kryesore në punën e tyre.

“Lira e lëvizjes për EULEX-in në veri është përmirësuar në javët e fundi. Sidoqoftë kohë pas kohë do të thotë pengohet EULEX-i që të lëvizë në veri. Misioni këmbëngul që qasje të lirë dhe të pakushtëzuar, duhet të ketë për gjithë stafin e tij”, theksoi Krasniqi.

Raportet për përforcim të barrikadave, vijnë në kohën kur po bëhen përgatitje për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, që Serbia i ka shpallur të mbahen edhe në territorin e Kosovës.

Njohësi i rrethanave të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha se serbët lokalë të veriut të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre, tashmë kanë filluar të përgatiten në mënyrë se si do t’i organizojnë zgjedhjet.
Derisa politika jonë, apo sektori i sigurisë nuk vepron me kohë, ata qysh tash kanë filluar përgatitjet...

“Derisa politika jonë, apo sektori i sigurisë nuk vepron me kohë, ata qysh tash kanë filluar përgatitjet, jo vetëm në aspektin publik të paralajmërimeve që i kanë bërë, por edhe në aspektin tjetër - do të thotë me përforcimin e barrikadave, me ndërlidhjet e tyre me mundësitë e kalimit edhe ilegal të kufirit shtetëror”, u shpreh Ibishi.

Ai tërhoqi vërejtjen se institucionet kosovare që tani duhet të ndërmarrin masa për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ashtu siç është paralajmëruar nga Serbia.

Eksperti Nuredin Ibishi theksoi Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në vend, duhet të koordinohen në mënyrë që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Republikës së Kosovës.

“Mendoj që sektori i sigurisë, në përgjithësi Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, në partneritet me faktorin ndërkombëtar këtu, të ndërmarrë masa konkrete që të veprojë qysh tash, për arsye se atëherë kur të vijë koha e fundit, apo kur fillon procesi, është vështirë të ndërhyhet në kuptimin e asaj se ajo realizohet qoftë edhe në aspektin shumë të minimizuar, por ata ia arrijnë qëllimit”, vlerësoi Ibishi.

Mirëpo, autoritetet e rendit në Mitrovicë, thanë se deri më tash nuk kanë ndonjë plan veprimi sa i takon zgjedhjeve serbe të paralajmëruara nga Serbia.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, bëri të ditur se deri më tash nuk kanë ndonjë plan veprimi, pasi që, siç u shpreh ai, ende nuk dihet nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet serbe në Kosovë.

“Deri në këtë fazë nuk jemi në dijeni nëse do të mbahen ato(zgjedhjet) apo jo, dhe çfarë do të jenë veprimet tona. Sigurisht që do të akordohen në bazë të planeve operative, të cilat do të vijnë në bazë të urdhrave nga hierarkia lart”, bëri të ditur Hoti.
XS
SM
MD
LG