Beogradi zyrtar pretendon t’i mbajë sërish zgjedhjet lokale edhe në Kosovë.
Në komunat ku, siç thuhet, ka ende mandat, zgjedhjet nuk do të mbahen, kurse nëpër komunat ku ka kaluar mandati katër vjeçar, Serbia mendon që në bashkëpunim me UNMIK-un, të organizojë zgjedhje edhe në Kosovë, pavarësisht kundërshtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve dhe misioneve diplomatike ndërkombëtare.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq ka shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe më 6 maj.
Duke u nisur nga Kushtetuta e këtij vendi, ku Kosova ende është pjesë përbërëse e Serbisë, ajo ka thënë se zgjedhjet lokale nuk do të mbahen në Prishtinë, Pejë, Leposaviq, Mitrovicë dhe Novobërdë, ngase në këto komuna, sipas saj, pushtetet lokale kanë ende mandat.
“Në harmoni me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Qeveria e Serbisë do të përgatisë një trup, i cili në bashkëpunim me UNMIK-un, do t’i shqyrtojë të gjitha aktivitetet në lidhje me zgjedhjet në Kosovë”, tha Gjukiq.
Ndërkohë, administrata e UNMIK-ut thotë se nuk është kontaktuar nga autoritetet e Serbisë në lidhje me këtë çështje.
Një zëdhënës i UNMIK-ut në Prishtinë, Oliver Salgado tha se është shumë herët që të flitet në lidhje me këtë çështje.
“Ne do të përmbahemi nga komentet përderisa të mos konsultohemi me Serbinë dhe të gjithë akterët e tjerë të përfshirë”, tha Oliver Salgado.
Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë është i papranueshëm.
Në një komunikatë për media Qeveria e Kosovës i përkujton edhe njëherë Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës.
“Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqejë politikat e shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevant ndërkombëtarë, duke ua bërë me dije që sjelljet e tilla janë të papranueshme”, thuhet në deklaratë.
Qeveria kërkon edhe trysni ndërkombëtare mbi Serbinë që të mos i mbajë zgjedhjet e paralajmëruara në Kosovë.
Për serbët e pjesës veriore, vendimi i Beogradit për zgjedhjet ishte i pritur.
Millan Ivanoviq, një përfaqësues serb nga kjo pjesë, thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë bëhet sipas Kushtetutës së Serbisë.
“Një vendim i tillë ishte i pritur ngase ai është në harmoni me kushtetutën tonë, sipas të cilës Kosova është pjesë e pandashme e shtetit të Serbisë”, shprehet Ivanoviq.
Ai thotë se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen në të gjitha komunat dhe zonat ku serbët përbëjnë shumicën.
Por, jo të gjithë përfaqësuesit e serbëve janë unik në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ranxhel Nojkiq, një përfaqësues serb nga pjesa qendrore e Kosovës, thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është gabim, pasi që përveç veriut, në pjesët e tjera mund të mos ketë kushte për mbajtjen e tyre.
“Nëse ndodhë që zgjedhjet të mbahen vetëm në veri, atëherë konsideroj se pasojat për serbët e pjesës qendrore të Kosovës do të jenë mjaftë evidente”, thotë Nojkiq.
Ndryshe, përveç zgjedhjeve lokale, Serbia ka shpallur edhe zgjedhjet parlamentare, po për datën 6 maj.
Edhe ato zgjedhje, sipas vendimit të presidentit serb Boris Tadiq, do të mbahen në gjithë territorin e Serbisë, duke mos e ndarë ende nga harta dhe Kushtetuta e këtij vendi Kosovën, e cila për më gjatë se katër vjet është shtet i pavarur.
Në deklarimet e mëhershme, zyrtarët më të lartë të qeverisë patën potencuar se Serbia nuk do t’i mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, duke thënë se për këtë kanë edhe garanci ndërkombëtare.