Ndërlidhjet

Dik Marti si dëshmitar në rastin “Medicus”?!


Klinika "Medicus"
Klinika "Medicus"
Prokurori special i Bashkimit Evropian, Xhonatan Ratel, në seancën e së premtes të procesit gjyqësor për trafikim organesh që po mbahet në Prishtinë, i njohur si rasti “Medicus”, ka kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit, të thirret Dik Marti, raportues i Këshillit të Evropës.

Prokurori special i Bashkimit Evropian, Xhonatan Ratel.
Prokurori special i Bashkimit Evropian, Xhonatan Ratel.
“Unë i kam të gjitha arsyet të besoj se ai (Dik Marti) mban në posedim evidencën për këtë rast”, ka thënë prokurori Ratel.

Ndaj propozimit të prokurorit Ratel, ka reaguar mbrojtja, e cila e ka kundërshtuar atë, duke thënë se nëse Dik Marti ftohet të dëshmojë lidhur me këtë rast penal, atëherë gjykimi do ta humbë esencën e penales dhe do të shndërrohet në politike.

Ky propozim nga prokurori Ratel është bërë në fund të seancës të së premtes, e 25-ta me radhë, për rastin “Medicus”.

Kohë më parë, përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rasti Medicus dhe “krimet e luftës, të kryera në Shtëpinë e Verdhë” - çështje kjo që ka ngritur Marti në raportin e tij dhe që prek përfaqësues të Qeverisë së Kosovës - janë raste të ndara.

Kryesuesi i panelit, Arkadius Sedek, ka konkluduar se gjykata do t’i marrë në konsideratë opinionet e të dyja palëve përpara se të përcaktohet rreth këtij propozimi të prokurorit Ratel.

Ndryshe, seanca e së premtes, kryesisht ka kaluar me dëshminë, që lidhur me rastin, përmes video-lidhjes, e ka dhënë Rauf Feinth, 66 vjeç, nga Kanadaja. Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ratel, ai ka thënë se ka bërë transplantimin e veshkës në Kosovë, në klinikën “Medicus”, në korrik të vitit 2008.

Feinth ka shpjeguar se për të arritur deri tek operimi për transplantim të veshkës, fillimisht ka rënë në kontakt me një person nga Izraeli, i quajtur Moshe Harel, të cilin më pas e kishte takuar në Turqi. Këtij të fundit ai" ia kishte dhënë 80 mijë euro".

"Nga Turqia për në Kosovë, sipas rrëfimit të tij, kanë udhëtuar 8 persona dhe në këtë mes ka qenë një çift gjerman -Volter Jugmen me bashkëshorten, si dhe dy femra që kanë folur rusisht. Në Kosovë ata kanë arritur më 23 ose 24 korrik të vitit 2008".

Feinth ka theksuar se në klinikë e ka takuar mjekun Jusuf Sonmez, i cili e ka operuar dhe ia ka transplantuar veshkën, më 25 korrik të atij viti. E njëjta gjë, sipas tij, ka ndodhur edhe me Jugmenin.

Në pyetjen e prokurorit Ratel, nëse këto dy femra që flisnin rusisht kanë qenë dhuruese të veshkave, Feinth është përgjigjur se një gjë e tillë është e besueshme.

Ndërkaq, në dokumentin, të cilin prokurori Ratel e ka prezantuar si fletë-lëshim nga klinika, dhe në të cilin, sipas tij, qëndron nënshkrimi i kirurgut Lutfi Dërvishi, thuhet se dhuruesit e organeve, gjegjësisht veshkave, dhurimin e kanë bërë për qëllime altruiste.

Avokati mbrojtës i kirurgut Dërvishi ka thënë se nënshkrimi në këtë dokument nuk është origjinal, por faksimile.

Ndryshe, që nga hapja e rastit “Medicus”, prokurori special i BE-së i ka akuzuar 7 persona për pjesëmarrje në zinxhirin ndërkombëtar të tregtisë me organe.

Në mesin e të akuzuarve, lidhur me rastin Medikus, janë Lutfi Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini, dhe Ilir Rrecaj, të cilët janë akuzuar për kryerje të veprës mjekësore të jashtëligjshme, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.
XS
SM
MD
LG