Ndërlidhjet

Hapat e demokracisë


Ilustrim
Ilustrim
Shkalla e demokracisë në Kosovë është ende në nivelin fillestar; është në fazën ku edhe më tej vihen në pikëpyetje parimet themelore të demokracisë.

Kështu të paktën thonë ish- udhëheqës të vendit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Demokracia në Kosovë, sipas ish-kryeministrit Bajram Kosumi, vazhdon të jetë në një shkallë të ulët, me gjithë përpjekjet dhe vullnetin që ajo të zhvillohet sa më shumë.

Demokracia në Kosovës është ende e brishtë. Mjafton të shikoni vetëm mënyrën se si funksionojnë partitë politike brenda vetës së tyre, dhe do të kuptoni se cila është demokracia e Kosovës. Këto parti politike funksionojë për ta marrë pushtetin. Sistemi i demokracisë, mendësia e demokracisë, praktika e demokracisë brenda partive politike është shumë largët nga parimet demokratike”, deklaron Kosumi.

Kurse përfaqësuesit e organizatave joqeveritare deklarojnë se në Kosovë ekzistojnë mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë që synojnë të zhvillojnë një demokraci të mirëfilltë, por deri më tash, sipas tyre, nuk është arritur niveli duhur i demokracisë.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, konsideron se Kosova ende nuk e ka arritur një nivel të duhur të demokracisë.

Elementi bazë, i cili na nevojitet për zhvillimin e demokracisë, është kultura e demokracisë për të cilën mendoj se mungon qoftë në aspektin e gjerë të shoqërisë kosovare, duke përfshirë edhe nivelin e qeverisjes dhe vendimmarrjes, edhe nivelin e qytetarisë. Mendoj se duhet edhe më tutje të investojmë në kulturën dhe në kuptimin e demokracisë, po ashtu edhe në rolin ton si akterë në demokraci”, shprehet Kryeziu.

Ai thotë se Kosova për 12 vjet me radhë, ka arritur që të vë një bazë të demokracisë, por siç shprehet ai, kjo demokraci ende nuk e ka arritur nivelin e qëndrueshmërisë të një demokracie funksionale, e cila do të mund të krahasohet me shtetet me demokraci më të thellë.

Nëse ne nuk kalojmë hapin përtej asaj që synon demokracia ta ketë dhe vazhdojmë të mbesim si shoqëri e bazuar në klane dhe grupacione, dhe nuk ndërtojmë ketë kulturë demokratike, ne do ta pengojmë, dhe në vazhdimësi jemi duke penguar ecjen e shtetit më tutje. Me siguri që kjo do të jetë pengesë në zhvillimin e shtetit në aspektin ekonomik, në aspektin e mirëqenies, dhe në aspektin e integrimeve ose bërjes së Kosovës shtet, ku qytetari e ndjejnë veten komod dhe ndihen të vlerësuar si shtetas të Kosovës”, thotë Kryeziu.

Kosumi thekson se pavarësisht kohës se kur është çliruar vendi, apo kur është shpallë pavarësia, rruga deri në krijimin apo ekzistimin e një demokracie të mirëfilltë, mund të jetë edhe më e gjatë.

Ish- kreu i ekzekutivit kosovar, Bajram Kosumi, përmendi disa raste ku vazhdon të ketë shkelje të demokracisë në vend.

Nëse qytetari dyshon se vota e tij po shkon drejt atje ku ai synon, do të thotë se diçka substanciale nuk funksionon në demokracinë e Kosovës, dhe ky fakt po ndodh. Pastaj, ka problem të tjera: problemi i sundimit të ligjit, problemi i transparencës së vendimeve të pushtetit, të qeverisë. Problemi i korrupsionit...të gjitha këto që e dëmtojnë substancialisht atë parimin e parë që thamë se votuesit zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, thekson Kosumi.

Nga ana tjetër, zyrtarë të institucioneve të vendit kanë thënë se vendi ka shënuar progres viteve të fundit në zhvillimin dhe promovimin e demokracisë, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, të drejtat e minoriteteve, zbatimin e parimeve të demokracisë parlamentare, ndërtimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut.

Ndryshe, Kosova si shtet funksionon në bazë të Planit të Ahtisarit, një plan specifik, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia.

Sipas këtij plani Kosova është shtet i pavarur e demokratik, por me kompetenca të kufizuara dhe e mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG