Ndërlidhjet

Akuzat në mungesë informacionesh


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Akuzat e ditëve të fundit ndërmjet partive politike në pushtet dhe atyre opozitare, lidhur me shërbimet sekrete do të vazhdojë derisa nuk do të publikohen saktë detaje të funksionimit të dikurshëm të shërbimeve të fshehta partiake, thonë disa nga njohësit e rrethanave politike në Prishtinë.

Krenar Gashi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, konsideron se përplasjet deklarative ndërmjet ligjvënësve të Partisë Demokratike dhe Vetëvendosjes po ndodhin për shkak se po përdoren për qëllime politike informatat që dikur mblidhte Shërbimi Inteligjent i Kosovës nga disa deputetë aktualë të PDK-së.

“Agjentët apo pjesëtarët e këtij shërbimi, tashmë janë deputetë të Kuvendit të Kosovës, disa prej tyre e kanë pranuar publikisht këtë gjë. Dhe, në institucionin e Kuvendit të Kosovës kanë sjellë akuza, të cilat bazohen në informatat që kanë mundur të merren gjatë kohës së operimit të SHIK-ut. Kësisoj, ata nuk kanë treguar se kush ka qenë SHIK-u, çka ka punuar, kujt i ka dhënë përgjegjësi dhe nga kush është financuar. Derisa mbesin të paqarta përgjigjet në këto pyetje, do të vazhdojë kjo garë akuzash dhe kundër-akuzash për arsye të mungesës së thjeshtë të informacioneve”, konsideron Gashi.

Kurse, analisti politik Shkëlzen Maliqi, thotë se çështja e shërbimeve të fshehta informative partiake është një temë e vjetër, e cila në mungesë të rezultateve në punë, riaktualizohet për të larguar vëmendjen nga gjërat, me të cilat vërtet do të duhej të merrej Kuvendi i Kosovës.
...partitë, edhe të opozitës, po edhe të pozitës, kur nuk kanë elemente të tjera për t’i treguar sukseset e veta ose planet, ato atëherë kapen për të kaluarën ose për kësi lloj të akuzave.

“Është një vobektësi, jo vetëm e fjalorit, po edhe e qasjes së atyre ndaj realitetit. Do të thotë, partitë, edhe të opozitës, po edhe të pozitës, kur nuk kanë elemente të tjera për t’i treguar sukseset e veta ose planet, ato atëherë kapen për të kaluarën ose për kësi lloj të akuzave. Mendoj që kjo është dobësi e partive tona, jo diçka që sjell normalizimin e gjendjes, ose qw tregon se ato me seriozitet e marrin normalizimin e gjendjes, ose që i marrin me seriozitet, para së gjithash, temat qenësore që i ka shoqëria”, vlerëson Maliqi.

Debati për shërbimet e fshehta informative ka nxitur konfrontime të mëdha në Parlament ndërmjet deputetëve të partisë politike në pushtet, PDK, dhe asaj në opozitë, Vetëvendosje. Javëve të fundit, sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, aktiviteti i SHIK-ut është shtuar dukshëm si në përcjellje e përgjime, po ashtu edhe në propagandë.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, publikisht kishte deklaruar se Albin Kurti duhet të japë sqarime deri më 9 shkurt për disa takime me serbë, dhe korrespodenca me vajzën e një ish-ministri të Sllobodan Millosheviqit.

Pas paralajmërimeve se do të japë detaje për akuzat drejtuar Kurtit, Haxhiu nuk publikoi asnjë fakt në konferencën e fundit për media.

Maliqi thotë se tërë zhvillimet që ndërlidhen me çështjen e shërbimeve sekrete dëshmojnë mungesën e pjekurisë demokratike të partive politike në Kosovë.

“Kjo është mungesë edhe e demokratizimit të brendshëm të partive politike dhe të profilizimit të tyre në bazë të parametrave të partive moderne. Ato ende funksionojnë si reparte të akuzave të ndërsjella dhe pozicionin e tyre e ndërtojnë duke e treguar kundërshtarin-rivalin si më të keq ose si vegël e shërbimeve sekrete”, thekson Maliqi.

Riaktualizimi i çështjes për veprimtarinë e dikurshme të SHIK-ut riaktualizoi gjithashtu pyetjen se a është shuar vërtet ky shërbim, siç pretendonin anëtarët e dikurshëm të tij, apo vazhdon të ekzistojë edhe tani.

Në qershor të vitit 2008, shefi i këtij shërbimi, Kadri Veseli, kishte shpallur përfundimin e aktiviteteve të këtij mekanizmi. Aktualisht, në Kosovë, i vetmi institucion legal i shërbimit informativ është Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
XS
SM
MD
LG