Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2012, por ajo duhet të ketë kujdes që të mos i përsërisë gabimet sikurse me planifikimin për të hyrat buxhetore të vitit 2011, thonë ekspertët e çështjeve ekonomike.
Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me atë se a do të jetë i mundshëm sigurimi i të hyrave për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest, thotë se gjatë këtij viti nuk janë realizuar rreth 25 për qind të të hyrave totale të buxhetit të Kosovës dhe se vendi është lënë në mëshirën e bilancit bankar dhe nevojës për shfrytëzim të këtij bilanci.
Ai thotë se duhet pasur kujdes që buxheti për vitin 2012 të mos lihet në mëshirën e burimeve që nuk janë të sigurta.
“Të hyrat e planifikuara nga Qeveria e Kosovës mbështeten shumë në ndihmat financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në borxhet e Trustit Pensional dhe në shitjen nga privatizimi. Në qoftë se nuk ndodh njëra nga këto tri burime, nëse nuk sigurohet njëra nga to, atëherë Kosova në fund të vitit do të mbetet me mungesë të likuiditetit”.
“Kosova nuk e ka luksin që të hyjë në borxh, meqenëse është një barrë që nuk do të mund ta paguajë asnjëherë. Pavarësisht kësaj, parlamenti duhet të kthejë përgjigje sa më shpejt - ndoshta të marrë mësim nga viti 2011 dhe të kuptojë se bazimi i buxhetit në burime të paqëndrueshme dhe të pasigurta, nuk duhet të aprovohet njëjtë si vitin e kaluar”, thotë Abdixhiku.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se burimet për të hyrat e buxhetit do të sigurohen nga Dogana e Kosovës, e cila, siç thuhet, pritet të grumbullojë rreth 860 milionë euro; nga tatimet vendore, që pritet të arrijnë vlerën e rreth 285 milionë eurove, si dhe nga bilanci i trashëguar bankar me vlerë prej 120 milionë eurosh. Por, megjithatë, mbeten edhe rreth 260 milionë euro për t’u siguruar nga burime të tjera.
Eksperti për ekonomi, Mejdi Bektashi, nuk sheh ndonjë rrezik nga deficiti buxhetor në vitin e ardhshëm. Ai vlerëson se në 2012-ën do të rriten të hyrat nga doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
“Është rasti i PTK-së - ajo nuk është privatizuar dhe në vitin e ardhshëm do të jetë si ndërmarrje publike. Pastaj, është edhe dividenta nga aeroporti”.
“Unë besoj se do të ketë edhe të hyra të tjera - jo ndoshta kredi nga FMN-ja, sepse nuk kemi llogari që t’i shfrytëzojmë ato kredi - por mund të ketë kredi të buta nga institucionet që muajin e fundit e kanë pranuar Kosovën, me norma shumë të ulëta të interesit”, thotë Bektashi.
Zyrtarët e Doganave të Kosovës kanë thënë se të mërkurën kanë shënuar mbledhje rekorde të të hyrave. Brenda 24 orëve, ata kanë mbledhur 6 milionë euro nga taksat e mallrave të importuara.
Ndërkaq, që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, sipas këtyre zyrtarëve, janë mbledhur mbi 676 milionë euro apo 18.2 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.
Eksperti Abdixhiku vlerëson se Doganat e Kosovës mund ta shtojnë efikasitetin e tyre, por, sipas tij, kjo nuk mjafton.
“Unë besoj se doganat dhe ATK-ja do ta realizojnë, në njëfarë mase, objektivin falë inflacionit. Kosova ka një inflacion rreth 10 për qind dhe pjesa më e madhe e gjenerimit të të hyrave është bërë si rezultat i inflacionit. Por, problemi i gjenerimit të të hyrave është ai i tri resurseve apo burimeve të paqëndrueshme - të FMN-së, të Trustit pensional dhe të privatizimit të PTK-së - të cilat janë të dedikuara për mbulimin e deficitit”.
“Do të thotë, edhe nëse doganat dhe ATK-ja i realizojnë 100 për qind objektivat e të hyrave të tyre, bilanci përfundimtar mbetet përsëri një deficit, i cili duhet të mbulohet nga burime të tjera. Këtu fillon rrezikimi financiar i Kosovës”, thotë Abdixhiku.
Eksperti Bektashi nuk e sheh krejtësisht pozitive rritjen e nivelit të të hyrave nga Doganat e Kosovës. Kjo, sipas tij, mund të krijojë edhe efekte të padëshirueshme në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Ai thotë se ky zhvillim duhet të mbështetet në importin e resurseve nga bota e jashtme.
Buxheti i Kosovës për vitin 2011 ka qenë 1 miliard e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa shpenzimet e planifikuara kanë arritur vlerën prej 1 miliard e 434 milionë eurosh.