Ndërlidhjet

ATK-ja mbledh 194 milionë euro


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, të grumbullojë 194 milionë euro.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kjo administratë ka arritur të mbledhë 22 për qind, apo 36 milionë euro më tepër, tha drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore, Behxhet Haliti, në një konferencë për media ku prezantoi rezultatet e punës për nëntëmujorin e këtij viti.

Gradualisht, sistemet tona dhe kapacitetet operative janë duke shkuar në mbledhje më të fuqishme të tatimeve vendore, krahasuar me llojet tjera të tatimeve.

Të hyrat më të larta në këtë fushë, sipas Halitit, janë shënuar ato në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Neve, si Administratë Tatimore, na siguron se jemi në rrugë të mirë dhe të drejtë, për një trajtim dhe mbledhje të tatimeve edhe në brendi të Kosovës. Gradualisht, sistemet tona dhe kapacitetet operative janë duke shkuar në mbledhje më të fuqishme të tatimeve vendore, krahasuar me llojet tjera të tatimeve”, tha Haliti.

Ndryshe, në Kosovë llogariten se janë mbi 52 mijë tatimpagues, apo rreth 17 mijë persona fizikë.

Sipas planit të Qeverisë, deri në fund të këtij viti, nga këta tatimpagues, Administrata Tatimore e Kosovës është e obliguar që të mbledhë 261 milionë euro.

Rritja e inkasimit të të hyrave tatimore është një sinjal i mirë, në kohën kur Qeveria e vendit nuk arriti të privatizojë Postën dhe Telekomin e Kosovës, tha Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, sipas të cilit, tashmë është krijuar një hendek financiar në buxhetin e këtij viti.

Prandaj, sinjalet e tilla për grumbullim më të lartë të të hyrave, konsideron Gashi, paraqesin shenja pozitive për buxhetin dhe ekonominë e përgjithshme të vendit.
...ATK-ja duhet të jetë shumë më efikase në inkasimin e të hyrave, dhe jo në dënimin e bizneseve, që janë taksapagues të rregullt.



“Është e vërtetë se gjatë këtij viti është parë një mobilizim i administratës për mbledhjen e të hyrave për arkën e shtetit të Kosovës. Kemi pasur edhe disa vërejtje nga ana e komunitetit të biznesit, që nuk janë pajtuar me rigorozitetin e tyre”.

“Por, ajo që unë mendoj është se ATK-ja duhet të jetë shumë më efikase në inkasimin e të hyrave, dhe jo në dënimin e bizneseve, që janë taksapagues të rregullt”,
theksoi Gashi.

Ndërkaq, si rezultatit të arritur gjatë periudhës janar - shtator, drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, tha se konsideron përfundimin e Strategjisë së Përmbushjes, dokument ky i kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Haliti tha se kjo strategji është faktor i rëndësishëm për përpjekjet e administratës, në uljen e evazionit fiskal dhe veprimeve tjera që dëmtojnë buxhetin e Kosovës.

“Strategjia, në plan të parë, ka shërbimin ndaj tatimpaguesve dhe trajtimin e segmenteve të caktuara të tatimpaguesve, të cilët janë të prirë për mosdeklarim, evazion fiskal, apo veprime tjera që dëmtojnë buxhetin e shtetit”, bëri të ditur Haliti.

Ndryshe, institucion tjetër i rëndësishëm për mbledhjen e të hyrave buxhetore është edhe ai Doganave e Kosovës. Kjo organizatë, sipas planifikimeve të ekzekutivit, deri në fund të vitit duhet të grumbullojë 830 milionë euro.

Lexoni edhe këto:
Sfidë për institucionet
Ku shkojnë të hyrat?
XS
SM
MD
LG