Ndërlidhjet

Kosova jashtë integrimeve evropiane


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë i pashmangshëm për integrimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian, thonë njohësit e rrethanave politike dhe ata të integrimeve evropiane në Kosovë. Megjithatë, edhe pas këtij procesi Serbia mund të vazhdojë të jetë në avantazh rreth dinamikës së integrimit karshi palës serbe.


Njohësit e integrimeve evropiane dhe analistët politikë në Prishtinë vlerësuan se Kosova ka mbetur e fundit në dinamikën e përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian karshi vendeve të rajonit.

Ditë më parë, Serbia ia dorëzoi Komisionit Evropian pyetësorin me përgjigjet për marrjen eventuale të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova ka mbetur i vetmi vend në Ballkan, që nuk është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe i cili vazhdon të marrë kritika për përmbushjen e kritereve për integrim dhe procese të tjera - së fundi atë të zgjedhjeve.

Eksperti Shenoll Muharremi theksoi nevojën që autoritetet kosovare ta vënë si prioritet integrimin e vendit në BE. Një skenar që do ta vështirësonte këtë proces, sipas tij, do të ishte anëtarësimi eventual i Serbisë në BE para Kosovës.

“Një gjë shumë e rëndësishme nëse e vëmë këtë gjë në perspektivë, është se çka do të ndodhë nëse Serbia do të vazhdojë me hapa të njëjtë të avancojë në BE, ndërsa Kosova të mbetet kështu si është. Atëherë ne mund të vijmë në një situatë kur Serbia mund të anëtarësohet dhe të jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian. Pastaj, ajo thjesht do të jetë në gjendje të bëjë pothuaj çka do dhe të vërë kushte shumë të veçanta për Kosovën që Kosova të bëhet anëtar”, u shpreh Muharremi.

Pjesë e pashmangshme e procesit integrues evropian sikurse për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë, sipas analistit Driton Lajçi, do të jetë zhvillimi i bisedimeve me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të hapura ndërmjet palëve.

Thirrjet e Brukselit zyrtar për nisjen sa më parë të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, u përsëritën edhe gjatë së hënës nga zyrtarët evropianë. Lajçi paralajmëroi një garë rreth temave, të cilat të dyja palët duan t’i diskutojnë nën lehtësimin e BE-së.
Ky ndoshta nuk është vullnet, as i Serbisë, e as i Kosovës, mirëpo kjo është garë politike dhe secili vend përpiqet ta kapitalizojë në shumë dimensione.

“Ky ndoshta nuk është vullnet, as i Serbisë, e as i Kosovës, mirëpo kjo është garë politike dhe secili vend përpiqet ta kapitalizojë në shumë dimensione”.


“Serbia, për shembull, do të përpiqet ta paraqesë këtë si dialog për status politik në mënyrë që t’i pengojë njohjet eventuale dhe, në anën tjetër, ta vazhdojë rrugën e vet drejt integrimit. Kosova gjithashtu do të përpiqet që ta shohë se është shtet duke prosperuar, i cili dëshiron të ketë raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit duke konsideruar se çështja e statusit është çështje e mbyllur
”, vlerësoi Lajçi.

Mirëpo, Muharremi u shpreh skeptik lidhur me përfitimet e palës kosovare nga dialogu me shtetin serb. Ai theksoi rëndësinë që autoritetet vendore të hyjnë në këtë proces vetëm kur ato të jenë të gatshme dhe kur bisedimet të jenë në interes të zhvillimit shtetëror të Kosovës.

“Dialogu është shumë i rëndësishëm për Serbinë për shkak se ndoshta është edhe parakusht që t’i jepet drita jeshile që të fillojë dhe të bëhet vend aplikant zyrtarisht dhe të fillojë negociatat. Në anën tjetër, Kosova nuk mund të thotë se nuk dëshirojmë të bisedojmë me fqinjët tanë, por në anën tjetër duhet të jetë e kujdesshme që ky dialogim - edhe pse është në frymë evropiane, është shumë më i rëndësishëm për Serbinë sesa për Kosovën”
, theksoi Muharremi.

Pavarësisht përgatitjeve të aktorëve të përfshirë lidhur me dialogun ndërmjet të dy palëve, asnjë lloj procesi i tillë thuhet se nuk mund të nisë para krijimit të institucioneve të reja shtetërore në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG