Ndërlidhjet

Institucionet, pastaj dialogu


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kosova duhet t'i krijojë fillimisht institucionet shtetërore dhe pastaj t'i nisë përgatitjet për dialogun me Beogradin zyrtar, thonë analistët politikë në Kosovë. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me përgjegjësinë për krijimin e platformës për këtë dialog - disa e quajnë detyrë shtetërore, ndërsa të tjerët thonë se Bashkimi Evropian duhet të merret me këtë çështje.



Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se Kosova duhet të përqendrohet fillimisht në krijimin e kapaciteteve shtetërore, para se t’iu përvishet përgatitjeve për dialogun e ardhshëm me shtetin serb.

Rëndësia për themelimin e institucioneve legjitime, të cilat do të ishin përgjegjëse për bisedimet me Beogradin, është theksuar deri më tani edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, i cili do t'i lehtësojë këto bisedime.

Në Serbi thonë se është hartuar platforma shtetërore për bisedimet me palën kosovare, por se tani pritet të përfundojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Këto zgjedhje, të cilat nisën në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa për shkak të anulimit të disa vendvotimeve pritet të vazhdojnë më 9 janar, sipas drejtorit ekzekutiv të Klubit për Politikë të Jashtme, Yll Hoxha, kanë rënduar pozicionin e Prishtinës zyrtare.

Hoxha thekson rëndësinë që Kosova të hyjë me një platformë konsensuale në këtë proces.

Zgjedhjet e kanë rënduar arritjen e këtij objektivi, por nuk e kanë pamundësuar atë. Konsiderojmë se ende ka mundësi që forcat politike në Kosovë të ulen në një tryezë dhe të merren vesh për atë se cila do të jetë platforma e bisedimeve në dialogun e paralajmëruar”, thotë ai.

Pavarësisht distancimit të deritanishëm të përfaqësuesve evropianë lidhur me temat e bisedimeve, analisti Driton Lajçi vlerëson se i takon vetë Bashkimit Evropian të krijojë platformën e përbashkët dhe agjendën për zhvillimin e këtij procesi.

“Prishtina e as Beogradi nuk janë në pozicion për të diktuar platformën e bisedimeve, sepse bisedimet organizohen dhe lehtësohen nga Bashkimi Evropian".

"Bashkimi Evropian është organi kompetent në këtë rast, i cili parasheh kornizën dhe përmbajtjen, afatin kohor dhe nivelin e bisedimeve
”, thotë ai, për të shtuar se gjatë takimeve ndërmjet palëve, zyrtarët e BE-së duhet t'i gjejnë pikat e përbashkëta për të cilat ekziston një, siç e quan, vullnet real për të arritur te marrëveshja.

I pyetur nëse veriu i Kosovës apo idetë për shkëmbim territoresh mund të jenë një nga pikat e përbashkëta për dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Lajçi shprehet:

“Nëse do të ketë vullnet real, atëherë mund të diskutohet - edhe pse kjo si ide është ide klasike, e vjetruar dhe të gjitha dokumentet ndërkombëtare, të miratuara deri më tani, e shohin Kosovën si një tërësi, me këta kufij të njohur që nga Rezoluta 1244, shpallja e pavarësisë së Kosovës etj”, thotë ai.

Përfaqësues të qeverisë në dorëheqje të Kosovës kanë përjashtuar mundësinë që me palën serbe të bisedohet lidhur me pjesën veriore të vendit, për shkak se, siç i kanë thanë ata Radios Evropa e Lirë, “veriu është çështje e brendshme dhe nuk mund të përfshihet në agjendën e bisedimeve me Serbinë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG