Ndërlidhjet

EULEX-i nuk i nis hetimet pa dëshmi konkrete


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Pavarësisht miratimit të rezolutës në Këshillin e Evropës, e cila i bën thirrje misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit të nisë hetimet mbi dyshimet për trafikim me organe njerëzore në Kosovë e Shqipëri, në EULEX thonë se nuk do të zhvillohen hetime të tilla pa marrë evidencën, mbi të cilën raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, ka bazuar akuzat e tij. Përfaqësues të Human Rights Watch theksojnë rëndësinë që EULEX-i t’i ketë këto informata, por thonë se hetimet duhet ta zbardhin çështjen në tërësi.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë duket se nuk e ka ndër mend të nisë menjëherë hetimet mbi akuzat për trafikim me organe njerëzore, të përmendura në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti.

Ditë më parë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë, përmes së cilës i kërkon EULEX-it të nisë hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Dokumenti në fjalë i bën thirrje misionit evropian që të ketë mandat dhe mbështetje të nevojshme politike e financiare për t’i bërë hetimet lidhur me akuzat, ndër të cilat, ajo për udhëheqjen e një grupi të ish-ushtarëve të UÇK-së në trafikimin me organe njerëzore, armë dhe drogë e drejtuar në adresë të kryeministrit në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi.

Mirëpo, në EULEX thonë se pa evidencë konkrete nuk mund të hetohen akuzat e raportuesit zviceran, Marti. Zëdhënësja e EULEX-it, Aleksandra Xhorxh, shpjegon:
EULEX-i nuk do të nisë ndonjë hetim lidhur me akuzat e raportit të Martit, derisa të marrim evidencë konkrete.

“EULEX-i nuk do të nisë ndonjë hetim lidhur me akuzat e raportit të Martit, derisa të marrim evidencë konkrete. EULEX-i i ka dërguar dy letra zotit Marti, përmes së cilave e kemi inkurajuar t’i furnizojë autoritetet e prokurorisë në kuadër të EULEX-it me çfarëdo informacioni apo evidence që mund t'i ndriçonte akuzat e bëra në raportin e tij, por deri më tani nuk kemi pranuar asgjë. Rrjedhimisht, nuk është duke u zhvilluar ndonjë hetim”.

Kërkesën për nisjen e menjëhershme të hetimeve mbi akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës e kishte bërë, kohë më parë, edhe organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Organizata i sugjeroi EULEX-it krijimin e një ekipi të prokurorëve, të cilët do t'i kryenin hetimet e pavarura dhe gjithëpërfshirëse mbi akuzat për trafikim me organe njerëzore në Kosovë e Shqipëri.

Hulumtuesja në Human Rights Watch, Vanda Troxhinska van Genderen, thotë për Radion Evropa e Lirë se posedimi i informatave, mbi të cilat është bazuar raporti i Martit, do të jetë i rëndësishëm për EULEX-in, por se qëllimi kryesor i hetimeve do të jetë që të zbulohen dhe qartësohen të gjitha akuzat mbi dyshimet për trafikim me organe njerëzore.

Van Genderen thekson se hetimet që janë zhvilluar në të kaluarën lidhur me këtë çështje, nuk kanë mundur t'i heqin në plotësi këto dyshime, për shkak të mungesës së bashkëpunimit të autoriteteve shtetërore në Kosovë e Shqipëri. Ky bashkëpunim, sipas saj, do të jetë i domosdoshëm për hetimet eventuale të EULEX-it.

“Misionit të EULEX-it i duhet shumë më tepër bashkëpunim dhe vullnet politik për të pasur besim, në mënyrë që kjo të bëhet si duhet dhe që ata ta kenë ndjenjën se janë të mbështetur dhe ta kenë bashkëpunimin e nevojshëm”,
shprehet Van Genderen, duke theksuar sërish nevojën për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve - në përgjithësi, por edhe gjatë hetimeve në fjalë.

Kjo temë, ndërkaq, pritet të jetë gjatë së mërkurës në fokus të agjendës së Këshillit të Evropës. Deputeti i Asamblesë së Parlamentare i këtij këshilli, Jean-Charles Gardetto pritet të paraqesë një raport për gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve që ka të bëjë me Kosovën, por edhe disa vende të tjera të dala nga ish-Jugosllavia.

Raporti në fjalë kërkon nga Serbia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova që plotësisht t’i mbrojnë dëshmitarët në proceset për krime të luftës.

Lexoni edhe këtë:

HRW: Prokuror të pavarur për akuzat e Martit

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG