Ndërlidhjet

(S')do të ketë votime në veri!


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pavarësisht rrethanave në veriun e Kosovës, më 12 dhjetor do të hapen vendvotimet edhe në këtë pjesë të vendit, për t’iu siguruar qytetarëve pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare, thonë zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Por, një gjë e tillë, sipas liderëve serbë të veriut, është provokim i hapur ndaj komunitetit që jeton atje.

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se është përpiluar plani operacional për organizimin e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, i cili është aprovuar sot.

“Ne e kemi planin operacional. Ai do të aprovohet sa i përket veriut në tërësi - pra, qendrat e votimit, si ato të rregullta, si ato alternative. E kemi edhe bashkëpunimin me organizatën IFES (Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale), e cila është organizatë e Amerikës dhe e cila po na ndihmon për veriun”, thotë Daka.

Serbët e veriut kundërshtojnë organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, duke i quajtur jolegjitime. Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb për veriun, nuk beson se do të ketë pjesëmarrje të pakicës serbe nga kjo anë, pavarësisht se, siç thotë ai, një e drejtë e tillë nuk i mohohet.

“Mendoj se është e drejtë e secilit që të shfaqë orientimin se a do të marrë pjesë ose jo në procesin zgjedhor. Mendoj se, sa i përket veriut të Kosovës, serbët nuk do të dalin në këto zgjedhje, madje as me përqindje minimale”.

“Konsideroj se është e tepërt dhe e panevojshme të dilet me diçka që mund të shkaktojë shqetësim dhe ndonjë reaksion
”, thotë Ivanoviq.

Kohë më parë, edhe liderët tjerë të serbëve të veriut të Kosovës kanë tërhequr vërejtjen se organizimi i zgjedhjeve dhe hapja e vendvotimeve në këtë pjesë të vendit mund të provokojnë “situata të tendosura”.

Në anën tjetër, politikanët serbë të Kosovës qendrore kanë thënë se ndaj serbëve në veri po bëhen diversione politike dhe frikësime për të mos dalë në zgjedhje.

Por, Ivanoviq e mohon një gjë të tillë. Sipas tij, duhet gjetur zgjidhje për të shmangur tensionimin e situatës.

“Nuk konsideroj se ka kërcënime. Fundja, nëse në mënyrë hipotetike apo më shumë teorikisht, ekziston një grusht i tillë njerëzish që duan të votojnë, le ta bëjnë këtë në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ ose në anën jugore të lumit Ibër dhe në fshatrat shqiptare. Por, unë iu frikësohem demonstrimeve të çfarëdo punkteve”.

“Serbët, ato punkte dhe zgjedhjet në të cilat nuk marrin pjesë Kombet e Bashkuara, OSBE-ja dhe që janë kundër Rezolutës 1244, i konsiderojnë si zgjedhje që i organizojnë institucionet që e rrezikojnë ekzistencën dhe mbijetesën e tyre. Unë mendoj se nuk duhet të provokohet pa nevojë, për të vërtetuar diçka që nuk është e vërtetueshme”, thotë Ivanoviq.

Kryetarja e KQZ-së, zonja Daka, thotë se rreth organizimit të procesit zgjedhor në veri, ekziston bashkëpunimi me organet e rendit dhe të sigurisë në vend.

“Sa u përket kërcënimeve, ato janë çështje të organeve të sigurisë dhe jo tonat. Kemi komunikim shumë të mirë me ata që janë përgjegjës për sigurinë: Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in. Me ta kemi komunikim të vazhdueshëm”, thekson Daka.

Policia e Kosovës tashmë ka bërë të ditur se ka përpiluar planin operativ për veriun e Kosovës, i cili do të zbatohet në tri faza gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Lexoni edhe këtë: Thirrje serbëve për dalje në zgjedhje
XS
SM
MD
LG