Ndërlidhjet

Analistët: Zgjedhjet, më se të nevojshme


Pamje nga arkivi
Pamje nga arkivi
Dorëheqja e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka tronditur skenën politike dhe institucionale të Kosovës, gjë që do të ketë pasoja jo të këndshme për vendin, vlerësojnë analistët e çështjeve politike.

Ismajl Hasani, njohës i rrethanave politike në Kosovë, thotë se situata e krijuar politike i ka vënë politikanët dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës para një sprove, që, sipas tij, është e vështirë për t’u përballuar.

“Dorëheqja e presidentit Sejdiu, përkatësisht interpretimi që i ka bërë Gjykata Kushtetuese e Kosovës rastit Sejdiu, ka shënuar përfundimisht jo vetëm tronditjen e skenës politike në Kosovë, por ka prodhuar edhe një dinamikë, e cila mbase është vështirë që të mbahet nën kontroll nga institucionet e Kosovës, pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”.

“Arsyet janë të shumta, por ndër të parat, është prezenca e vetë faktorit ndërkombëtar në Kosovë, përkatësisht involvimi i drejtpërdrejtë i tij në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë”,
thotë Hasani.

Ndërsa, analisti Driton Lajçi vlerëson se, për shkak të pozitës së Kosovës në skenën politike ndërkombëtare, reflektimi i zhvillimeve të fundit politike dhe, siç e quan ai, kriza e institucioneve, duhen shikuar më thellë.

“Kosovës nuk i është dashur kjo krizë e tanishme dhe nuk do të kalojmë lehtë. Nuk do ta kemi lehtë që të dalim prej kësaj situate të krijuar, për faktin se ne, deshëm apo nuk deshëm, nuk kemi traditë institucionale dhe nuk mund t’i kalojmë me elegancë dhe lehtë krizat që krijohen”.

“Jemi të sfiduar. Mund të ketë edhe konotacione negative. Sa më shpejt që e kalojmë këtë, qoftë me zgjedhje të presidentit të ri, qoftë me zgjedhje të parakohshme, do të jetë më mirë për vetë lidershipin e Kosovës dhe për vetë funksionalizimin e institucioneve të Kosovës”,
thotë Lajçi.

Të dy këta njohës të rrethanave politike vlerësojnë se tronditja e skenës politike në Kosovë do të reflektojë pasoja jo vetëm në politikën e brendshme, por edhe në atë të jashtme, si dhe në proceset që janë në vazhdimësi ose në nismë.

Hasani thotë se Kosova tashmë është me një hendikep të madh për të bërë politikë të jashtme efektive.

“Është e natyrshme që nuk mbeten pa ndikim zhvillimet e fundit, edhe në raport me procesin e lobimit, i cili sigurisht se do të ngecë, për faktin se Kosova tani është me një hendikep të madh”.

“Por, në të njëjtën kohë, edhe karshi përgatitjeve për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht me zyrën e Brukselit, përfshirë edhe elemente të tjera, të cilat mbase mund të afektojnë gjithë rrjedhën e proceseve politike karshi faktorit ndërkombëtar”,
shprehet Hasani.

Mendim të ngjashëm ka dhe analisti Lajçi.

“Kjo do të shkojë në kuotën e argumenteve të atyre vendeve, të cilat kanë qenë të rezervuara për ta njohur pavarësinë e Kosovës, atyre vendeve që kanë filluar të mendojnë se duhet t’i ndryshojnë politikat e veta - sidomos të atyre pesë vendeve të BE-së. Ky është një argument më shumë për ta se duhet të presin”, thotë Lajçi.

Sidoqoftë, analistët thonë se zgjedhjet e parakohshme janë më se të nevojshme për të tejkaluar situatën e tanishme. Hasani vlerëson se ato nuk duhet mbajtur me nguti, ashtu siç pretendojnë, sipas tij, disa subjekte politike të involvuara. Por, megjithatë, shton ai, zgjedhjet nuk duhet as të presin deri në fund të gjashtëmujorit, kur skadon afati i ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës.

Në anën tjetër, analisti politik, Driton Lajçi, thotë se për zgjedhje të parakohshme duhet të sigurohet konsensusi i të gjitha partive politike.

Lexoni edhe këtë:
Kur (s')mund të mbahen zgjedhjet?

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG