Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë të premten se nëse do të kërkohet, ky organ është i gatshëm t’i organizojë zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.
Pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga pozita e presidentit, partitë në pushtet po kërkojnë zgjedhje të hershme. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pas një takimi me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, ka kërkuar që të plotësohen disa kushte, në rast se shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.
“Për të siguruar një proces fer, të lirë dhe transparent, duhet të plotësohen disa kushte që kanë të bëjnë me sigurimin e buxhetit në kohën e duhur, përkrahjen logjistike, çështjet që kanë të bëjnë me listat e votuesve, informimin publik, çështjen e votimit jashtë vendi dhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i Presidencës.
Por, njohësit e procesit zgjedhor janë shprehur skeptikë se KQZ-ja mund të organizojë zgjedhje në afatin prej 45 ditësh.
Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë se, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare elektorale, organizimi i zgjedhjeve merr 4 - 6 muaj kohë.
“Një kohë kaq e shkurtër (45 ditë), sigurisht se do të sjellë vështirësi dhe probleme të caktuara. Por, KQZ-ja duhet të jetë e gatshme edhe për situata të tilla”.
“Në këtë rast nuk mbetet tjetër alternativë, veçse t’i bëjnë përgatitjet në mënyrë të kondensuar, të dendur dhe nëse vjen puna deri te vendimi i tillë, duhet domosdoshmëri emergjente për përgatitjen e tyre”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Mazllum Baraliu.
Disa subjekte politike kanë shprehur shqetësimin se mbajtja e zgjedhjeve brenda 45 ditëve mund të sjellë manipulime, për shkak të kohës së shkurtër të organizimit.
Por, një nga drejtuesit tjerë të KQZ-së, Adnan Merovci, ka vlerësuar se teknikisht zgjedhjet mund të mbahen edhe brenda 45 ditëve. Por, sipas tij, është politika ajo që do të diktojë mbarëvajtjen e tyre.
“Çështja është e lidhur me vullnet politik. Zgjedhjet mund të organizohen edhe në afat të shkurtër. Kosova ka kapacitete dhe ka ekipin e trajnuar qe sa vite. Probleme mund të ketë dhe mund të dalin”.
“Janë procedurat e ankimimit që mund ta zvarrisin procesin në përgjithësi, por teknikisht zgjedhjet mund të mbahen. Krejt i ka në dorë politika, sepse vetë KQZ-ja është politike dhe duke qenë ashtu, ata mund të nxjerrin probleme”, është shprehur Merovci.
Në anën tjetër, juristi Mazllum Baraliu ka vënë në pah se infrastruktura ligjore për zgjedhjet e përgjithshme nuk ka përfunduar, ndërsa reforma zgjedhore, sipas tij, është e domosdoshme.
“Zgjedhjet e fundit treguan se infrastruktura ligjore është jashtëzakonisht konfuze dhe jokomplete. Ligjet në fuqi, sidomos Ligji për zgjedhjet qendrore, i cili tash duhet të bazohet katërcipërisht në këto zgjedhje, është i mangët, i dëmshëm, i pazbatueshëm, konfuz dhe kontradiktor. Duhet ndryshuar me urgjencë ligjin në fjalë”, ka theksuar Baraliu.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar, edhe pse të përgatitura në afat optimal, patën dalë parregullsi, si pasojë e të cilave zgjedhjet qenë përsëritur në disa komuna të Kosovës.
Sipas ish-drejtuesve të KQZ-së, afati i shkurtër mund të shkaktojë probleme të njëjta. Zgjedhjet e ardhshme kombëtare do të jenë të parat që mbahen në Kosovën e pavarur.