Ndërlidhjet

AKI në pritje të kompletimit


Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës thonë se kjo agjenci është duke funksionuar, edhe pse ende nuk është kompletuar i gjithë stafi i saj. Por, ekspertët e sigurisë pasojat e mosfunksionalizimit i konsiderojnë të mëdha.


Agjencia Kosovare e Inteligjencës vazhdon ta ketë të pakompletuar stafin punues. Drejtuesit e kësaj agjencie thonë se pavarësisht moskompletimit të stafit, agjencia është funksionale.

Drejtori i këtij institucioni, Bashkim Smaka, pohon se shumë shpejt do të kompletohet i gjithë stafi në AKI.

“Siç e dini, që nga emërimi im ka filluar funksionimi i kësaj agjencie, mirëpo me kapacitetet minimale. Tash janë duke u bërë të gjitha përgatitjet që agjencia të kompletohet edhe me numrin tjetër të stafit. Janë bërë të gjitha përgatitjet e mundshme që të shpallen konkurset e para; shumë shpejt pritet të fillohet me rekrutimin e parë të stafit të agjencisë”, tha Smaka.

Nga ana tjetër, ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë së agjencia nuk është duke funksionuar. Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se janë të pakuptimta deklaratat e zyrtarëve të institucioneve se agjencia është duke funksionuar.

“Fillimisht dua të theksoj se këtu nuk bëhet fjalë për funksionimin e agjencisë, por bëhet fjalë për mosfunksionimin e agjencisë. Është e ditur se përveç shefit të kësaj agjencie, organet tjera nuk janë caktuar apo persona tjerë që duhet të veprojnë aty, si dhe ndonjë sensibilizim të mirëfilltë nga organet qeveritare dhe nga presidenti nuk ka pasur”, tha Qehaja.

Përveç emërimit të drejtorit, në këtë institucion nuk janë emëruar zyrtarë të tjerë përgjegjës, me të cilët do të kompletohej struktura udhëheqëse e këtij mekanizmi.

Drejtori i AKI-së, zoti Smaka, thotë se emërimi i zëvendësdrejtorit dhe kryeinspektorit nuk është çështje e tij, por e Presidencës dhe e Qeverisë.

“Kjo është çështje e presidentit dhe e kryeministrit me ligj. E di që është një listë shumë e ngushtë, që presidenti dhe kryeministri janë në kontakte të vazhdueshme rreth emërimit të këtyre dy pozitave. Shpresoj që shumë shpejt do të bëhet edhe ky emërim”.

“Por, të them të drejtën, unë kam pritur para dy javëve të behët ky emërim, mirëpo për disa shkaqe të tjera teknike, siç duket, e kanë shtyrë edhe për disa ditë këtë emërim”,
deklaroi Smaka.

Por, zyrtarë të qeverisë kanë thënë se për emërimin e zëvendësdrejtorit dhe kryeinspektorit të AKI-së, me emra do të dilet shpejt.

Ndryshe, eksperti Qehaja, vonesën e fillimit të funksionimit dhe emërimit të zyrtarëve të lartë në këtë institucion e sheh si çështje që po ndikohet nga politika.

“Tjetër shpjegim nuk mund të kemi, përveç asaj që kjo agjenci të jetë partiake, gjë që është shumë negative dhe mund të ketë perkusione shumë të rrezikshme në të ardhmen, nëse mendohet se ajo agjenci duhet t’i përkasë një partie apo partisë tjetër”.

“Unë mendoj se urgjentisht duhet të shqyrtohet kjo çështje dhe të ndërpritet kjo praktikë e heshtjes, pritjes, momentit, që të gjenden njerëzit ‘e përshtatshëm’ për të kryer këtë detyrë sipas tekeve të disave, të cilët mendojnë se e kanë bahçe të vetën këtë - ky është një gabim shumë i madh”,
u shpreh Qehaja.

Kosova është në një situatë në të cilën funksionimi i Agjencisë së Inteligjencës është shumë i domosdoshëm, kur kihet parasysh gjendja e sigurisë në vend, thonë ekspertët. Zoti Qehaja thotë se Kosova është e mbuluar me shumë agjenci të huaja inteligjente.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG