Ushtruesja e detyrës së shefit të policisë së Kongresit, Yolanda Pittman, tha se forcat e sigurisë nuk kanë arritur të përgatiten për kryengritjen e dhunshme më 6 janar, pavarësisht paralajmërimeve se supremacistët e bardhë dhe grupet e ekstremit të djathtë do të sulmojnë Kongresin.
Përkundër “potencialit të madh për dhunë”, forca nuk u përgatit në mënyrë adekuate për një “sulm terrorist”, tha Pittman.
“E kemi ditur se grupe të milicive dhe organizata të supremacistëve të bardhë do të merrnin pjesë. Po ashtu e kemi ditur se disa nga këta pjesëmarrës do të sillnin armë zjarri dhe armë të tjera në ngjarje”, tha Pittman përpara anëtarëve të Kongresit, sipas deklaratës së saj me shkrim.
Ndër hapat e gabuar që ajo renditi ishte dështimi për të pasur oficerë të mjaftueshëm në detyrë dhe dështimi për të pasur një plan adekuat komunikimi për krizën.
“Jam këtu për të kërkuar falje në emër të Departamentit. Departamenti nuk arriti t’i përmbushë standardet e tij të larta, ashtu si edhe tuajat”, tha Pittman.
SHIKONI EDHE: Biden: Protestat në Kongres, një prej ditëve më të errëta në historinë e SHBA-sëSipas saj, 1,200 oficerët në detyrë atë ditë, “nuk përkonin” me “dhjetëra mijëra kryengritës” që sulmuan Kongresin.
Pittman u emërua shefe e përkohshme e Policisë së Kongresit pasi Steven Sund dha dorëheqje pas trazirave. Rreshterët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit gjithashtu u larguan.
Pittman mori përgjegjësinë për gabimet dhe u zotua se do të punojë më mirë dhe se do të bëjë ndryshime.
Pittman ishte në mesin e disa zyrtarëve të FBI-së, Gardës Kombëtare, Departamentit të Drejtësisë dhe agjencive të tjera, që informuan Komitetin e Dhomës që po heton ngjarjet e 6 janarit.
SHIKONI EDHE: McConnell: Trump provokoi turmën në KongresPërfaqësuesi demokrat i Kongresit, Tim Ryan, u tha gazetarëve se oficerët e policisë që ruanin Kongresin, u urdhëruan të mos përdorin forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve.
“Kjo ishte direktiva që u dha”, tha Ryan, duke shtuar se bllokada e urdhëruar në Kongres dhe në ndërtesat ngjitur, nuk u zbatua plotësisht.
Ryan tha se ka ende shumë pyetje pa përgjigje dhe se tash për tash janë duke u zhvilluar disa hetime.
Zyrtarët kanë arrestuar më shumë se 150 njerëz deri më tani.
Mbështetësit e Trumpit e sulmuan ndërtesën e Kongresit pas thirrjeve të Trumpit në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë, për të shkuar atje.
Në atë kohë, ligjvënësit amerikanë ishin mbledhur në Kongres për të certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
SHIKONI EDHE: E djathta ekstreme në Evropën Lindore dhe Ballkan përkrah dhunën në SHBA“Nëse nuk luftoni si ferr, nuk do të keni më shtet”, u ka thënë Trump mbështetësve.
Ai po ashtu u ka thënë atyre të protestojnë në mënyrë paqësore, por i ka inkurajuar të shkojnë në Kongres, që t’iu dëgjohet zëri. Pesë vetë kanë mbetur të vdekur në trazira.
Dhoma e Përfaqësuesve më pas ka votuar për shkarkimin e Trumpit, nën akuzat për nxitje të kryengritjes.
Gjyqi në Senat është planifikuar të fillojë javën e 8 shkurtit, edhe pse mandati presidencial i Trumpit tashmë ka përfunduar.
SHIKONI EDHE: Çfarë pas padisë kundër Trumpit nga Dhoma e Përfaqësuesve?Që nga sulmi, siguria rreth Kongresit dhe në Uashington në përgjithësi është rritur.
Rreth 5,000 trupa të Gardës Kombëtare do të mbeten në kryeqytetin amerikan deri në mes të marsit.