Ndërlidhjet

Biden: Protestat në Kongres, një prej ditëve më të errëta në historinë e SHBA-së


Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka kritikuar të enjten presidentin, Donald Trump, teksa i ka përshkruar protestat e 6 janarit në Kongres si një nga ditët “më të errëta” në historinë amerikane.

Më 6 janar, protestues të dhunshëm, mbështetës të Trumpit, u futën në ndërtesën e Kongresit, ku po mbahej mbledhja e përbashkët për konfirmimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020.

“Ai ndërmori një sulm ndaj institucioneve të demokracisë sonë që prej fillimit”, tha Biden, duke iu referuar presidentit në largim, Trump.

Sulmi në Kongres ishte “një nga ditët më të errëta të historisë sonë si shtet”, shtoi ai.

Biden po ashtu ka kritikuar autoritetet se u janë përgjigjur më butë protestuesve pro-Trumpit sesa protestuesve kundër racizmit, të cilët vitin e kaluar, gjatë protestave në Uashington, u shpërndan me forcë nga policia.

“Askush nuk mund të thotë se nëse do të kishte qenë grupi i Black Lives Matter (Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi) që protestonin dje .... ata do të ishin trajtuar shumë, shumë më ndryshe sesa turma e banditëve që sulmuan Kongresin. Ne të gjithë e dimë se kjo është e vërtetë dhe është gjë e papranueshme”, tha Biden.

Autoritetet thanë se katër persona vdiqën në ngjarjet e dhunshme në Uashington.

Ndonëse për disa orë Kongresi ndërpreu seancën, punimet vazhduan më vonë, ku Biden u konfirmua si fitues i zgjedhjeve amerikane.

Biden pritet të inaugurohet si president i SHBA-së më 20 janar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG