Autoritetet në rajonin Belgorod në perëndim të Rusisë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme rajonale, pasi forcat ukrainase janë duke çarë përpara në inkursionin e tyre në rajonin fqinj, Kursk.
“Gjendja në rajonin tonë Belgorod mbetet tejet e vështirë dhe e tensionuar”, shkroi në telegram guvernatori i këtij rajoni, Vyacheslav Gladkov.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës po kryejnë granatime ditore. Shtëpi janë dëmtuar dhe civilë janë vrarë dhe plagosur”, shtoi ai.
Më herët, Belgorodi njoftoi evakuimin e mijëra civilëve nga qarqet në kufi me Ukrainën dhe me rajonin e Kurskit.
Moska e ka deklaruar një “operacion antiterrorist” në rajonet Kursk, Belgorod dhe Briansk.
SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se ka nën kontroll 74 vendbanime në rajonin Kursk të RusisëNdihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i cili mbërriti në Kiev më 13 gusht, u takua me kryetarin e administratës presidenciale, Andriy Yermak. Zyra e presidentit Volodymyr Zelensky tha se ata biseduam për gjendjen në fushëbetejë dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, shkroi në X se vizita e O’Brien dërgoi “sinjal të fuqishëm se mbështetja amerikane për Ukrainën mbetet e palëkundur”.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se 37 dronë ukrainas janë “shkatërruar” mbi rajonin e Voronezhit, disa qindra kilometra në jugperëndim të Moskës.
Guvernatori rajonal i Voronezhit, Aleksandr Gusev, tha se nuk u raportua për viktima, por disa ndërtesa banimi janë dëmtuar.
Ministria tha se në përgjithësi 117 dronë dhe “katër raketa taktike” janë lëshuar kundër Rusisë gjatë natës, përfshirë 37 që raportohet se u “shkatërruan” mbi rajonin e Kurskit.
Televizioni shtetëror ukrainas transmetoi të mërkurën pamje të ushtarëve ukrainas duke hequr flamurin rus nga një ndërtesë në qytezën Sudzha të rajonit të Kurksit, i cili ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit mes dy vendeve.
Kryetari i qarkut të Sudzhas tha për agjencinë shtetërore të lajmeve, TASS, se evakuimi i civilëve nga kjo zonë po vazhdon dhe se situata mbetet e “vështirë”.
Nuk është e mundur të verifikohen pretendimet nga fushëbetejat.
Forcat ukrainase e filluan një inkursion befasues në rajonin e Kurskit më 6 gusht dhe i kanë kapur rreth 1.000 kilometra katror territor dhe qendra të shumta banimi.
SHIKONI EDHE: Putin: Me inkursionin në Kursk, Ukraina po tenton ta ndalë ofensivën ruse në DonbasKryeministri i Finlandës, Peterri Orpo, tha në Helsinki se Ukraina “ka të drejtë për t’u vetëmbrojtur dhe është e qartë se ata mund ta kryejnë operacionin në Kursk”.
Kryekomandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha të martën vonë se forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll 74 vendbanime në rajonin Kursk të Rusisë.
Gazeta amerikane Wall Street Journal raportoi të martën, duke cituar zyrtarë amerikanë, se Rusia i ka dërguar disa prej forcave të veta nga Ukraina në rajonin e vet Kursk, për ta mbrojtur nga inkursioni ukrainas.
Zyrtarët thanë se nuk është e qartë se sa trupa janë dërguar nga Ukraina në Kursk, apo se çfarë ndikimi mund të ketë kjo në luftimet në Ukrainë.