Ekipet e zjarrfikësve nga disa komuna janë duke bërë përpjekje për t’i shuar zjarret në Parkun Nacional në Prevallë, në jug të Kosovës, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB).
Ministria tha se zjarret nuk përbëjnë rrezik për jetën e banorëve dhe as për pasuritë e tyre në Prevallë, një fshat në komunën e Prizrenit në Malet e Sharrit.
Ajo tha se përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll dhe të lokalizuar zjarrin vazhdojnë nga kapacitetet e komunës së Prizrenit, e cila po ndihmohet edhe nga ekipet e zjarrfikësve nga tri komuna të tjera.
“Agjencia për Menaxhimin Emergjent njofton të gjithë qytetarët se në situatën e krijuar nga zjarri në sipërfaqe të hapur në parkun nacional në Prevallë, aktualisht janë në operacione për fikjen e zjarrit nga toka, përveç Njësisë së Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit nga Prizreni, edhe Njësitë e Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit nga Gjakova, Prishtina dhe Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, pjesëtaret nga Parku Nacional Prevallë dhe Shërbimi Emergjent Mjekësorë nga Prizreni janë duke i mbështetur përpjekjen e shuarjes së zjarrit, tha ajo.
Ministria nuk tregoi se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, apo kur u ndiz ai.
SHIKONI EDHE: Lokalizohen zjarret në Parkun Kombëtar të SharritPrevalla është një vendpushim skijimi dhe fshat turistik, i cili është afërsisht 30 kilometra larg Prizrenit, dhe rreth dymbëdhjetë kilometra nga Brezovica, qendra më e madhe e skijimit në Kosovë.
Javën e kaluar, Parku Kombëtar i Sharrit u përballë me zjarre, të cilat u shuan me kohë.
Gjatë fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, vendet fqinje të Kosovës, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë përballur me zjarre të mëdha.