Në Parkun Kombëtar të Sharrit janë lokalizuar vatrat e zjarrit.
Drejtori i këtij parku, Bajram Kafexholli, tha të premten se 80 për qind e zjarrit është shuar ditën e enjte, pas reshjeve të shiut në këtë zonë.
“Ekipet tona dhe zjarrfikësit e komunës së Prizrenit, sot gjenden në terren dhe janë duke lokalizuar vatrat e vogla të zjarrit që kanë mbetur”, tha Kafexholli për Radion Evropa e Lirë.
Parku Kombëtar i Sharrit, është përfshirë nga zjarri më 5 gusht.
Përgjegjësit e parkut, më 8 gusht, kanë kërkuar ndihmën e forcave paqeruajtëse në Kosovë KFOR, Forcën e Sigurisë se Kosovës (FSK) dhe institucioneve të tjera për intervenim nga ajri me helikopterë.
“Dje situata ka qenë alarmante”, theksoi Kafexholli duke shpjeguar se terreni është i rrezikshëm dhe është e pamundur që të shuhet zjarri nga toka.
“Falë reshjeve të shiut, sot nuk ka nevojë as për KFOR-in dhe as për FSK-në”, tha ai.
Sharri është Parku i parë Kombëtar i shpallur në Kosovë, në vitin 1986. Ai menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar Sharri, dhe të disa ligjeve mbështetëse, që kanë të bëjnë me mjedisin, natyrën dhe pyjet.
Lexoni edhe këto: Shqipëria thotë se janë izoluar plotësisht zjarret në Shëngjin
Nëntë zjarre aktive në Maqedoninë e Veriut