Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha se situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes, “pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren si dhe ndërhyrjes së dy avionëve Canadair të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile”.
“Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset. Në orët e para të mëngjesit të nesërm do të fillojë sërish ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane dhe nga toka e qindra forcave operacionale”.
Pasditen e së martës, zyrtarë të bashkisë së Lezhës kanë thënë se është djegur një biznes privat në afërsi të plazhit te Rana e Hedhun në zonën turistike të Shëngjinit.
Zjarri ka kapluar çadrat dhe rrethojën në kompleksin turistik Inheritor, që gjendet pranë portit të Shëngjinit, në zonën që njihet si Rana e vogël. Në të kaluarën kjo ka qenë zonë ushtarake.
Sipas raportimeve, disa turistë janë larguar.
Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor, për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe helikopteri Cougar, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në atë pjesë.
Sipas autoriteteve, me kohë janë marrë masa për evakuimin e banorëve, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.
Gjatë së hënës operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me rreth 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa të martën pos helikopterit Cougar, janë angazhuar edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevoje për evakuim derisa kanë shprehur mirënjohje për partnerët e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për ndihmën e dhënë.
Paraditen e së martës autoritetet në Shqipëri raportuan për përhapje zjarresh në qytetin bregdetar të Shëngjinit, ndërsa thanë se po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve.
Flakët në fshatin Mali i Shëngjinit kanë nisur që nga e shtuna pasdite dhe zjarri është rindezur në mëngjesin e hënës.
Për shkak të erës, izolimi i vatrave të zjarrit aktualisht është i pamundur.
Në njoftimin e Prefekturës së Lezhës, mëngjesin e së martës, theksohet se “vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin ka dalë plotësisht jashtë kontrollit”.
Sipas njoftimit, gjatë gjithë natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me personelin përkatës në përpjekje për të lokalizuar flakët.
Pos nga Lezha, mjetet zjarrfikëse kanë mbërritur edhe nga Mirdita, Tirana, Kamza, Berati, Fieri, Lushnja, Vau i Dejës, si dhe Shkodra.
“Me mjetet dhe efektivët zjarrfikës po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve, deri tani është bërë e mundur që këto objekte të mos preken nga zjarri”, është thënë në njoftimin e Prefekturës duke theksuar se pavarësisht angazhimit të të gjitha këtyre forcave, është e pamundur vënia nën kontroll e zjarrit, dhe si rezultat rrezikohen shumë biznese, por dhe shtëpi banimi.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Taulant Balla, ka shkruar në rrjetin social Facebook se situata është tepër e vështirë.
“Policia e Shtetit, përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë, po evakuon banorët", ka bërë të ditur Balla mbrëmë pas mesnate.
Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se në 24 orët e fundit ishin verifikuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 22 janë shuar.
Mbrëmjen e së hënës është shuar zjarri në fushën e grumbullimit të mbeturinave në periferi të Vlorës, që ishte aktiv prej disa ditësh. Për vënien nën kontroll të kësaj vatre zjarri është nevojitur ndërhyrja e ushtrisë.
SHIKONI EDHE: Ushtria e Shqipërisë angazhohet për shuarje të zjarreve në VlorëZjarri shkaktoi re të mëdha tymi dhe erë të pakëndshme, të cilat u përhapën në gjithë qytetin e Vlorës në kulmin e sezonit turistik.
Autoritetet kanë bërë të ditur se 1.300 zjarrfikës në gjithë vendin nuk e përballojnë situatën e zjarreve.