Rënia e lirës pritet të ulë çmimet e produkteve turke në Maqedoni

Këmbimore në Stamboll.

Kriza me valutën turke nuk do të ketë ndonjë ndikim të dukshëm në ekonominë e Maqedonisë, theksojnë nga sektori i biznesit në vend, megjithëse shtojnë se nëse vazhdon rënie e lirës turke, atëherë në tregjet e Maqedonisë, prodhimet turke do të mund të gjenden me çmim të ulët. Kjo sipas sektorit të biznesit, do të rrisë deficitin e këmbimin tregtar mes Shkupit dhe Ankarasë.

Edhe Banka Popullore e Maqedonisë përmes një komunikate për mediat ka bërë të ditur se “nuk priten efekte negative direkte ndaj ekonomisë së vendit nga ngjarjet në Turqi, me zhvlerësimin e lirës turke”.

Banka Popullore e Maqedonisë po ashtu thekson se “nuk priten efekte të mëdha të pavolitshme as në pjesën e turizmit”, sepse, siç thuhet në komunikatë, “sezoni turistik është në kulmin dhe aranzhimet tashmë janë bërë”.

Drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Drilon Iseni thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza me valutën turke mund të ketë ndikim në rritjen e deficitit tregtar mes Maqedonisë dhe Turqisë.

“Fakt është se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Turqisë është rritur për 23.6 për qind, përkatësisht në vlerë prej 156 milionë dollarëve. Vërehet rritje si në importin, ashtu dhe në eksportin e produkteve. Në rastin e importit, kriza me valutën turke do të ndikojë në të mënyrë që produkte që merren nga Turqia, kompanive të vendit do t’u kushtojnë më lirë, përkatësisht zhvlerësimi i lirës, mallrat turke i bën më të lira për tregtarët”.

“Ajo që mund të evidentohet si ndikim direkt nga kriza me valutën turke është problemet që mund t’i kenë investitorët turq, që janë në numër më të madh në Maqedoni. Për momentin jemi duke ndjekur me vëmendje situatën dhe presim se si do të zhvillohen gjërat në javët në vijim”, thotë Iseni.

Ilustrim

Ndërkaq, kryetari i Konfederatës së Punëdhënësve, Mile Boshkov, për Radion Evropa e Lirë thotë Maqedonia si shtete nuk do të ketë pasoja të dukshme nga zhvlerësimi lirës turke edhe pse Maqedonia dhe Turqia janë mjaft të lidhura përmes bizneseve të shumta.

“Kompanitë turke të cilat veprojnë në Maqedoni, ato të cilat kanë investuar këtu janë kompani multinacionale dhe disponojnë me kapital të madh dhe në këtë kontekst do të thosha se nuk e kanë vështirë të përballen me rreziqe të tilla, që janë rezultat i politikës së jashtme të Turqisë”, thotë Boshkov.

Ndryshe, këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Turqisë brenda një viti tejkalon vlerën prej 400 milionë dollarësh.