Infrastruktura e pakompletuar e pengon zhvendosjen në Hade të Re

Your browser doesn’t support HTML5

Banorët e zhgënjyer nga toka e premtuar në Hade të Re

Tri shtëpi në fshatin Hade të Obiliqit po qëndrojnë të rrethuara me ekskavatorë e pluhur nga mihja për qymyr në këtë zonë.

Gani Grajqevci së bashku me vëllezërit e tij jetojnë në këto shtëpi në një fshat thuajse tërësisht të evakuuar.

Grajqevci është pjesë e projektit të zhvendosjes së banorëve nga fshati Hade për t’i lënë vend mihjes së qymyrit nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Brenda këtij projekti, vitin e kaluar ai ka nënshkruar kontratë për t’u larguar nga shtëpia e tij në Hade dhe për të ndërtuar shtëpinë e re në lagjen Hade e Re.

Nëse gjithçka do të shkonte në rregull, ai me paratë e kompensuara nga shtëpia e vjetër ishte paraparë që të përfundonte ndërtimin e shtëpisë dhe të jetonte në lagjen e re në Shkabaj.

Megjithatë, në këtë lagje Grajqevci nuk gjeti infrastrukturë të nevojshme për ta përfunduar ndërtimin e shtëpisë e as për të jetuar.

Gani Grajqevci

“Edhe nëse arrijmë sot të bëhen shtëpitë, këtu ne nuk mund të jetojmë se nuk e kemi as ujin, as rrymën e as kanalizimin”, shprehet Grajqevci.

Në këtë situatë, Grajqevci thotë se me familjen po jetojnë në Hade ende, edhe pse ndihen të rrezikuar dhe nuk kanë asnjëherë qetësi nga zhurma e ekskavatorëve.

“Kemi jetuar si është më së keqi, me frikë nga gjithçka”, tregon Grajqevci.

Mundim e shpenzime po i shkakton kjo situatë edhe banorit tjetër, Ruzhdi Mirenës.

Ai thotë se për shkak të mungesës së rrymës nuk po mund të banojë në shtëpinë e re, prandaj është duke jetuar me qira në Fushë Kosovë.

Mirena tregon se për ndërtim përdorën gjeneratorë e ndonjëherë edhe kyçje të përkohshme në trafon furnizuese të fqinjëve.

E, përveç rrymës, këta banorë të zhvendosur nga Hadja ankohen për rrugë të pashtruara, puseta të hapura dhe sistem jofunksional të kanalizimit.

“Këtu është rrezik që të bien nxënësit, tre metra është thellësia e pusetave, janë të hapura. Dhjetë herë iu jemi drejtuar: Mbyllini këto puseta. [Na kanë thënë] Po, po e bëjmë e asgjë fare”, thotë Mirena.

Ankesat e banorëve “në vesh të shurdhër”

Duke parë gjendjen e lagjes dhe pamundësinë për banim, banorët thonë se janë ankuar në të gjitha institucionet që janë të përfshira në procesin e zhvendosjes së banorëve nga Hadja, por zgjidhje nuk u është bërë.

Ruzhdi Mirena

Ruzhdi Mirena thotë se po planifikojnë që t’i padisin institucionet e përfshira në këtë projekt.

Procesi i marrjes së tokave në Zonën “Fusha e Mihjes së Re’’, realizohet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-Sh.A) si bartëse e projektit përmes Kornizës së Politikave për Zhvendosje e miratuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës në vitin 2011.

Sipas këtij dokumenti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ( MMPHI), ka rolin e monitorimit të procesit të zhvendosjes, ndërsa deri në vitin 2016 ka pasur nën administrim edhe lokacionin Hade e Re në Shkabaj, të cilin lokacion e ka ndërtuar kjo ministri.

SHIKONI EDHE: Arrihet marrëveshja për shpronësim me banorët e fshatit Hade dhe Shipitullë

Megjithatë, sipas kësaj ministrie, i tërë administrimi dhe menaxhimi i lokacionit Hade e Re në Shkabaj, i është dhënë Komunës së Obiliqit më 24 tetor 2017.

“Sa i përket ndërtimit të infrastrukturës në vazhdimësi, kompetente është Komuna e Obiliqit së bashku me KEK-un, të cilët duhet të kujdesen për financim, investim, mirëmbajtje etj…”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se nga banorët në lokacionin Hade e Re, në fshatin Shkabaj, ka pranuar kërkesën për vendosjen e trafos, e cila ishte vendosur nga KEK-u vite më parë, por “ishte vjedhur nga persona të papërgjegjshëm”.

“Aktualisht, kjo çështje është në procedurë e sipër”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa, sa i përket infrastrukturës tjetër përcjellëse, KEK-u tha se në bashkëpunim me institucionet tjera do të angazhohet që kjo çështje sa më parë të realizohet.

Komuna e Obiliqit deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Mihja e thëngjillit në afërsi të Hades.

Nevoja për qymyr dhe zhvendosja problematike

Hadja dhe Shipitulla, dy fshatra të Obiliqit ishin shpallur zona me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës, për t’u rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009.

Megjithatë, procesi i shpronësimit të pronave në këtë zonë ishte përcjellë me shumë probleme.

Your browser doesn’t support HTML5

Zhvendosjet në komunën e Obiliqit


Edhe pse pas shpalljes së një zone me interes nacional, nuk lejohen ndërtime shtesë, vetëm në Shipitullë gjatë viteve të fundit ishin ndërtuar më shumë se 200 shtëpi.

Në vitin 2017, KEK-u kishte paralajmëruar një krizë të mundshme energjetike për shkak të rezervave të vogla të qymyrit dhe problemeve me shpronësim të tokave në Obiliq.

Shtëpi të braktisura afër zonës së mihjes së thëngjillit...

Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës. Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kapaciteti total i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2020 është 1110 megavat, prej të cilit 86.5% janë nga termocentralet me qymyr.

Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t'u shfrytëzuar.