Si votuan serbët e Kosovës?

Serbët e Kosovës qëndrojnë në radhë në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdarë, Kosovë, 17 dhjetor 2023. Ata udhëtuan me autobusë dhe automjete nga pjesë të ndryshme të Kosovës për të votuar për zgjedhjet parlamentare në Serbi të dielën.

Mirosllav Radomiroviq nga Mitrovica e Veriut - komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës - thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mori “mbështetjen absolute” të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 17 dhjetorit, por se askush në qytetin e tij nuk e di se “kush janë ata që e kanë votuar”.

Ai thotë se bashkëqytetarët e tij e përmendin Vuçiqin vetëm në “aspektin negativ”, për shkak të të gjitha ngjarjeve dhe krizave në veri të Kosovës, viteve të fundit.

“Ndjejmë aq shumë trishtim e zemërim që nuk kemi mundur të votojmë këtu [në territorin e Kosovës], por në Rashkë. Do të ishte më mirë që askush nga ne të mos shkonte atje për të votuar”, thotë Radomiroviq për Radion Evropa e Lirë.

Një grup serbësh nga Kosova duke shkuar në një qendër votimi në qytetin jugor serb të Rashkës, afër kufirit me Kosovën, më 17 dhjetor 2023, gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Serbi.


Qeveria e Kosovës nuk lejoi që zgjedhjet e Serbisë të mbahen në territorin e Kosovës pa një kërkesë të drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar. Kështu, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova - disa të organizuar me autobusë, e disa me makina private - votuan në qytetet kufitare të Serbisë: Kurshumli, Rashkë, Vranjë dhe Tutin.

Your browser doesn’t support HTML5

Serbët e Kosovës udhëtojnë të organizuar drejt kutive të votimit në Serbi

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë, të drejtën e votës në këto qytete e shfrytëzuan 23.878 votues nga Kosova, ose rreth 25 për qind e atyre me të drejtë vote.

Gati 72 për qind ose rreth 17 mijë prej tyre votuan listën “Serbia nuk duhet të ndalet”, e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përqindje të ngjashme të mbështetjes nga serbët e Kosovës përmendi edhe vetë Vuçiq, mbrëmjen e 17 dhjetorit.

Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, Lista zgjedhore “Ivica Daçiq - kryeministër i Serbisë” mori rreth 9 për qind të votave të votuesve nga Kosova, ndërsa lista “Serbia kundër dhunës” 4.36 për qind.

Mbështetja për Vuçiqin në zgjedhjet e kaluara

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Serbisë, në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në prill të vitit të kaluar në Serbi, Aleksandar Vuçiq mori rreth dhjetë për qind mbështetje më shumë, gjegjësisht rreth 80 për qind të votave të serbëve në Kosovë. Në atë kohë votuan gati 20 mijë votues, ose 20 për qind e numrit të përgjithshëm, ndërsa për Vuçiqin votuan 15.851.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën edhe në prill të vitit 2022, ku lista “Aleksandar Vuçiq - Së bashku mund të bëjmë gjithçka” mori rreth 12 mijë vota të votuesve nga Kosova, ose rreth 64 për qind.

Çfarë thonë tjetër qytetarët e Kosovës?

Radovani nga Mitrovica e Veriut beson se Vuçiq “është më bindës” kur bëhet fjalë për elektoratin në Kosovë.

“Populli është i pakënaqur, jeta është e vështirë, politika ka hyrë në çdo shtëpi, ka përçarje brenda një familjeje. Së dyti, pensionistët jetojnë shumë keq, çmimet po rritet, fëmijët nuk kanë ku të punojnë”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: Temat “kombëtare” dominojnë fushatën zgjedhore në Serbi

Ai thotë se “as Vuçiq nuk ka shkop magjik”, por se “ne nuk e dimë më çfarë të mendojmë”.

Dragica, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, beson se Vuçiq e ka mbështetjen absolute të serbëve nga Kosova dhe shpreson për një të ardhme më të mirë.

Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe Momirka nga Graçanica - komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës.

Sipas saj, këto rezultate preliminare, në fakt, tregojnë se “serbët nga Kosova i besojnë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”. Ajo shfaq shpresën se ai “do të vazhdojë me politikë të mirë”.

“Unë pres që të përmirësohet… po bëhet më mirë, por nuk mund të bëhet menjëherë”, thotë ajo.

Dragani thotë se nuk sheh ndonjë perspektivë më të mirë. Sipas tij, “është bërë rutinë” që serbët nga Kosova të votojnë për Vuçiqin dhe partinë e udhëhequr deri vonë prej tij - Partinë Përparimtare Serbe.

I pyetur se çfarë pret, ai thotë: “absolutisht asgjë”, por shton se “do të donte që institucionet serbe të mbijetonin në Kosovë”.

Si votojnë serbët e Kosovës?

Politologu serb, Ognjen Gogiq, thotë se serbët nga Kosova, në përgjithësi, votojnë për partinë në pushtet në Serbi dhe në këtë kontekst, shton ai, Vuçiq e ka mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës.

“Por, nga ana tjetër, duhet t’i kemi parasysh rrethanat në të cilat u zhvillua ky votim, e që nuk janë specifike vetëm për serbët e Kosovës, por edhe për qytetarët në Serbi. Pra, bëhet fjalë për lirinë që kanë qytetarët për të vendosur se kujt t’ia japin votën”, thotë Gogiq.

Ai shton se serbët në Kosovë as që kanë pasur mundësi të shprehin mbështetje për opozitën, sepse “janë të varur financiarisht nga Beogradi”.

SHIKONI EDHE: Banorët serbë të Kosovës organizohen për të votuar në Serbi

Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucione të Serbisë dhe pagat e punëtorëve të tyre ndahen nga buxheti i Serbisë.

Më 14 dhjetor, Radio Evropa e Lirë shkroi për disa pretendime se këto institucione janë “angazhuar” për të mbledhur mbështetje për Vuçiqin.

Gjithashtu, më 7 dhjetor, shefi i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, ndau publikisht mbi 200 kontrata me afat të pacaktuar, përkatësisht mbi 200 punëtorë u futën në marrëdhënie të përhershme pune.

SHIKONI EDHE: "Mobilizim" i serbëve nga Kosova në mbështetje të Vuçiqit


Ellek, në fund të tetorit, u zgjodh kryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe.

Gjatë dhënies së kontratave, ai u bëri thirrje punonjësve të Qendrës Klinike Spitalore që më 17 dhjetor të jenë të bashkuar dhe “të mos e lejojnë Serbinë të ndalet”.

REL-i u përpoq të merrte një koment nga Elleku për rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, por pa sukses. Ndërkohë, ai u tha mediave lokale se rezultatet nuk e befasuan, sepse “serbët nga Kosova i besojnë presidentit Vuçiq”.

A do të ndryshojë politika ndaj Kosovës?

Politologu Ognjen Gogiq thotë se Serbia dhe Qeveria e re do të duhet t’i zbatojnë obligimet e tyre nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, i cili zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Vuçiq, në njëfarë mënyre, është përpjekur “të blejë kohë” gjatë zgjedhjeve, për të shmangur zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, që për synim ka normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

SHIKONI EDHE: Serwer: Rezultati i zgjedhjeve në Serbi s'është shenjë e mirë për Kosovën

Ky dokument u pranua nga të dyja palët në shkurt, ndërsa për aneksin e zbatimit ato u dakorduan në muajin mars, në Ohër.

Por, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Përparimtare Serbe kanë thënë se “nuk do të lejojnë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

“Serbia do që ta shtyjë përmbushjen e obligimeve të saj deri në momentin kur vëmendja e komunitetit ndërkombëtar të mos përqendrohet në Kosovë”, thotë Gogiq, duke aluduar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në SHBA dhe për Parlamentin Evropian.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha të hënën se serbët nga Kosova “e përkrahin politikën shtetformuese të presidentit Vuçiq” dhe “e njohin luftën e tij këmbëngulëse dhe të palëkundur për interesat tona kombëtare në Kosovë dhe Metohi”.

“Shteti i Serbisë do të vazhdojë ta mbështesë edhe më fuqishëm popullin tonë në krahinë dhe të luftojë për paqen dhe sigurinë e tij”, tha Petkoviq.

Deri në publikimin e këtij artikulli, autoritetet në Kosovë nuk e kanë komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.

Përgatiti: Valona Tela