Më 15 tetor Polonia do të mbajë zgjedhjet parlamentare, të cilat mund të jenë zgjedhje që do të vëzhgohen më nga afër nga evropianët gjatë kësaj vjeshte.
Sondazhet paralajmërojnë një garë të ngushtë. A do të mundet partia në pushtet, Ligj dhe Drejtësi (PiS) – që ka dominuar skenën politike polake që nga fitorja në zgjedhje më 2015 – të fitojë mandatin e paprecedent të tretë që mund të sjellë më shumë përplasje me Brukselin dhe Berlinin, dhe të vazhdojë me agjendën e brendshme shoqërore konservatore?
Apo partitë opozitare do të mund të marrin pushtetin dhe të tentojnë të përmirësojnë raportet me disa kryeqytete evropiane dhe të zhbëjnë disa nga reformat e mëparshme, si për shembull në gjyqësor?
Magdalena Cedro, gazetare në Polityka Insight, e përmbledh krejt këtë situatë kështu:
“Këto zgjedhje do të kenë pasoja të forta për pozicionin polak në Evropë. Sigurisht, ne mund të themi se çdo palë zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e shtetit. Por, kësaj radhe ato vërtet do të vendosin nëse Polonia do të ketë vullnet që të kthehet në thelbin e Bashkimit Evropian, apo do të mbetet në margjina si një shtet anëtar i paparashikueshëm”.
Cilat parti po garojnë dhe cili mund të jetë rezultati?
Sikurse edhe disa herë të tjera në historinë më të re politike në Poloni, dy partitë më të mëdha politike që luftojnë për fitore janë PiS dhe Koalicioni Qytetar i qendrës së djathtë (PO). Sondazhet tregojnë se PiS do të dalë i parti me afërsisht 35 për qind të votave dhe koalicioni PO me pothuajse 30 për qind. Kjo nënkupton se të dy partitë do të kërkojnë partnerë potencialë të koalicionit në mesin e tri partive, të cilat, që të gjitha sondazhet sugjerojnë se do të fitojnë rreth 10 për qind të votave: e majta, “Rruga e tretë” – që në thelb është një koalicion mes Partisë agrare Popullore Polake dhe një subjekti të ri centrist të quajtur Polonia 2050 – dhe partisë liberale të ekstremit të djathtë, Konfederata.
Dy partitë e para duket se janë më të prira të bashkojnë forcat me Koalicionin Qytetar. Por, vëmendje ia vlen t’i kushtohet performancës së “Rrugës së tretë”.
Pragu për të hyrë në Parlamentin polak është 5 për qind, por për koalicione është 8 për qind dhe kjo parti duhet ta kalojë këtë sfidë që opozita të ketë shans për të luftuar. Por, partia që pritet të jetë përcaktuese për koalicionin qeverisës është Konfederata.
Në shikim të parë duket se ky subjekt është një partner natyral i PiS-it, për shkak të qëndrimeve të ashpra për migrimin, për BE-në dhe çështjet sociale. Por, nga një vështrim më i afërt është e qartë se janë disa pengesa që duhet të tejkalohen. Konfederata e portretizon veten si “një parti jokonvencionale”, që priret të ndryshojë të gjithë sistemin e vendit në vend se thjesht t’i bashkohet Qeverisë si një partnere e vogël. Agjenda e këtij subjekti është pro biznesit dhe kërkon taksa më të ulëta dhe më pak shpenzime sociale. Kjo politikë bie ndesh me politikën “luksoze” që PiS ka promovuar viteve të fundit. Prandaj, mund të pritet që të ketë shumë negociata pas votimeve dhe të ketë një shumicë jo të qartë në Parlament.
Këto thashetheme veçse janë shfaqur në Varshavë dhe mund të ketë edhe zgjedhje të reja të parakohshme më 2024 nëse nuk arrihet të formohet një koalicion qeverisës.
Kaczynski kundër Tuskut, sërish?
Këto zgjedhje po formësojnë sërish një betejë mes rivalëve të vjetër, PiS dhe PO. Por, për më tepër duket se është një betejë e përjetshme midis dy burrave që kanë dominuar politikën polake në këtë shekull: Jaroslaw Kaczynski dhe Donald Tusk.
Që të dy kanë dalë nga Lëvizja për Solidaritet që rrëzoi nga pushteti regjimin komunist dhe solli demokracinë në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90. Ata, faktikisht, në dekadat e fundit ia kanë kaluar radhën njëri-tjetrit për të qeverisur me vendin dhe vazhdojnë të jenë njerëzit kryesorë në partitë e tyre respektive.
Kaczynski ka qenë kryeministër më 2006 dhe 2007 dhe që atëherë Partia për Ligj dhe Drejtësi është rikthyer në pushtet më 2015, por gjerësisht ai mbeti nën hije, edhe pse ai aktualisht është zëvendëskryeministër. Të gjithë në Varshavë dhe më tej e pranojnë se ai është lideri de facto i shtetit, pasi asnjë vendim nuk merret pa të.
Tusk në anën tjetër ka qenë kryeministër nga viti 2007 deri më 2014. Më pas ai shijoi “karrierën në Bruksel” si president i Këshillit Evropian dhe i Partisë Popullore Evropiane (EPP) të qendrës së djathtë para se të kthehej në Poloni më 2022 për të udhëhequr sërish Koalicionin Qytetar, teksa partia e tij fitoi zgjedhjet edhe pa të. Rivaliteti mes tyre bëhet edhe më i madh nga fakti se Tusk dhe Kaczynski urrejnë njëri-tjetrin.
Kjo “urrejtje” del kryesisht nga fatkeqësia ajrore e Smolenskit më 2010, kur presidenti i atëhershëm, vëllai binjak i Jaroslawit, Lech Kaczynski, dhe zyrtarë të tjerë të lartë polakë humbën jetën në aksident.
Jaroslaw Kaczynski vazhdon të fajësojë Tuskun për vdekjen e vëllait të tij, duke shtyrë përpara teori konspirative, që gjerësisht janë hedhur poshtë, se Tusku si kryeministër në atë kohë, në bashkëpunim me Kremlinin kishin rrëzuar avionin, duke mos besuar se ishte një aksident tragjik.
Por, ky rivalitet i vazhdueshëm mes Kaczynskit dhe Tuskut rrezikon po ashtu të tjetërsojë një pjesë të madhe të elektoratit polak, sipas Piotr Buras nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), që sipas tij pjesëmarrja në zgjedhje mund të mos jetë më e lartë sesa rreth 60 për qind.
SHIKONI EDHE: Polonia akuzon dy rusë për rrëzimin e aeroplanit në vitin 2010“Mendoj se ka një dallim mes jetës politike dhe shoqërisë polake. Mendoj se ka shumë njerëz në Poloni dhe një pjesë e madhe e shoqërisë polake të cilëve nuk iu intereson fare për këtë konflikt politik, për këtë rivalitet midis Kaczynskit dhe Tuskut, që po zgjat tash e 30 vjet. Dhe ata besojnë se kjo nuk është beteja e tyre, nuk është lufta e tyre. Ata nuk i lidh asgjë me këtë rivalitet”, tha ai.
Pse PiS ka kaq popullaritet dhe cila është rruga para?
Përderisa Partia Ligj dhe Drejtësi me gjasë nuk do të fitojë mbështetjen që mori në zgjedhjet e vitit 2019, kur rrëmbeu pothuajse 44 për qind të votave, duket se kjo parti ka çimentuar pozicionin në peizazhin politik polak për një të ardhme të parashikuar dhe ky subjekt është i aftë që të fitojë mbështetjen e një të tretës së elektoratit.
Përderisa vëzhguesit e huaj shpesh ngrenë alarmin për ngecjet politike në këtë shtet: për shkak të kufizimeve të ashpra për të drejtën e abortit, për shkak të ligjeve kundër komunitetit LGBT të miratuara në komuna që ka bërë që BE-ja të tërheqë fondet për Varshavën e disa raste në gjykatën evropiane që do të bëjnë që Varshava me gjasë të humbë të drejtën e votës në Këshillin e Ministrave. Por, pavarësisht gjithë këtyre, Partia Ligj dhe Drejtësi vazhdon të ketë popullaritet.
SHIKONI EDHE:
Këshilli i Evropës i thotë Polonisë të ndalojë "stigmatizimin" e komunitetit LGBTI Kaczynski u kërkon polakëve të mbrojnë patriotizmin, pas protestave për abortinProtestat e polakëve kundër ligjit të abortit marrin përkrahje globaleKjo mund të shpjegohet me faktin se një pjesë e elektoratit identifikohet me agjendën sociale konservatore të kësaj partie, që mbështetet në nacionalizëm dhe në karakterin katolik, por edhe në mosmarrëveshje historike, veçmas me Gjermaninë.
Por, partia po ashtu ka qenë në pushtet kur ka pasur rritje ekonomike, ka ndihmuar shtetin që të marrë fonde nga BE-ja – Polonia është shteti që merr më së shumti fonde nga BE-ja – dhe po ashtu ka një strategji të qëndrueshme për rritjen e shpenzimeve sociale.
SHIKONI EDHE: Polonia e akuzon Gjermaninë se po tenton të ndërhyjë në zgjedhjet e saj parlamentareNjë prej kritikave më të mëdha në kohën kur Koalicioni Qytetar ishte në pushtet më 2007 dhe 2015 ishte se ai ishte përqendruar kryesisht në banorët që jetonin në qytete dhe kishte neglizhuar ata që jetonin në zonat rurale. Partia Ligj dhe Drejtësi udhëhoqi politikën për subvencionim, të quajtur 500+, sipas së cilës prindërit merrnin në muaj 500 zlotis për fëmijë, por kjo shumë tani është rritur në 800.
Kjo parti nuk ka premtuar rritjen e moshës për dalje në pension e as shitjen e kompanive shtetërore. Por, kritikët kanë shprehur frikën se edhe një fitore në zgjedhje do të bënte që kjo parti të shënjestronte mediat e pavarura duke i blerë ato përmes kompanive të mëdha shtetërore.
Megjithatë, nuk mund të pritet tërheqje e menjëhershëm nga disa prej këtyre reformave nëse fitojnë partitë më liberale. Presidenti Andrzej Duda, gjerësisht shihet si njeri besnik i PiS-it dhe ka fuqinë e vetos që mund të rrëzohet nga një supershumicë parlamentare prej tre të pestave, që ka pak të ngjarë që të arrihet. Më pas është çështja edhe e tribunalit kushtetues, ku që të gjithë anëtarët e tij janë zgjedhur në kohën kur Partia Ligj dhe Drejtësi ishte në pushtet. Ky institucion mund të jetë armiqësor ndaj levave të tjera politike që janë formësuar nga PiS gjatë tetë vjetëve të fundit.
Po Ukraina?
Do të ishte e padrejtë sikur të mos përmendej që Polonia ka qenë një prej mbështetëseve më të mëdha të Ukrainës pasi Rusia nisi pushtimin e këtij shteti në fillim të vitit 2022.
Polonia, që është nikoqire e numrit më të madh të refugjatëve ukrainas, ka shtyrë përpara sanksione të ashpra të BE-së ndaj Rusisë dhe pako të mëdha të ndihmës për Ukrainën, ka lobuar për anëtarësimin e Kievit në BE dhe NATO dhe vazhdon që të dërgojë armë në këtë shtet.
Por, në prag të këtyre zgjedhjeve nga Varshava është parë një ndryshim radikal.
Polonia nisi – së bashku edhe me shtetet lindore të BE-së – në maj një bllokadë për disa produkte bujqësore ukrainase të destinuara për në BE, duke u ankuar se sasia e madhe e ushqimit që po vinte nga Ukraina, po rrezikonte fermerët lokalë. Pavarësisht ndërmjetësimit të Brukselit, Varshava tani lejon disa produkte ukrainase të kalojnë vetëm transit.
SHIKONI EDHE: Polonia do të zgjasë ndalesën për importet e drithërave ukrainaseDisa diplomatë në BE e kanë parë këtë çështje si një përpjekje cinike për të fituar votat e elektoratit në zonat rurale, që është pjesë e rëndësishme e elektoratit në Poloni. Megjithatë, kjo çështje nuk mbaron me kaq. Së fundi, Polonia shprehu dëshirën që të shtyjë një vendim të BE-së që lejon refugjatëve ukrainas në bllok të vazhdojnë të kenë qasje në tregun e punës, strehim dhe kujdes shëndetësor. Po ashtu ka pasur hezitim të papritur që zyrtarët polakë të takohen me ata ukrainas në disa takime të niveleve të ndryshme politike dhe Varshava ka sinjalizuar se nuk do të dërgojë më armë në Kiev.
Shumë besojnë se ky ndryshim është reflektim i një lloj “lodhjeje për Ukrainën” në shoqërinë polake dhe po ashtu është një lëvizje e llogaritur politike për të fituar votues, të cilët nëse nuk do të bëhej ky ndryshim, do të votonin për Konfederatën.
Shumë vëzhgues presin që raportet mes Polonisë dhe Ukrainës të përmirësohen pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush do të marrë pushtetin. Por, a do të jenë raportet të mira siç ishin menjëherë pas nisjes së pushtimit nga Rusia? A ka arritur në përfundim Kievi se mbështetja polake është zhdukur dhe është më mirë për ta që të lobojnë direkt me pushtetin në Uashington, Berlin e Bruksel sesa të varen nga Varshava për të promovuar interesat ukrainase në BE dhe NATO?
Ka një të vërtetë: sa më shumë që Ukraina i afrohet anëtarësimit në BE, aq më shumë Polonia dhe Ukraina bëhen rivale politike. Po, tregtia mes tyre do të rritet, por po ashtu do të jenë në konkurrencë për fondet e njëjta të BE-së për fermerët dhe për rajonet më të varfra të shteteve të tyre. Dhe Varshava do të përdorë të drejtën e votës për procesin e pranimit të Ukrainës në BE nëse interesat e saj ekonomike dhe politike i kërcënohen.
SHIKONI EDHE: Polonia thotë se nuk do ta armatosë më UkrainënPo referendumi?
Në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare, do të mbahet një referendum që ka katër pyetje: “A dëshironi të mbështesni shitjen e aseteve shtetërore tek entitetet e huaja, që do të çonte në humbjen e kontrollit polak mbi sektorët strategjikë të ekonomisë”, “A mbështesin rritjen e moshës për dalje në pension, përfshirë që të vendoset mosha 67 vjeçe për të dalë në pension për gratë dhe burrat”, “A mbështesni heqjen e barrierave në kufirin midis Republikës së Polonisë dhe Republikës së Bjellorusisë?”, dhe “A mbështesni pranimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika, në përputhje me mekanizmin për zhvendosje të detyruar që e ka vendosur burokracia evropiane?”.
Të katër pyetjet janë kritikuar se shënjestrojnë opozitën dhe janë dizajnuar që dalja në zgjedhje e votuesve të Partisë Ligj dhe Drejtësi të rritet. Po ashtu, ky referendum është krahasuar me një referendum të ngjashëm të mbajtur nga Fideszi në Hungari në vitet e fundit, me qëllim që të rritet mbështetja për Qeverinë. Më shumë se 50 për qind e votuesve të regjistruar duhet të marrin pjesë në referendum që ai të jetë i vlefshëm. Opozita ka bërë thirrje që ai të bojkotohet dhe ka pikëpyetje nëse pragu prej 50 për qind do të arrihet.