Anulohen takimet e zëvendëskryeministrit të parë. Ky është njoftimi që u publikua në ueb-faqen e Qeverisë së Serbisë më 7 shkurt.
Ai ka të bëjë me udhëheqësin e Socialistëve serbë, Ivica Daçiq, dhe vjen pas disa kritikave të zyrtarëve të Partisë Përparimtare Serbe - subjektit më të madh në koalicionin qeverisës.
Informacioni u pasua me spekulimet e mediave për zgjedhje të parakohshme dhe me disa postime në mediat sociale, përmes të cilave disa ministra kërkuan, po ashtu, zgjedhje.
Çdo skenar i mundshëm për zgjidhjen e këtij destabiliteti politik në Serbi ka pasoja të gjera, të cilat mund të ndikojnë në marrëdhëniet me Kosovën - pavarësinë e së cilës Beogradi zyrtar refuzon ta njohë - por edhe në marrëdhëniet me Rusinë, me të cilën Serbia ka lidhje të ngushta.
Si nisi?
Dy partnerët e koalicionit në Serbi, Partia Përparimtare Serbe (SNS) dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS), hynë papritmas në marrëdhënie të paqëndrueshme.
Fillimisht, zyrtari i lartë i SNS-së, Darko Gllishiq, tha në një konferencë për media më 6 shkurt se SPS-ja “po flirton me opozitën” dhe se “po ulet në dy karrige”.
Ai, po ashtu, tha se SNS-ja është e gatshme t’i bashkohet opozitës.
Po atë ditë, atij iu përgjigj Branko Ruzhiq, deputet i SPS-së dhe ministër për Arsimin në Qeverinë e Serbisë. Duke folur për Radio Televizionin e Vojvodinës, ai tha se nuk sheh asnjë bazë për kritikat se, gjoja, SPS-ja po flirton me opozitën.
“Nuk ka nevojë për rritjen e tensioneve. Vendi është në një moment të vështirë dhe gjëja më e dobishme është që udhëheqësit e SNS-së dhe SPS-së ta diskutojnë këtë temë, sepse mendoj se kjo po e dëmton Serbinë”, tha Ruzhiq.
Megjithatë, ai shtoi se zgjedhjet janë një nga mënyrat për të verifikuar mbështetjen për politikën shtetërore.
Por, kritika të reja u bënë mbrëmjen e 6 shkurtit nga vetë presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq.
Në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq kritikoi politikanen opozitare nga Kosova, Rada Trajkoviq, dhe tha se pretendimet e saj se ai dëshiron të dalë nga negociatat me Kosovën, janë gënjeshtra.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Bisedë e hapur me LajçakunAi tha se gënjeshtra janë thënë edhe gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë kushtuar Kosovës, pesë ditë më parë.
“Më mbron po aq sa partnerët e mi të koalicionit”, shtoi Vuçiq.
Në seancën që përmendi Vuçiq, u diskutua për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, gjatë periudhës nga shtatori i vitit 2022 deri në mes të janarit, 2023.
Duke komentuar disa propozime të Perëndimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, opozita e kritikoi Vuçiqin për “mungesë transparence”, ndërsa partitë e djathta e akuzuan atë për “kapitullimin e shtetit”.
Thirrjet për zgjedhje
Anëtarët e SNS-së, pothuajse në të njëjtën kohë, filluan ta mbështesin Vuçiqin dhe të kërkojnë zgjedhje të reja.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë gjë e re për votuesit në Serbi, pasi ato janë mbajtur më 2014, 2016 dhe 2022.
“Zgjedhjet janë çelësi i zgjidhjes së krizës politike”, shkroi më 6 shkurt në Instagram ministrit për Ndërtim i Serbisë, Goran Vesiq.
Në të njëjtën ditë, nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë nga radhët e SNS-së, Sandra Bozhiq, shkroi në Twitter: “Shkojmë në zgjedhje”.
Ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq, tha më 7 shkurt për Radio Televizionin e Serbisë se, gjatë periudhës së ardhshme, do të diskutohet nëse politika e presidentit të Serbisë në lidhje me Kosovën, e ka mbështetjen adekuate ose jo.
Duke iu referuar informacioneve jozyrtare, mediat raportuan se në takimin e SNS-së, Vuçiq ka thënë se partia e tij ka qenë e vetmja që ka mbrojtur interesat shtetërore në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.
Opsioni i zgjedhjeve
Nëse në Serbi do të shpalleshin zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo do të nënkuptonte disa muaj aktivitete parazgjedhore, zgjedhore dhe paszgjedhore.
Për shembull, pas zgjedhjeve të mbajtura në prill të vitit 2022, Qeveria e re është votuar në fund të tetorit të atij viti.
SHIKONI EDHE: Votohet Qeveria e re e SerbisëGjatë asaj periudhe nuk mblidhet as Kuvendi i Serbisë, pasi ai shpërndahet në ditën e shpalljes së zgjedhjeve.
Sipas këtij skenari, zgjedhjet do të mbaheshin në një vit kur diplomatët perëndimorë po përpiqen t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me një propozim të tyre.
Ky propozim i BE-së, i cili ka marrë mbështetjen e SHBA-së, nuk është bërë publik, por i është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
SHIKONI EDHE: Çfarë parasheh propozimi evropian?Kurti shkroi në llogarinë e tij në Twitter më 6 shkurt se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se e konsideron atë si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme.
Vuçiq tha më 20 janar se është i gatshëm të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit të propozuar, por me një rezervë, të cilën nuk e specifikoi. Megjithatë, disa javë më vonë, ai la të kuptohet se bëhet fjalë për pjesën ku thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Nëse në Serbi do të kishte zgjedhje të jashtëzakonshme, Parlamenti, si institucion ligjvënës, nuk do të mund të diskutonte për planin e propozuar derisa deputetët e rinj të bënin betimin.
Vetë presidenti i Serbisë ka thënë në disa raste se, sipas Kushtetutës së Serbisë, duhet të organizohet referendum për çështjen e Kosovës.
Por, Kuvendi i Serbisë shpall po ashtu referendumin dhe ai nuk do të mund ta bënte këtë nëse është i shpërndarë.
Opsioni pa zgjedhje
Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetë. Prej tyre, 106 janë nga radhët e Partisë Përparimtare, ndërsa 23 nga Socialistët.
Për Qeverinë e re në Kuvendin e Serbisë votuan 157 deputetë.
Nëse presidenti i Serbisë do të vendoste për ndryshime pa zgjedhje, kjo do të nënkuptonte një ofertë për partitë opozitare.
Por, kjo do të nënkuptonte edhe ndryshime në politikë dhe nuk është e sigurt se cila parti do ta pranonte ofertën e SNS-së.
Partitë opozitare që kanë hyrë në Parlamentin e Serbisë, janë të llojllojshme - nga pro-evropiane në të djathta.
SHIKONI EDHE: Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve në SerbiTë djathtat janë kritike të ashpra të politikës së SNS-së ndaj Kosovës dhe këmbëngulin se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se kjo nuk duhet të negociohet.
Përballë tyre janë partitë pro-evropiane të opozitës, të cilat kritikojnë politikën e SNS-së, por në një kontekst tjetër. Ndryshe nga partitë e krahut të djathtë, si dhe nga SPS-ja, blloku pro-evropian i partive opozitare mbron vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Beogradi zyrtar, pavarësisht thirrjeve nga Perëndimi, refuzon të ndërmarrë sanksione ndaj Kremlinit, pas pushtimit rus të Ukrainës. Serbia ka votuar vetëm disa rezoluta që e dënojnë pushtimin.
SHIKONI EDHE: Ballkani, "vegël" e Rusisë për destabilizim të Evropës?Autoritetet, në krye me Vuçiqin, e justifikojnë vendimin e tyre për të mos ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, duke thënë se ato nuk do të sillnin rezultate të mira, marrë parasysh marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta të Serbisë me Rusinë, por edhe varësinë e saj energjetike nga Rusia.
Rusia, po ashtu, është një nga vendet që mbështet Serbinë në bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.
A është ky mospajtimi i parë midis SNS-së dhe SPS-së?
Jo. Partnerët e koalicionit kanë shkëmbyer edhe më herët kritika, duke çuar në spekulime për zgjedhje të parakohshme.
Para konsultimeve për Qeverinë e re në vitin 2022 - pas deklaratës së Ivica Daçiqit se është e natyrshme që ai ta vazhdojë bashkëpunimin me SNS-në - kjo parti ka thënë se për të “është e natyrshme që në verë të jetë nxehtë dhe në dimër ftohtë” dhe se kur bie shi “mund të derdhet diçka”.
Deri te ndarja, megjithatë, nuk ka ardhur dhe aleanca mes tyre ka vazhduar pa ndërprerje që nga viti 2012.
SHIKONI EDHE: Të gjitha qeveritë e Ivica Daçiqit