Ndërlidhjet

Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve në Serbi 


Presidenti Aleksandar Vuçiq është fitues i zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit.
Presidenti Aleksandar Vuçiq është fitues i zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit.

Me fitoren në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi dhe me gati 60 për qind mbështetje nga qytetarët, Aleksandar Vuçiq është fitues i zgjedhjeve, por Partia e tij Përparimtare Serbe (SNS) ka shënuar rezultat më të dobët se në vitet e kaluara.

Zgjedhjet presidenciale, të jashtëzakonshmet parlamentare dhe ato lokale për qytetin e Beogradit, Borit dhe 12 komunave të tjera, të cilat u mbajtën në Serbi më 3 prill, u përshkuan me pjesëmarrje të lartë.

Votat e qytetarëve sollën edhe disa befasi, të tilla si suksesin e së djathtës.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ju sjell pasqyrën e fituesve dhe humbësve të këtyre zgjedhjeve:

Fituesit e zgjedhjeve

Aleksandar Vuçiq

Aleksandar Vuçiq mori më shumë vota se Partia e tij Përparimtare Serbe.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, ai hyn në mandatin e dytë presidencial me mbështetjen e 58.58 për qind të votuesve.

Lista e tij “Aleksandar Vuçiq - Së bashku mund të bëjmë gjithçka” fitoi 43 për qind të votave.

“Jam i vetmi që kam fituar dy herë në rundin e parë [të zgjedhjeve presidenciale] dhe në asnjërën herë nuk ka qenë rezultat i ngushtë”, tha Vuçiq.

Ai la pas kandidatin e opozitës, Zdravko Ponosh, i cili doli i dyti me 18.31 për qind të votave.

Në këto zgjedhje, Vuçiq, po ashtu, mori një përqindje më të lartë të votave se në presidencialet e vitit 2017.

Opsioni i djathtë

Fitues të këtyre zgjedhjeve janë edhe tri grupet e djathta që arritën të kalojnë pragun si për Kuvendin e Serbisë, ashtu edhe për Kuvendin e qytetit në Beograd.

Megjithëse rezultati i tyre zgjedhor është njëshifror, zëri i ekstremit të djathtë do të dëgjohet në asamblenë republikane dhe atë të kryeqytetit.

Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, koalicioni “Shpresa”, i cili përbëhet nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS) me një pjesë të Lëvizjes për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë, fitoi 5.4 për qind të votave.

Kështu, DSS-ja e djathtë rikthehet në bankat parlamentare. Në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, kjo parti nuk arriti ta kalojë pragun.

Në Kuvendin e Serbisë rikthehet edhe Partia Dveri. Koalicioni rreth kësaj partie fitoi 3.9 për qind të votave.

Dveri ishte pjesë e opozitës që bojkotoi zgjedhjet e vitit 2020, duke besuar se nuk kishte kushte për mbajtjen e tyre në mënyrë të drejtë dhe të lirë.

Kjo lëvizje hyri për herë të parë në Kuvendin republikan në zgjedhjet e vitit 2016.

Partia Zavetnici, në anën tjetër, mori më pak vota në këtë bllok, por si parti arriti suksesin më të madh.

Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ajo mbeti tri herë nën prag. Tani ka arritur të fitojë 3.8 për qind të votave.

Edhe Dveri, edhe Zavetnici i përkasin ekstremit të djathtë.

Gjatë fushatës zgjedhore, të tria këto subjekte morën një qëndrim të favorshëm ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje dhe kritikuan Qeverinë e Serbisë për dënimin e agresionit rus në Kombet e Bashkuara.

Partia Socialiste e Serbisë

Edhe pse Partia Socialiste e Serbisë (SPS) ishte me vite nën hijen e partnerit më të fortë të koalicionit - Partisë Përparimtare Serbe - ajo arriti të fitojë 100 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e fundit.

Sipas rezultateve paraprake, SPS ka 11.5 për qind të votave, krahasuar me 10.38 për qind sa kishte në vitin 2020.

Socialistët, deri më tani, kanë qenë partnerë të Partisë Përparimtare Serbe në Qeverinë e Serbisë.

“Dua të them - në emër të koalicionit tonë - se ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin sikurse më parë”, tha kreu socialist, Ivica Daçiq, natën e zgjedhjeve.

SPS ishte befasia e zgjedhjeve, sepse sondazhet e opinionit publik parashikuan rezultate më të dobëta për të.

“Të bashkuar për fitoren e Serbisë”

Grupi “Të Bashkuar për fitoren e Serbisë”, një koalicion i gjerë i qendrës, do të jetë forca më e madhe opozitare në Kuvendin e Serbisë.

Ata shënuan rezultatin më të mirë pas Partisë Përparimtare Serbe, por, megjithatë, dy forcat i ndajnë rreth 30 për qind e votave.

Grupi, i përbërë nga Partia për Liri dhe Drejtësi e Dragan Gjillasit, Partia Popullore e Vuk Jeremiqit, Partia Demokratike dhe Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, fitoi 13.5 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare.

Kandidati i kësaj liste për kryetar të Beogradit, Vlladeta Jankoviq, tha se nga zgjedhjet ka dalë një “energji e paparë”.

Koalicioni “Ne duhet”

Fitues i zgjedhjeve mund të konsiderohet edhe koalicioni i majtë - i gjelbër “Ne duhet”.

Ky do të jetë një opsion i ri në Kuvendin republikan me 4.6 për qind të votave.

Në Beograd, ai është opsioni i tretë më i fuqishëm.

“Interesi ynë parësor është ta çlirojmë Beogradin”, tha kandidati i koalicionit për kryetar komune, Dobrica Vesellinoviq.

Qytetarët

Këto zgjedhje u karakterizuan me pjesëmarrje më të lartë të votuesve - gjë që i vendos qytetarët në mesin e fituesve të zgjedhjeve.

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Republikan Zgjedhor, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare ishte 58.6 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, pjesëmarrja ishte 48.93 për qind, ndërsa katër vjet më parë 56.07.

Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale këtë vit ishte 58.71 për qind, ndërsa në vitin 2017 ishte 54.34 për qind.

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale, sipas misionit vëzhgues Crta, ishte 57.3 për qind, ndërsa katër vjet më parë ishte 51.01 për qind.

Humbësit e zgjedhjeve

Partia Përparimtare Serbe

Edhe pse lista e Partisë Përparimtare Serbe fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare dhe ato të Beogradit, ajo humbi shumicën prej dy të tretash në Kuvendin republikan.

Para zgjedhjeve, kreu i partisë, Aleksandar Vuçiq, tha se çdo gjë nën 60 për qind do ta konsideronte si të dështuar. Ai e arriti qëllimin e caktuar, por jo SNS-ja.

Duke folur pas shpalljes së rezultateve preliminare, Vuçiq nuk iu referua faktit se lista e Partisë së tij Përparimtare Serbe është 17 për qind nën pritjet e tij.

SNS, me partnerët e koalicionit, do të ketë “më se mjaftueshëm” vota për formimin e Qeverisë së re të Serbisë, tha Vuçiq, por jo shumicën prej dy të tretash në Kuvend, siç e ka pasur deri më tash.

Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020, të cilat u bojkotuan nga shumica e opozitës, lista e SNS-së “Aleksandar Vuçiq - Për fëmijët tanë” fitoi 60.65 për qind të votave, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2016 lista “Aleksandar Vuçiq - Fiton Serbia” u mbështet nga 48.25 për qind e votuesve pjesëmarrës.

“Të bashkuar për fitoren e Serbisë”

Edhe pse koalicioni “Të Bashkuar për fitoren e Serbisë” do të jetë forca më e madhe opozitare në Kuvendin e Serbisë, ai fitoi vetëm rreth 13 për qind të votave, ose 38 ulëse. Për krahasim, SNS do të ketë 120.

Kjo listë, po ashtu, ka marrë më pak vota në zgjedhjet parlamentare sesa kandidatët e saj në zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Beograd, Zdravko Ponosh (18.31 për qind) dhe Vlladeta Jankoviq (21.3 për qind).

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Beograd janë ende të paqarta, andaj edhe opozita, edhe SNS-ja pretendojnë se do të mund të formojnë qeverinë.

Partia Radikale Serbe dhe Vojisllav Sheshel

Partia Radikale Serbe (SRS), e udhëhequr nga i dënuari i Hagës, Vojisllav Sheshel, mbeti nën prag edhe këtë herë.

Deri në zgjedhjet e vitit 2012, kjo parti individuale kishte numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin e Serbisë, por asnjëherë nuk kishte potencial për të formuar qeveri.

Në vitin 2008, zyrtarët e lartë të kësaj partie, Tomisllav Nikolliq dhe Aleksandar Vuçiq, u larguan nga SRS-ja dhe formuan Partinë Përparimtare Serbe. Që atëherë, radikalët humbën fuqinë e tyre.

As në zgjedhjet e vitit 2020, ata nuk arritën të hyjnë në Kuvendin republikan.

Misha Vaciq

Misha Vaçiq, i cili propagandon ideologjinë e ekstremit të djathtë, ishte i pari në fletëvotimin për zgjedhjet presidenciale, por i fundit për sa u përket rezultateve. Ai mori vetëm 0.9 për qind të votave.

Në fushatën parazgjedhore, megjithatë, ai tha se nuk është entuziast për të fituar, porse po e përdor kandidaturën për president për të paraqitur politikën e tij.

“Ejani njerëz”

Humbës në zgjedhje mund të konsiderohet edhe koalicioni “Ejani njerëz” i ish-presidentit serb, Boris Tadiq, i cili nuk e kaloi pragun për në Kuvendin republikan.

Sipas rezultateve preliminare, ai nuk e kaloi pragun as në zgjedhjet lokale në Beograd.

Pragu për të hyrë në Kuvendin republikan ose vendor është 3 për qind. Me ndryshimin e ligjit zgjedhor në vitin 2020, pragu u ul nga 5 në 3 për qind.

Aleanca e Pakicës Ruse

Pragun nuk e kaloi as Aleanca e Pakicës Ruse, e cila mori 0.25 për qind të votave.

Bartës i listës ishte Pavle Bihali Gavrin, një nga themeluesit e Lëvizjes për Mbrojtjen e Kafshëve “Levijatan”. Ata paraqiten si luftëtarë për mbrojtjen e kafshëve dhe janë të njohur për kërcënimin e migrantëve dhe pjesëmarrje në mitingje të krahut të djathtë.

Ata mbrojnë të drejtat e pakicës ruse në Serbi dhe mbështesin Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Ata mbetën nën prag edhe në zgjedhjet lokale në Beograd, pasi fituan 0.4 për qind të votave.

Shënim: Në këtë tekst janë përdorur rezultatet ose projeksionet preliminare të zgjedhjeve, të cilat mund të ndryshojnë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Pë​rgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG