Gara me koalicione ndëretnike përjashton nacionalizmat

Flamuri shqiptar dhe ai maqedonas shihen gjatë një tubimi në Shkup - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Koalicionet parazgjedhore ndërmjet partive shqiptare dhe atyre maqedonase në Maqedoninë e Veriut, gjashtë muaj para zgjedhjeve, mbeten të padefinuara.

Partnerët e koalicionit qeverisës Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar nëse do të garojnë me lista të përbashkëta si koalicion ndëretnik që para zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale në pranverën e vitit të ardhshëm, megjithëse theksojnë se një gjë e tillë ka shumë gjasa të ndodhë.

Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, dhe blloku i partive shqiptare në opozitë, Lidhja Evropiane për Ndryshim, thonë se në zgjedhjet e ardhshme do të garojnë ndaras.

Nga selia e socialdemokratëve (Lidhja Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut) për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar janë duke realizuar anketa nëse për qytetarët është ose jo e pranueshme gara si një bllok i përbashkët parazgjedhor.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, i cili drejton dhe Lidhjen Social Demokrate ka theksuar se thelbësore për dakordimin për të garuar bashkërisht me partitë shqiptare, mbeten vlerat e përbashkëta për një shoqëri moderne dhe shtet modern me vlera evropiane.

“Ne kemi një marrëveshje të qartë koalicioni me Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të publikuar në vitin 2020. Sigurisht që po diskutohen modalitetet me ta, por qëllimi për të arritur një koalicion evropian që do të udhëheqë një front të gjerë është gjëja kryesore që do t'i bashkojë partitë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë ai.

SHIKONI EDHE:

Nxitjet ndëretnike në fushata, të vjetruaraShkup: Votuesit e rinj s'i njohin politikanët

Ndërkohë, nga partia shqiptare në pushtet, BDI, kanë thënë se janë duke menduar për një front parazgjedhor mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase që për kauzë parësore do të kenë shtytjen e proceseve, nga të cilat varet përshpejtimi i integrimit në Bashkimin Evropian.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka thënë për Radion Evropa e Lirë(REL) se vendimin përfundimtar partia që drejton do ta marrë gjatë javës së ardhshme.

Kurse, partia maqedonase në opozitë, VMRO – DPMNE, ka thënë se do të garojë e vetme në zgjedhje, duke shtuar se pas zgjedhjeve përparësi do të ketë opozita.

“E ndershme është që në zgjedhje të dalësh me diçka që mund ta realizosh më pas.
Natyrisht, pas zgjedhjeve dhe për shkak të realitetit në Maqedoni, ne jemi të gatshëm të bisedojmë me partnerë potencialë nga i ashtuquajturi ‘kampusi shqiptar’ dhe të shohim nëse programet tona mund të kombinohen. Sigurisht që këtu ka përparësi ajo që tani është e ashtuquajtura opozita shqiptare”, ka thënë për REL-in, Aleksandar Nikolovski, nënkryetar i VMRO DPMNE -së.

SHIKONI EDHE: Shkup: Partitë nisin fushatën ende pa u shpallur zgjedhjet

Çka do t’i sillnin vendit koalicionet parazgjedhore?

Njohësit e çështjeve politike kanë theksuar se kapaciteti për koalicione parazgjedhore ndëretnike do t’i jepte një vlerë të re shoqërisë, si dhe do të kursente elektoratin nga nacionalizmi në funksion të sigurimit të votave.

Temat dhe tezat etnike do të braktisen... Do të flasin për probleme thelbësore dhe reale të jetës së përditshme të qytetarit, pavarësisht nga përkatësia e tij etnike, fetare apo çfarëdo tjetër".
Blagojçe Atanasoski

“Koalicionet parazgjedhore mbi-etnikë mund të sjellin kualitet të tri në demokracinë e Maqedonisë së Veriut. Them kualitet të ri pasi deri më tani programet dhe ofertat politike, fushatat parazgjedhore janë dizajnuar sikur po garohet për dy parlamente të ndryshme dhe jo për një parlament dhe sikur do të krijohen dy qeveri të ndryshme - njëra e maqedonasve dhe tjetra e shqiptarëve. Po ashtu, kemi funksionuar në dy realitete, që pas zgjedhjeve jemi ballafaquar me realitetin e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë për REL-in Xhelal Neziri, njohës i zhvillimeve politike.

Blagojçe Atanasoski, politikolog ka potencuar se koalicionet parazgjedhore ndëretnike do të mundësojnë qeveri të qëndrueshme, por njëherësh dhe partitë politike do t’i detyrojnë që të ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet që tentojnë shqiptarët dhe jo merren me folklorizëm nacional.

“Temat dhe tezat etnike do të braktisen... Do të flasin për probleme thelbësore dhe reale të jetës së përditshme të qytetarit, pavarësisht nga përkatësia e tij etnike, fetare apo çfarëdo tjetër. Do të thotë do të flasim për projekte, zhvillim, infrastrukturë, të ardhme të përbashkët evropiane”, ka vlerësuar Atanasoski.

Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pritet të mbahen më 8 maj të vitit të ardhshëm, ndonëse data ende nuk është shpallur zyrtarisht.

Për mbajtjen e zgjedhjeve me këtë datë është prononcuar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ndërsa e ka mirëpritur edhe opozita maqedonase, VMRO-DPMNE.