Ndërlidhjet

Shkup: Votuesit e rinj s'i njohin politikanët


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut që sapo i kanë mbushur 18 vjet dhe për herë të parë kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe ato parlamentare që pritet të mbahen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, shumë pak i njohin udhëheqësit politikë. Ata thonë se nuk kanë njohuri as për politikat që promovojnë partitë e caktuara politike të vendit.

Në një situatë të këtillë, të rinjtë thonë se vendimin do ta marrin nga sugjerimet e prindërve.

“Duhet të mësoj pak më shumë për njerëzit në politikë, pak nga familja, pak nga rrethi i ngushtë, pak nga shoqëria dhe kështu do të mundohem maksimalisht që votën time t’ia jap atij që e meriton”, thotë Saletin Abdiu, që në zgjedhjet që pritet të mbahen vitin e ardhshëm ka të drejtën e votës për herë të parë.

 Saletin Abdiu
Saletin Abdiu

Berin Muhamed, kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ‘gjeneratave të reja që në fëmijëri u sugjerohet nga prindërit të qëndrojnë larg politikës, duke u thënë se politika është një profesion ku triumfojnë të pandershmit, dhe pikërisht këtu e ka burimin mosinteresimi i të rinjve për zhvillimet politike”.

“Në njërën anë, prindërit i mësojnë fëmijët e tyre që të rrinë larg politikës, pasi ajo nuk u sjell asnjë të mirë dhe pasi t’i mbushin 18 vjet po nga këta të rinj kërkohet që të votojnë si qytetarë të ndershëm për të zgjedhur më të mirët që do të sigurojnë një të ardhme më të mirë për shtetit”, thotë Muhamedi.

Berin Muhamed
Berin Muhamed

“Ne tashmë i kemi mbushur 18 vjet dhe duhet të marrim përgjegjësinë që të vendosim me votën tonë se kah do të ecë shteti, çfarë kahu do të marrë ndërkohë që bashkëmoshatarët e mi mbeten aq të painteresuar. Janë të rinjtë ata që mund të ndryshojnë kahun e zhvillimeve apo me inkuadrimin e tyre në politikë të imponojnë ndryshime pozitive për ne dhe gjeneratat që do të vijnë pas nesh”, thotë Edin Ramçilloviq.

Edin Ramçilloviq
Edin Ramçilloviq

Mosinteresimin e të rinjve për t’u inkuadruar në politikë, i riu Kiril Koçevski e sheh te mungesa e perspektivës. Ai thotë se të rinjtë të ardhmen e tyre e shohin jashtë vendit prandaj nuk kanë vullnet që në çfarëdo mënyre të bëhen pjesë aktive e politikëbërjes në vend.

“Çështja është sa të rinjtë e duan këtë vend, pastaj nëse duan të bëhen pjesë e politikës apo të angazhohen për të ndryshuar diçka përmes politikës. Pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të mi, të ardhmen e shohin jashtë vendit pasi kanë humbur besimin se mund të ndryshohet këtu diçka për të mirë. Unë nuk planifikoj të mbetem këtu në Maqedoni (të Veriut)”, thotë Koçevski.

Kirill Koçevski
Kirill Koçevski

Viktoria Malinkovska thotë se nuk i njeh udhëheqësit politikë pasi ata nuk komunikojnë mjaftueshëm sa duhet me gjeneratat e reja përmes rrjeteve sociale.

“Të rinjtë më shumë informohen përmes rrjeteve sociale dhe pikërisht këtu politikanët duhet të promovojnë politikat për çka angazhohen partitë që përfaqësojnë”, thotë Viktoria duke theksuar se në mungesë të informacioneve, do të votojë në përputhje me sugjerimin e prindërve.

Viktoria Malinkovska
Viktoria Malinkovska

Pse të rinjtë nuk e ndjekin politikën?

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e të rinjve theksojnë se anketat që realizojnë tregojnë se krijohet një gjeneratë e cila është impotente ndaj zhvillimeve politike. Sipas tyre, kjo bën që ata të ardhmen ta shohin jashtë vendit, pasi ata tashmë një kohë të gjatë nuk arrijnë të shohin hapa konkretë për sa i përket demokratizimit të institucioneve, sundimit të së drejtës, dhe veçanërisht digjitalizimin e institucioneve që është me interes të veçantë për të rinjtë.

“Të rinjtë, edhe nëse e dinë se kush është në pushtet, ose kush do të jetë, për ta e parëndësishme mbetet kjo çështje pasi ata tashmë kanë krijuar opinion se të rinjtë nuk mund të ndikojnë në asnjë mënyrë në zhvillimet politike pasi ato varen nga faktorë të tjerë”, thotë Ana Marija Velinovska nga Instituti për demokraci që realizon projekte për të rinjtë.

“Të rinjtë s’kanë besim se mund të jenë shtytës të proceseve”

Naser Miftari, profesor në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, i cili është i përfshirë në shumë projekte për të rinjtë thotë se të rinjtë nuk janë pjesë aktive e zhvillimeve politike. Ai konsideron se kjo ndodh për faktin se partitë politike kanë sjellje autoriteteve dhe çdo kritikë nga ta edhe më shumë polarizon shoqërinë duke i kategorizuar të rinjtë pjesë e taborit pro dhe kundër tyre dhe jo si zë që kërkon ndryshime në të mirë të shoqërisë.

“Ne, si mësimdhënës, mendojmë se përgatisim një gjeneratë, e cila do të jetë e gatshme të jetë pjesë aktive e shoqërisë. Megjithatë, del se të rinjtë janë të painteresuar për politikë-bërjen pasi ata duket se gjithnjë e më shumë humbasin shpresën për perspektivën e vendit”, vlerëson Miftari.

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave nga regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut që u realizua në tetor të vitit 2021, më shumë se një e treta e popullsisë në vend është nën moshën 30-vjeçare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG