Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përkatësisht partia e tij, Lidhja Social –Demokrate, në zgjedhjet lokale të tetorit u ndëshkua për shkak të mosrealizimit të premtimeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit në nivele të larta, reformat në administratë dhe veçanërisht keqmenaxhimin e problemeve të shumta me të cilat përballen qytetarët në komunat e udhëhequra nga socialdemokratët, që në formë plotësuese, këto probleme i rëndoi dhe kriza e pandemisë, thotë Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.
Zoran Zaev detyrën si kryeministër e mori në vitin 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në vitin 2016, pas publikimit të të ashtuquajturave bomba të bisedave të përgjuara.
SHIKONI EDHE: Zoran Zaev dorëhiqet nga posti i kryeministritZaevi të dielën dha dorëheqje edhe nga posti i kryetarit të partisë, Lidhjes Social-Demokrate, të cilën e drejton që nga 2013-a.
“31 tetori për mua paraqet All In”, ishte shprehur kështu kryeministri Zoran Zaev mes dy rundeve zgjedhore duke shpresuar të motivojë elektoratin për të përfituar përkrahje, në të kundërtën kishte thënë se nëse e humbet Shkupin, do të jepte dorëheqje.
Mosrealizmi i premtimeve çoi në humbjen e besimit tek elektorati
Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci thotë se në rezultatin e keq të partisë së kryeministrit Zoran Zaev, përkatësisht Lidhjes Social- Demokrate të Maqedonisë së Veriut ka ndikuar keqmenaxhimi i problemeve në nivel lokal, përkatësisht moszgjidhja e problemeve komunale, të cilat kryesisht janë drejtuar nga partia e Zaevit, LSDM.
“Elektorati mund të themi se e dënoi keqmenaxhimin e komunave, do të thosha për mospunën dhe mosrealizmin e premtimeve parazgjedhore të shumë projekteve që në formë plotësuese këtë gjendje e rëndoi kriza e pandemisë”, vlerëson Troshanovski.
SHIKONI EDHE: Zhgënjimi me drejtësinëAi në nivel qendror si dështim të qeverisë së kryesuar nga Zaevi apostrofon mosrealizimin e premtimeve, për të cilat qytetarët ia besuan votën, duke vendosur në vend të parë sundimin e ligjit.
“Mbetën pa adresë shumë probleme, mosreformimi i gjyqësorit. Administrata publike mbeti e partizuar, ndërkohë që evident ishte favorizimi i të zgjedhurve partiakë kundrejt kuadrove profesionale në institucione të caktuara”, thotë Troshanovski.
Zaevi i humbi votuesit që besonin në Prokurorinë Speciale
Kryeministri Zoran Zaev në pushtet erdhi pas publikimit të bisedave të përgjuara, që çoi në formimin e Prokurorisë Speciale, e cila kishte për detyrë të ndjekë krimin e organizuar në nivele të larta.
Pas aferës “zhvatja”, në të cilën besohet se ishin të përfshirë dhe njerëz të afërt me kryeministrin Zaev, kjo prokurori u shua.
Marko Troshanovski thotë se shuarja e Prokurorisë Speciale i zhgënjeu qytetarët e pavarur, të cilët u mobilizuan nën ombrellën e njohur si “Revolucioni Laraman”, nga ku mori mbështetje të fuqishme për të ardhur në pushtet.
“Te qytetarët e pavarur sigurisht se prodhoi efekt negativ shuarja e Prokurorisë Speciale, e cila shihej si institucion i besueshëm për luftimin e krimit në nivele të larta”, thotë Troshanovski, duke shtuar se Zaevi nuk mori vota ndëshkuese për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit me Marrëveshjen e Prespës, por për faktin se nuk arriti të sigurojë jetë më të mirë për qytetarët.
Bllokimi i procesit të integrimeve dekurajoi votuesit për një të ardhme evropiane
Ndërkohë, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se Zoran Zaev si kryeministër pati guxim që gjatë mandatit të tij të marrë përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit gjë që i mundësoi vendit të bëhet anëtar i NATO-s. Megjithëkëtë, ai shton se zbehja e perspektivës evropiane dekurajoi qytetarët për t’i mbështetur politikat e socialdemokratëve.
SHIKONI EDHE: Bllokimi i procesit integrues rrit euro-skepticizmin“Këtu kemi dhe atë aspektin psikologjik, në kohë kur qytetarët janë të lodhur nga pandemia, në kohën kur në një mënyrë perspektiva evropiane shënoi rënie si opsion sidomos tek elektorati proprogresiv apo proevropian. Krejt kjo ndikoi që të marrin fuqi forcat destruktive, të cilat janë në koneksion me lojtarë të tjerë në Ballkan po edhe në Maqedoni, që s`janë pjesë e aleancës euroatlantike”, thotë Ramadani.
Çka pas dorëheqjes së Zaevit?
Pas dorëheqjes publike nga posti i kryeministrit, Zoran Zaev është i obliguar ta informojë me shkrim dhe kryetarin e Kuvendit.
Zaev ka theksuar se pavarësisht dorëheqjes së tij, qeveria e drejtuar nga socialdemokratët duhet të vazhdojë deri në fund të mandatit, përkatësisht edhe për dy vjet e gjysmë.
Por, në bazë të Kushtetutës së shtetit, me dorëheqjen e Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit, e gjithë qeveria është në dorëheqje.
“Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja ose pamundësia e përhershme e tij që ta ushtrojë funksionin, rezulton me dorëheqjen e Qeverisë”, thuhet në nenin 93 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Në bazë të procedurës kryetari i shtetit është i obliguar që brenda 10 ditëve mandatin për formimin e qeverisë t`ia dorëzojë partisë gjegjësisht koalicionit që arrin të sigurojë shumicën në Kuvend.
Pas kësaj, ai kandidat që ka marrë mandatin, brenda 20 ditëve duhet të shpalosë programin në saje të të cilit duhet të marrë besimin nga institucioni ligjvënës.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet lokale sfidojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë maqedonaseNëse ky opsion dështon, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
“Në bazë të asaj se çka thotë Kushtetuta, nëse kryeministri jep dorëheqje, atëherë bie qeveria dhe si duket zoti Zaev ka qenë i interesuar që të bjerë kjo qeveri. Motivet dhe arsyet sigurisht se ai i di më së miri. Por, për mua ky vendim nuk është i arsyeshëm në këtë moment”, thotë Emin Azemi, njohës i çështjeve politike dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ai thekson se me dorëheqjen e Zaevit nga posti i kryeministrit, Maqedonia e Veriut po hyn në një periudhë me shumë paqartësi.
“Deshëm apo nuk deshëm, fjala e parë që na kujtohet është kriza politike. Nuk po them kriza institucionale se kjo qeveri ka mandat edhe dy vjet e gjysmë dhe modalitetet mund të gjenden në drejtimin e qeverisë, mirëpo ambiciet e opozitës tani janë shtuar dhe siç janë shprehur, kërkojnë zgjedhje të parakohshme”.
“Një situatë të ngjashme ne e kemi pasur në Kosovë. Kur ka rënë një kryeministër, është krijuar një shumicë e re parlamentare ose një koalicion i ri. A mund të realizohet kjo këtu në Maqedoninë e Veriut mbetet të shihet. Po ky koalicion që është tani, LSDM-ja dhe BDI-ja ( Bashkimi Demokratik për Integrim) dhe Besa mundet të zgjerohet me deputetë të partive të tjera ditëve në vijim. Kjo mbetet të shihet si opsion i mundshëm. Pra, të gjitha opsionet janë të hapura. Por, ajo që doja të theksoja është se Maqedonisë në këtë moment nuk i konvenon një krizë politike dhe institucionale”, vlerëson Azemi.