Zelensky kërkon që bota të dënojë “shtetin terrorist” rus

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë “shtetin terrorist” rus, pas zbulimit të një varreze masive dhe dëshmive për torturë në Izjum.

Zbulimet në Izjum u bën disa ditë pasi forcat ukrainase rimorën kontrollin e qytetit nga forcat ruse gjatë kundërofensivës së tyre në rajonin verilindor të Harkivit.

Gjatë një adresimi në orët e vona të 16 shtatorit, Zelensky tha se Rusia duhet të ndëshkohet me sanksione më të ashpra.

“Tashmë ka dëshmi të qarta të torturës, të trajtimit poshtërues të njerëzve. Për më tepër, ka dëshmi se ushtarët rusë, pozicionet e të cilëve nuk janë larg këtij vendi, vranë dhe varrosën qytetarë për qejf”, tha ai.

Zelensky i krahasoi gjetjet në Izjum me masakrën në Buça në pranverë, dhe përsëriti thirrjet që të krijohet një tribunal ndërkombëtar për të mbajtur përgjegjëse Rusinë për krimet e saj në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se të pakën 440 trupa u gjetën në një vend në Izjum.

SHIKONI EDHE: Varre masive në qytetin e çliruar të Ukrainës

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se planifikon që të dërgojë hetues në Izjum, ndërkaq John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, tha se njoftimet për ngjarjet në Izjum janë “të neveritshme” që sipas tij përshkruajnë “brutalitetin” e forcave ruse në këtë luftë.

Moska nuk ka komentuar për varrezën masive në Izjum.

Ndërkaq, gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, tha se krimet në Ukrainë nuk mund të fshihen.

“Sa i përket shkallës [së krimeve të pretenduara të luftës], këtë nuk e di. Por, mund t’iu them se bota do ta kuptojë këtë. Krimet e luftës nuk mund të fshihen, veçanërisht varrezat masive”, tha ai për gazetarët pasi arriti në Estoni, ku do të takohen anëtarët e NATO-s.

SHIKONI EDHE: OKB-ja do të dërgojë një ekip në qytetin ku u gjetën varre masive në Ukrainë

Ndërkaq, inteligjenca ushtarake britanike tha më 17 shtator se Ukraina po vazhdon ofensivën e saj në verilindje të shtetit, teksa forcat ruse kanë krijuar linja të mbrojtjes midis Lumit Oskil dhe qytetit Svatove.

“Rusia ka të ndarë që të paraqesë mbrojtje të fortë në këtë zonë, por është e paqartë nëse forcat ruse kanë rezerva të mjaftueshme apo nivel të duhur të moralit për t’i bërë ballë një tjetër sulmi të koncentruar ukrainas”, tha Britania.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Ukraina së fundmi ka nisur një kundërofensivë në Harkiv dhe deri më tani, Kievi pretendon se ka arritur të rimarrë 8.000 kilometra katrorë territor nga forcat ruse në këtë rajon.