Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje të hapur Berlinit që t'i dërgojë tanke Ukrainës.
Thirrja e tij u bë para se aleatët e Perëndimit të mblidhen në bazën ushtarake amerikane Ramstein, në jug të Gjermanisë, për të diskutuar për fazat e ardhshme të ndihmës.
Shtetet e Bashkuara dhe kombet evropiane veçse janë zotuar se do t’i ndihmojnë Kievit me më shumë pajisje për të luftuar pushtimin rus.
Ndaj Berlinit sa shkon e rritet presioni për të dhënë leje që të transportohen në Ukrainë tanket e modelit Leopard.
SHIKONI EDHE: Gjermanisë i bëhet presion ta furnizojë Ukrainën me tanke“Nëse keni tanke Leopard, na i jepni neve”, ka thënë Zelensky për televizionin publik gjerman.
“Këta Leopard nuk do të shkojnë në Rusi. Ne jemi duke e mbrojtur veten”, ka thënë ai, si shenjë e kritikës ndaj qasjes hezituese të Qeverisë gjermane.
Zyrtarët e mbrojtjes nga më shumë se 50 shtete pritet të mblidhen në Ramstein, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane janë zotuar për ofrim të më shumë pajisjeve për t’i ndihmuar Ukrainës që zmbrapsë ndonjë ofensive eventuale ruse.
Pas 11 muajve të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, zyrtarët ushtarakë të NATO-s besojnë se Moska është duke planifikuar ofensivë të re në pranverë.
SHIKONI EDHE: Pushtimi rus i UkrainësMbretëria e Bashkuar, po ashtu, ka ofruar dërgimin e 14 tankeve luftarake në Ukrainë, mirëpo Kievi dëshiron më shumë.
Si vend prodhues, Gjermania duhet të japë leje para se shtetet sikurse Polonia dhe Finlanda, t'i nisin tanket Leopard që i kanë në dispozicion.
Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm polak, Pawel Jablonski, ka paralajmëruar të premten se Varshava mund të marrë veprime jashtë standardit, nëse ekziston rezistencë e ashpër nga Berlini.
Një këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, ka thënë të premten se aleatët e Ukrainës përballen me “zgjidhje të thjeshtë”.
“Tanket për Ukrainën janë tanke për lirinë”, ka thënë Yuriy Sak për transmetuesin britanik, BBC.
Nëse nuk na dërgohen këto tanke, shtetet tjera një ditë “mund t’i përdorin vetë” kundër Moskës, ka paralajmëruar ai.
SHIKONI EDHE: Perëndimi planifikon të dërgojë në Ukrainë tanke gjermane Leopard 2Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë.
Mirëpo, ministri i ri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë se nuk është në dijeni të kushteve të tilla.
Në mbrëmjen e së enjtes, Gjermania ka thënë se pozicioni i saj do të jetë më i qartë në orët e ardhshme, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.
Zelensky e ka kritikuar disa herë rezistencën e Berlinit për të dërguar tanke, ashtu sikurse sugjerimet se SHBA-ja dhe Gjermania planifikojnë të dërgojnë tanke vetëm nëse shtetet tjera veprojnë njëjtë.
“Nuk mendoj se kjo është strategjia e duhur”, ka thënë Zelensky, duke bërë thirrje për marrjen e vendimeve “të fuqishme” të premten.
Gjenerali i pensionuar i ushtrisë amerikane, David Petraeus, ka thënë se ekzistojnë dyshime të bazuara në Uashington sa i përket dërgimit të tankeve Abrams në Ukrainë, sepse ato vështirë mirëmbahen dhe kanë një turbinë reaktive.
Ai i ka thënë BBC-së se është e domosdoshme që secili donacion perëndimor të bëhet “mjaftueshëm herët, në mënyrë që ushtarët ukrainas të mund të trajnohen”.
SHIKONI EDHE: Lufta e ashpër në lindje, SHBA-ja fillon trajnimin e trupave ukrainaseRusia, në anën tjetër, ka paralajmëruar shtetet e Perëndimit për dërgimin e tankeve në Ukrainë, duke thënë se diçka e tillë përbën përshkallëzim “jashtëzakonisht të rrezikshëm” të konfliktit.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar ndihmën ushtarake në vlerë të 2.5 miliardë dollarëve.
Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 27 miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, prej kur Moska ka nisur luftën në shkurt të vitit të kaluar.
*Video nga arkivi: Ukrainasit thonë se sistemet raketore amerikane, HIMARS, po e bëjnë dallimin
Tanket nuk janë pjesë e paketës së ndihmës, mirëpo Petangoni ka premtuar dërgimin e pajisjeve tjera si Bradley, Stryker, Avenger e tjera.
Ky njoftim pasoi zotimin e nëntë kombeve evropiane se do të ofrojnë më shumë ndihmë për Kievin.
Aty përfshihen:
- Mbretëria e Bashkuar – 600 raketa Brimstone
- Danimarka – 19 pajisje obusë të llojit francez
- Estonia – obusë, municion, pajisje mbështetëse, lansues granatash
- Letonia – sisteme Stinger, dy helikopterë dhe dronë
- Lituania – armë kundërajrore dhe dy helikopterë
- Polonia – armë kundërajrore S-60 dhe 70.000 copë municioni
- Republika Çeke – municion, obusë dhe pajisje APC
- Holanda – ndihma pritet të bëhet publike të premten