Ndërlidhjet

Gjermanisë i bëhet presion ta furnizojë Ukrainën me tanke


Kancelari gjerman, Olaf Schoz, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kiev, 16 qershor 2022.
Kancelari gjerman, Olaf Schoz, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kiev, 16 qershor 2022.

Kancelari gjerman, Olaf Schoz, u ka thënë kongresistëve amerikanë në Davos se Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me tanke luftarake, nëse këtë e bën edhe SHBA-ja, sipas deklaratës së përfaqësuesit demokrat Gregory Meeks, nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Scholz është nën presion të shtuar nga aleatët e tij evropianë për autorizim të eksportimit të tankeve të llojit Leopard, të prodhuara në Gjermani.

“Në thelb, duhet të jenë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Nuk ka asnjë dyshim për këtë”, tha Meeks për agjencinë e lajmeve AFP më 19 janar, pas takimit të një dite më parë me Scholz në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ai “beson fuqishëm” se Ukraina duhet të furnizohet me tanke, në një deklaratë pas takimit të tij në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Ne e dëgjojmë mesazhin tuaj. Ju keni nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe artilerisë, më shumë armatim”, tha ai në Twitter. “Unë besoj fuqishëm se tanket duhet të dërgohen”.

Ndërkohë, një grup prej nëntë vendeve – përfshirë këtu Britaninë e Madhe, Poloninë dhe Holandën – u zotuan se do të synojnë furnizim me “pako të paprecedenta të donacioneve”, përfshirë këtu tanke ushtarake për t’i ndihmuar Ukrainës në konfliktin me Rusinë.

“Jemi të përkushtuar që së bashku t’i dërgojnë mbrojtjes së Ukrainës pako të paprecedentë të donacioneve, përfshirë tanke luftarake, artileri të rëndë, mbrojtje ajrore, municion dhe pajisje luftarake të këmbësorisë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Këto zhvillime të fundit e shtojnë presionin mbi Gjermaninë dhe ministrin e sapoemëruar të Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili u takua më 19 janar me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Llloyd Austin.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë se Austin pritej t’i bënte presionit homologut të tij gjerman për ta lejuar transferimit e tankeve të prodhuara në Gjermani.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, premtoi mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën më 19 janar dhe e paralajmëroi ministrin Pistorius se forcat e armatosura të Gjermanisë duhet të jenë sërish në gjendje ta mbrojnë vendin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG