Zelensky: Sulmet në objektet e energjisë synojnë të rrisin migrimin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve të Bashkimit Evropian se sulmet ruse, që kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së energjisë, kanë qëllim nxitjen e një vale të re të migrantëve ukrainas drejt vendeve të bllokut evropian.

“Terrori rus kundër objekteve të energjisë ka qëllim krijimin e sa më shumë problemeve me rrymë dhe nxehtësi në Ukrainë këtë vjeshtë dhe dimër, ashtu që sa më shumë ukrainas të nisen drejt vendeve tuaja”, ka thënë Zelensky përmes video-lidhjes.

Sipas tij, këto veprime duhet të kenë “përgjigje të menjëhershme”, fillimisht përmes sistemeve të shumta për mbrojtje ajrore.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundshme që t’ia pamundësojmë Rusisë shkatërrimin e sistemit tonë energjetik me raketa dhe dronë”.

SHIKONI EDHE: Armët që Ukraina do t’i marrë nga SHBA-ja

Rusia ka shtuar numrin e sulmeve në objekte banesore dhe infrastrukturë prej 10 tetorit, duke përdorur kryesisht dronë kamikazë.

Ukraina dhe Perëndimi besojnë se ky lloj i dronit është prodhuar nga Irani.

Moska dhe Teherani kanë hedhur poshtë akuzat.

Zelensky po ashtu ka paralajmëruar se Ukraina dyshon që Rusia ka hedhur mina në digën e hidrocentralit që gjendet në Nova Kahhovka.

Nëse minat shpërthejnë, ai ka thënë që më shumë se 80 vendbanime, përfshirë Hersonin, do të jenë në rrezik të vërshimeve.

Zelensky ka thënë se punëtorët ukrainas janë dëbuar nga hidrocentrali, duke e lënë atë në duart e rusëve.

Sipas tij, Rusia “ka përgatitur gjithçka për të kryer këtë sulm terrorist”.

Ai ka bërë thirrje për mision vëzhgues ndërkombëtar, kthim të punëtorëve dhe heqje të minave nga diga.

Komentet e Zelenskyt kanë ardhur dy ditë pasi Vladimir Saldo, zyrtari i emëruar nga Rusia në rajonin ukrainas të Hersonit, ka bërë të ditur një “zhvendosje të organizuar” të civilëve nga katër qyteza afër Lumit Dnjepër.

SHIKONI EDHE: Rusia nis evakuimet nga jugu i Ukrainës

Saldo ka akuzuar forcat ukrainase se planifikojnë të shkatërrojnë digën.

Autoritetet e instaluara nga Moska në Herson, kanë thënë më 20 tetor se rreth 15.000 njerëz janë larguar nga rajoni.

Kievi e ka konsideruar këtë hap të Moskës si “dëbim” të civilëve ukrainas.

Mirëpo Stremousov ka thënë se njerëzit duhet të ndjekin udhëzimet dhe të largohen nga Hersoni, një prej katër rajoneve që janë aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia.

“Duhet t’i jepni ushtrisë një mundësi të bëjë atë që do të bëjë”, ka thënë ai, duke pretenduar se ushtria ruse nuk do të heqë dorë nga Hersoni.

SHIKONI EDHE: Scholz: Taktikat e tokës së djegur nuk do t’i ndihmojnë Putinit

“Rusia po rrit numrin e trupave ushtarake në Herson”

Ushtria ukrainase ka thënë më 21 tetor se Rusia është duke dërguar mijëra trupa ushtarake që ka mobilizuar së fundi në rajonin e Hersonit.

“Mbi 2.000 rusë të mobilizuar kanë arritur në rajonin e pushtuar përkohësisht të Hersonit, për të forcat njësitet në linjën e frontit”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

“Në të njëjtën kohë, autoritetet pushtuese kanë lëshuar një urdhër për t’u përgatitur për një evakuim të punëtorëve shëndetësorë dhe mësuesve”, është thënë në deklaratë.

Ukraina është duke tentuar që të shtyjë forcat ushtarake ruse përtej Lumit Dnjepër.

Ushtarët rusë që janë në këtë zonë, raportohet se kanë pak furnizime dhe janë në nevojë të përforcimeve.

SHIKONI EDHE: Shkatërrimi që lanë pas forcat ruse në lindje të Ukrainës

Zyra e Zelenskyt ka thënë më 20 tetor se forcat ukrainase kanë kryer 15 sulme në kundër pozicioneve ruse në Herson.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë në anën tjetër, se forcat e Kremlinit kanë zmbrapsur tentimet ukrainase për të avancuar me tanke në disa fshatra ukrainase.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar asnjërin pretendim në mënyrë të pavarur.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përgatiti: Krenare Cubolli