Ndërlidhjet

Armët që Ukraina do t’i marrë nga SHBA-ja


Një raketë e lëshuar nga sistemi amerikan, HIMARS. Fotografi ilustruese.
Një raketë e lëshuar nga sistemi amerikan, HIMARS. Fotografi ilustruese.

Associated Press

Liderët e Ukrainës po u bëjnë presion liderëve në Shtetet e Bashkuara dhe aleatëve në Perëndim për t’i dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze të gjatë veprimi. Kievi ka argumentuar se i duhen këto lloje armësh, me qëllim që të mbajë momentumin në kundërofensivën e tij kundër Rusisë, por edhe për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të intensifikuara të Moskës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 12 tetor se aleatët janë të përkushtuar për të dërguar armë në Ukrainë “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Ai tha se liderët e mbrojtjes, që u takuan në Bruksel, po punojnë për të dërguar një gamë të gjerë sistemesh, duke filluar nga tanket dhe makinat e blinduara e deri tek ato ajrore dhe sisteme artilerish.

Por, ende ka një numër të armëve të profilit të lartë e të avancuar që Ukraina dëshiron, por që SHBA-ja nuk mund t’ia dërgojë për shkak të ndjeshmërisë politike, teknologjisë sekrete dhe numrit të kufizuar në stoqe.

Më poshtë mund të mësoni se cilat armë do t’i marrë Ukraina dhe cilat jo.

Çfarë armësh po merr Ukraina?

Në takimin që u mbajt gjatë kësaj jave me 50 liderët e mbrojtjes, Austin dhe gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, diskutuan për planet për të dërguar në Ukrainë më shumë armë të mbrojtjes ajrore dhe po ashtu për të rritur trajnimet për ushtarët ukrainas.

“Ne e dimë se Ukraina ende ka nevojë për armë me rreze të gjatë veprimi, për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe sisteme të artilerisë, së bashku me aftësi të tjera kruciale”, deklaroi Austin më 12 tetor. Ai, po ashtu, tha se ka biseduar me aleatët për një numër të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

SHBA-ja deri më tani ka dhuruar 20 sisteme raketore me lëvizshmëri të lartë, të njohura si HIMARS dhe ka premtuar se do të dërgojë edhe 18 të tjerë në Ukrainë.

Pentagoni, gjithashtu, ka thënë se do të dërgojë dy sistemet e para të avancuara raketore tokë-ajër NASAMS në javët në vijim. Këtë lloj arme, Kievi e kishte kërkuar që në fillim të këtij viti. NASAMS mundëson mbrojtje me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi kundër sulmeve raketore ruse.

Gjermania ka nisur të dërgojë sistemin e parë raketor tokë-ajër IRIS-T, që ka një rreze veprimi prej 40 kilometrash. Berlini ka premtuar se në total do të dërgojë në Ukrainë katër sisteme të tilla.

Sistemet gjermane të mbrojtjes ajrore, IRIS-T.
Sistemet gjermane të mbrojtjes ajrore, IRIS-T.

Në përgjithësi, SHBA-ja ka dërguar në Ukrainë armë dhe ndihmë tjetër në vlerë prej 16.8 miliardë dollarësh, qëkur pushtimi rus nisi më 24 shkurt. Në këto pako të ndihmës janë përfshirë edhe qindra makina të blinduara, 144 obusë 155-milimetërsh dhe 880.000 fishekë municionesh për këta obusë. Plus, Uashingtoni ka dërguar edhe qindra sisteme kundërtanke Javelin dhe sisteme kundërajrore Stinger, dhe po ashtu rreth 60 milionë fishekë.

Cilat lloje të armëve SHBA-ja nuk i ka dërguar në Ukrainë?

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht e ka bërë të qartë se shteti i tij ka nevojë për më shumë armë të avancuara, në mënyrë që të vazhdojë luftën. Rusia ka nisur një sërë sulmesh këtë javë, duke përdorur dronë, artileri të rëndë dhe raketa.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar sulmet në kundërpërgjigje ndaj një shpërthimi më 8 shtator në urën që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar. Rusët, po ashtu, janë përballur me vështirësi për t’iu kundërpërgjigjur kundërofensivës së furishme të forcave ukrainase, të cilët së fundmi rimorën kontrollin e pesë qyteteve dhe fshatrave në rajonin jugor të Hersonit. Ky rajon u aneksua paligjshëm nga Rusia, së bashku me rajonet e Zaporizhjës, Donjeckut dhe Luhanskut.

Megjithatë, thirrjet e Zelenskyt për disa lloje armësh kanë mbetur pa përgjigje.

Një kërkesë kyçe është për Sistemin e Raketave Taktike. I njohur si ATACMS, ai është një prej armëve që Zelensky vazhdimisht ka kërkuar që t’i dërgohet Ukrainës. ATACMS do t’i mundësonte Ukrainës që të kishte kapacitet për të sulmuar caqet ruse nga 300 kilometra largësi.

Ky sistem përdor të njëjtit lëshues sikurse ata që përdoren për raketat e HIMARS-ve që Kievi ka përdorur me sukses në kundërofensivën e tij. Megjithatë, ATACMS ka tri herë rreze më të madhe veprimi sesa sistemi HIMARS.

Një raketë duke u lëshuar nga sistemi ATACMS, gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. 5 tetor 2022.
Një raketë duke u lëshuar nga sistemi ATACMS, gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. 5 tetor 2022.

Një shqetësim i madh i SHBA-së është që armët me rreze më të gjatë veprimi mund të përdoren për të sulmuar caqe brenda Rusisë, duke provokuar edhe më tej Putinin, tha Brad Bowman, drejtor i Qendrës për Ushtri dhe Fuqi Politike në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracisë, një institut hulumtues me seli në Uashington.

Ngjashëm, SHBA-ja ka pak të ngjarë të dërgojë në Ukrainë sistemin e sofistikuar tokë-ajër, Patriot, i cili ka aftësi që të rrëzojë raketa balistike.

J.D. Williams, hulumtues i lartë në Rand Corp. tha se sistemet Patriot janë të lidhur në një prej rrjeteve më të ndjeshme komanduese të SHBA-së dhe mund të kërkojnë që trupat amerikane të shkojnë në terren për të operuar me këto sisteme. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po ashtu ka hedhur poshtë mundësinë që të dërgohen forca luftuese brenda Ukrainës.

Për më tepër, SHBA-ja ka një numër të kufizuar të këtyre sistemeve.

Zelensky ka kërkuar me ngulm që nga marsi që SHBA-ja t’i ofrojë avionë luftarakë të llojit F-16, por SHBA-ja vazhdimisht e ka refuzuar këtë kërkesë, pasi ka argumentuar se dërgimi i këtyre avionëve do të mund të përshkallëzonte edhe më tej tensionet me Rusinë.

SHBA-ja deri më tani ka refuzuar, po ashtu, që të dërgojë në Ukrainë dronë të sofistikuar me rreze të gjatë veprimi, sikurse Gray Eagle, që do t’i mundësonin Ukrainës të kryente sulme nga distanca të largëta. Po ashtu, ka shqetësime se Rusia do të mund të kishte qasje në teknologji të tillë të avancuara, nëse ndonjëri nga këta dronë do të rrëzohej.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG