Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, ka vizituar më 29 mars centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhja - qytet në jug - i cili kontrollohet nga forcat ruse.
Kështu njoftoi kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, Enerhoatom, e cila tha se vizita e Grossit vjen si pjesë e përpjekjeve për të shmangur rrezikun e një aksidenti në centralin bërthamor.
IAEA ka shprehur vazhdimisht shqetësime për sigurinë në Zaporizhja.
Ky central bërthamor - më i madhi në Evropë dhe ndër dhjetë më të mëdhenjtë në botë - ka qenë një nga shënjestrat e ushtrisë ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt të vitit të kaluar.
Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për bombardimet rreth centralit, të cilat kanë rritur shqetësimet për katastrofë bërthamore.
Të hënën, Grossi u takua në rajonin e Zaporizhjas me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili bëri një vizitë të papritur në pozicionet e vijës së parë të frontit në këtë rajon.
SHIKONI EDHE:
Zelensky viziton Zaporizhjan, takohet me Rafael GrossinGrossi shkon në Rusi për të diskutuar rreth centralit bërthamor në ZaporizhjaEkipet ndërkombëtare do të dërgohen në të gjitha centralet bërthamore të UkrainësKjo është vizita e dytë e Grossit në këtë central që nga nisja e luftës në Ukrainë - mbi një vit më parë.