Laura Fazliu e fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja kosovare Laura Fazliu reagon pasi e mposhti kroaten Katarina Kristo, për ta fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 63 kilogramë, në Lojërat Olimpike Parisi 2024, Paris, Francë, 30 korrik 2024.

Xhudistja kosovare Laura Fazliu e ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Parisi 2024 të martën, në debutimin e saj në lojëra olimpike.

Ajo e mposhti kroaten Katarina Kristo në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Lufta e drejtpërdrejtë për bronz mes Fazliut dhe Kristos ishte shumë e barabartë në kohën e rregullt dhe u nevojit koha shtesë, e njohur si “golden score” për ta përcaktuar fituesen e medaljes së bronztë.

Fazliu, 23 vjeç, fitoi falë ndëshkimit të 22-vjeçares me tri shido, pasi ajo e bëri një gabim në tentim për ta hedhur kosovaren në tatami.

Rrugës drejt medaljes së parë olimpike, Fazliu e kaloi rrethin e parë pa luftë, para se ta mposhte kinezen Jing Pang në përballjen e saj të parë olimpike, duke kaluar në çerekfinale, ku u mposht nga francezja Clarisse Agbegnenou.

Ajo disfatë nënkuptoi se Fazliu e humbi mundësinë për të luftuar për titullin e kampiones olimpike apo për medaljen e argjendtë, por mbeti në garë për bronz.

Në dy luftërat e saj për ta rrëmbyer medaljen e bronztë, ajo i mundi kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard dhe kroaten Kristo.

SHIKONI EDHE: Kush, me sa atletë po garon në Olimpiadën e Parisit?

Kjo është medalja e pestë olimpike në përgjithësi në historinë e sportit kosovar, dhe e dyta nga Parisi 2024, pas medaljes së argjendtë që e fitoi Distria Krasniqi në fundjavë.

Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani.

Kosova udhëtoi drejt Parisit me nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

Gjashtë prej tyre i kanë përfunduar garat në sportet e tyre përkatëse tashmë, me Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Donjeta Sadiku që nuk arritën të fitojnë medalje.

LEXONI EDHE KËTO:

Merr fund ëndrra e Donjeta Sadikut për medalje në Paris 2024Adell Shaboviq eliminohet nga gara e notit në Olimpiadë

Në ditët në vijim do të garojnë edhe Gresa Bakraqi në atletikë, Hana Beiqi në not, si dhe Loriana Kuka në xhudo.

Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil.