Sveçla thotë se po hetohet përfshirja e mundshme ruse në sulmin në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Mitrovicë e Jugut, 25 shtator 2023.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova po heton për përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.

Më 24 shtator, rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe disa policë u plagosën, pasi autoritetet e rendit u sulmuan nga një grup i armatosur. Po ashtu, tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Kosova për këtë sulm, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla tha në një intervistë për Associated Press se hetuesit janë duke shikuar provat që e lidhin Rusinë – aleaten e Serbisë – me sulmin e armatosur. Armët ruse dhe pajisjet e dokumentet e tjera sugjerojnë për përfshirjen ruse në sulmin e armatosur, tha ai.

“Ajo çka e dimë sigurt është se [sulmuesit] erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë – të Kosovës dhe Serbisë – dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi”.

“Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu”, tha ai. “Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime”.

*Video: Armët dhe pajisjet e tjera që Policia e Kosovës tha se i gjeti në Banjskë

Your browser doesn’t support HTML5

Policia e Kosovës ekspozon armët e konfiskuara pas sulmit në veri

Në Perëndim ka frikë se Rusia, duke vepruar përmes Serbisë, mund të synojë destabilizimin e Ballkanit dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga pushtimi i saj i Ukrainës. Rusia ka ofruar mbështetje për Serbinë pas sulmit në Banjskë, duke e akuzuar Perëndimin se ka dështuar që të mbrojë serbët e Kosovës.

Sveçla tha se bazuar në dëshmitë e mbledhura dhe pamjeve të incizuara me dron, disa nga sulmuesit, që ai iu referua si “terroristë”, mbanin maska gjatë operacionit.

“As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata”, tha ai. “Pra, ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia”.

Sipas Sveçlës, qëllimi i operacionit dukej se ishte marrja nën kontroll e veriut të Kosovës me synimin final që të shkëputjes së kësaj zone – e banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e shtetit.

“Ata kishin mbi 100 uniforma. Ata po planifikonin që të rekrutonin më shumë persona brenda [komuniteteve] ku jetojnë serbët... Institucionet e Kosovës më pas do të duhej të përballeshin me disa qindra terroristë, sipas skenarit që ata kishin planifikuar”.

SHIKONI EDHE:

Vuçiq: Radoiçiq gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetjeKosova e akuzon Radoiçiqin për sulmin ndaj Policisë Sveçla publikon një video ku pretendon se shihet Radoiçiqi gjatë sulmit në veri

Ai i bazoi këto pretendime edhe në bazë të armatimeve të shumta që tha se Policia gjeti në Banjskë.

Sipas Sveçlës, rreziku për një kryengritje të re nuk ka kaluar.

“Nuk kemi përleshje, por kemi informacione se trajnimi i terroristëve të tillë po vazhdon në Serbi”, tha ai.

“Në Kosovë ka ende persona që janë pjesë e këtij grupi”, tha Sveçla për AP-në.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Gjurmët që mbetën tri ditë pas sulmit në Banjskë

Sveçla më herët ka prezantuar pamje me dron, duke thënë se në to shfaqet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i armatosur në Banjskë. Zyrtari kosovar tha thënë se Radoiçiq ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje. Ai megjithatë ka thënë se nuk e di se cili ka qenë qëllimi i grupit që kreu sulmin në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.